Rezistenca ndaj insulinës është një nga çrregullimet më të përhapura, por edhe më pak të kuptuara të shëndetit modern. Ajo zhvillohet në heshtje, shpesh pa simptoma të qarta në fazat e para, duke krijuar terrenin për një sërë problemesh serioze shëndetësore si diabeti i tipit 2, obeziteti, sëmundjet kardiovaskulare, çrregullimet hormonale dhe inflamacioni kronik. Pikërisht për këtë arsye, rezistenca ndaj insulinës konsiderohet “mëma” e shumë sëmundjeve të tjera. Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, shpjegoi në emisionin “Rreze Dielli” rezistencën ndaj insulinës. Fillimisht ai foli për shenjat si duhet ta kuptoni nëse jeni rezistent ndaj saj, e më pas u ndal edhe tek shkaqet si dhe trajtimi.  

“Shumë thonë se njeriu me diabet, duhet të marrë ilaçe tërë jetën, për mua është dogmë, është vërtetuar klinikisht që nuk është e vërtetë. Nuk po trajtohen shkaqet, diabeti nuk fillon me sheqerin, ai fillon me rezistencën ndaj insulinës. Problemi është kur kemi filluar të bombardohemi me miell, niseshte, ushqime të përpunuara ose kur kemi nivele të larta të stresit”, tha Joka.

Nutricionisti shpjegoi se në fakt kemi të bëjmë me tepricë insuline.

“Pankreasi prodhon më shumë insulinë se ajo që fusim në trupin tonë, kjo sjell dëmtimin e qelizave, që njihet ndryshe si shurdhimi i qelizës. Rezultati në këtë rast është insulinë e lartë, shumë sheqer thënë ndryshe - metabolizëm i shkatërruar. Diabeti është simptomë ndaj metabolizmit të shkatërruar. Kur lodhet Pankreasi, kjo insulinë e tepërt ndikon në çdo qelizë të trupit tonë. Ajo lidhet me yndyrnat e larta, me alzheimerin, me një pjesë kryesore të kancerit”, shpjegoi Joka.

Sipas natyropatit trupi flet që në momentet e para. Sinjalet janë: uri e shpeshtë, lodhje, rënie energjie,  shtim të peshës në bark, cikël të çrregullt menstrual tek femrat, vështirësi për të rënë nga pesha, rritje të qimeve, ulje të libidos, probleme me fertilitetin, tension të lartë herë pas here, mëlçi të yndyrshme, etj.  

Por ja si mund ta vërtetoni që keni rezistencë ndaj insulinës

Ka disa analiza për të parë rezistencën ndaj insulinës, HbA1c, OGTT analiza më reale, gjithashtu mund të masni nivelin e triglicerideve, kolesterolin e mirë, mëlçinë nëse e keni të yndyrshme, si dhe problemet me tensionin. Niveli 6-7 quhet nivel i lartë i homoglobinës së glukozuar.

“Eshtë shumë e rëndësishme që analizat të bëhen jo vetem esëll, por edhe 2 orë pas buke”, theksoi Joka.

Por a mund të na ndihmojë stili i jetesës në lidhje me rezistencën ndaj insulinës?

Sipas Jokës nuk mjafton vetëm një regjim ushqimor i mirë për të mbajtur nivelin e mirë të rezistencës ndaj insulinës. Duhet parë nëse keni apo jo dëmtim të pankreasit. Që të ulni nivelin e insulinës, duhet të bëni aktivitet, të përmirësoni gjumin, të ulni nivelin e stresit. E vetmja kohë kur insulina nuk rritet është periudha e pushimit mes vakteve, ulni nivelin e sheqernave, niseshtesë, vajrat vegjetal, pijet e gazuara. Konsumoni peshk, pulë fshati, vaj ulliri, vaj avokado, gjalpë të pastër fshati, arra, brokoli, lakra, uthull molle, shafran, hudhër, qepë të kuqe. Hiqni bukën e bardhë, miellin me element shtesë, reduktoni orizin, bëni më shumë agjërime si dhe duhet të rakordoheni me specialistë për të rregulluar detaje për problematikat që mund të keni më specifike.  

Sa kohë ju duhet të kuptoni që e keni rregulluar rezistencën ndaj insulinës

Brenda 72 orësh nëse ne kemi rregulluar elementët që thamë më lartë, fillon ulet niveli i fryrjes, uria është më e kontrolluar, keni më pak lodhje pas ushqimit, pastaj fillon reagimi i qelizave ndaj insulinës, bëheni më fleksibël. Rënia e peshës ndodh pas 15 ditësh, tretjen e keni më të lehtë, gjumi është përmirësuar. Pas një muaji fillon mëlçia të qetësohet nga niveli i yndyrnave. Pas 3 ose 6 muajve fillon stabilizimi i trupit. Por duhet të keni kujdes, sepse rezistenca ndaj insulinës nuk sjell vetëm diabet, ajo mund të na sjellë probleme hormonale, menstruale, probleme me kancerin, me hipertensionin, dëmtim të veshkave, e shumë të tjera.