Fëmija juaj ndryshon papritur sjellje? Mjekët paralajmërojnë për Sindromën PANS dhe PANDAS
Sindromat PANS dhe PANDAS janë çrregullime neuropsikiatrike relativisht të reja në terminologji, por që janë prezente në popullatën pediatrike. Neuropediatrja Migena Kika shpjegon se këto janë terma të rinj që ndihmojnë në përkufizimin më të mirë të një grupi simptomash.
Çfarë janë PANS dhe PANDAS?
Të dyja sindromat kanë natyrë autoimune dhe shfaqen pas një infeksioni, ku trupi krijon autoantitrupa që sulmojnë strukturat e trurit, kryesisht ganglionet bazale.
arakteristika Kryesore dhe Mosha
Fakti kryesor që i dallon këto sindroma nga çrregullimet e tjera neuropsikiatrike (si ankthi, depresioni apo Sindroma Tourette) është vendosja e menjëhershme (bruske) e shenjave klinike.
* Mosha e Prekur: Këto çrregullime shfaqen në grupmoshën 3 deri në 12 vjeç, me moshën mesatare të diagnostikimit kryesisht 6 deri në 9 vjeç.
Prindërit duhet të drejtohen tek mjeku nëse vërejnë shenja të tilla si një frikë apo kujdes i shtuar pas një infeksioni, ose lëvizje të pakontrolluara. Për shembull, një fëmijë bëhet i fiksuar se mos merr mikrobe dhe lan duart në mënyrë të përsëritur (obsesion dhe kompulsion).
Shenja të tjera shoqëruese
Përveç simptomave kryesore, fëmijët mund të shfaqin edhe një mori shenjash të tjera neurologjike dhe neuropsikiatrike:
* Problematika Emocionale: Ankth i shtuar, depresion dhe regresi (stopim) në zhvillimin kognitiv.
* Probleme Akademike: Humbje e aftësive gjuhësore apo akademike.
* Probleme Motorike: Çrregullime të lëvizjes, vështirësi në përdorimin e motorikës fine, si prishje e shkrimit apo vizatimit.
* Urinim i Pavullnetshëm: Urinim i pavullnetshëm, kryesisht natën, por mund të ndodhë edhe gjatë ditës.
Diagnostikimi dhe trajtimi
Një pjesë e rasteve keqdiagnostikohen si çrregullime të tjera neuropsikiatrike (si ADHD apo Sindroma Tourette). Diagnoza e saktë është thelbësore.
Trajtimi duhet të bëhet në varësi të gravitetit (format e lehta, të mesme dhe të rënda) dhe ka si objektiv që simptomat klinike të mos jenë afatgjata:
* Format e Lehta: Mjekimi me antibiotikë specifikë, anti-inflamatorë dhe kortizonikë. Shoqërohen me Terapi Konjitive Biheviorale (CBT), e cila është thelbësore për menaxhimin e simptomave, sidomos për çrregullimin obsesiv-kompulsiv.
* Format e Mesme dhe të Rënda: Përveç mjekimit bazë, mund të administrohen edhe trajtime specifike në kushte spitalore, si Imunoglobulinë me rrugë venoze ose Plazmaferezë, e cila synon uljen e nivelit të autoantitrupave qarkullues në gjak.
Lajmi kryesor:
Klinika 24/ Keni frikë të flisni me njerëzit? Psikologia zbulon sinjalet e fshehta të ankthit social












