Te rubrika e poezisë vijnë vargjet e Sonila Strakoshës.

Poezia e parë "Klithma ime" një britmë ndaj racizmit dhe indiferencës.

Klithma ime

Miliarda lekë për inteligjencën

Shkatërruese

Miliarda të tjera për atë artificiale

Dhe ndërsa gota shampanje kërcasin

Në mbrëmje bamirësie

Diku, një shpirt po vdes urie.

Dhe kur ndërgjegjja emigron

Të zhduket pa e takuar dhimbja

Diku, një tjetër trup i dorëzuar

Po shuhet i njollosur nga gjakderdhja.

Disa milje larg ca gojë ulërijnë

Me britma urrejtjeje në protesta

Për refugjatin e rrezikshëm

Që i vrau qetësinë

Për të panjohurin me "ngjyrë të zezë"

I cili flet gjuhë të shëmtuar,

Për hajdutin

Që mund t'i vjedhë shtëpinë.

Po atë ditë, gjithmonë në planetin tokë

Mes kaosit të çmendur të ligësisë hipokrite

Mbi breg të njomë, valë e detit po nxjerr

Një fëmijë që duket sikur fle përmbys

Me fytyrën e vogël ngjyrë blu

Aq tronditshëm i pafajshëm

Shëmbëllen se po dremit përkundur.

Dëshmi ulëritëse e indiferencës

Së ndërgjegjes

Ai vogëlush, tanimë, i mbytur.

Poezia e dytë

Ndryshim

Nuk di më sa vjeshtë kam parë të mbërrijnë

E befas tek unë melankolinë të zgjojnë.

Sa herë i kam soditur më pas të shkojnë

Kur natyra nis të sajën çehre të ndryshojë.

Po ashtu dhe pranverat, t'i numëroj kam harruar

Shumë prej tyre as që më kujtohen më

Kam fiksuar vetëm ndjesinë e veçantë dhuruar,

Përjetime risish, provuar heshtur, nën zë.

Pa bujë, natyra pamjen ndërronte,

Përtërihej pa u ndjerë, ngadalë, sì zakonisht.

Më kujtohet veç mrekullia që më shkaktonte,

Një prekje e çuditshme më ngjitej ëmbëlsisht.

Ļajmërimi i butë i çdo afrimi stine

Mplekste keqas ëndrrat në valëvitje hutimi

Kujtoj ngasjen e fshehur tek ndjeja ndryshimin

Mbaj mend gjithashtu dhe pak trishtim

Largimi.


Lajmi kryesor:

‘Në Librari' sjell 4 tituj të rinj: ‘Bija italiane’, ‘Bija kubane’, ‘Hija e burrave’ dhe ‘Premtimi’