Klosi kritika Zyrave të Punës: Rrisni 
kontaktin me biznesin e të papunët

Pavarësisht lobimit për arsimin profesional, në Shqipëri ka ende subjekte private që ushtrojnë profesione të ndryshme jashtë çdo kontrolli nga shteti. Shqetësimi për këtë është ngritur nga ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi gjatë një takimi me 12 drejtorët rajonalë të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
 
“Kemi sot në territorin e Shqipërisë me qindra zyra të vogla që ofrojnë formimin profesional jashtë çdo kontrrolli, prandaj zyrat e punës duhet të marrin me fillimin e vitit edhe me ndryshimin e ligjit në arsimin profesional, detyrën e plotë për të pasur një informacion se çfarë kursesh ofrojnë qendrat private të formimit profesional dhe ne të krijojmë me urgjencë një database të profesioneve në Shqipëri,” tha ai.

Klosi hodhi kritika edhe sa i përket funksionimit të zyrave të punës, duke i quajtur një sistem parazitar.
 
“Zyrat e Punës duhet të jenë pikat ku i gjithë qyteti, qarku dhe rajoni duhet të ndjejnë momentin se kur mund të gjendet punë dhe ku mund të ofrohen punëkërkues të profilizuar. Një dhe vetëm një është detyra juaj, kontakt, kontakt, kontakt me biznesin, kontakt, kontakt, kontakt me punëkërkuesit e papunë. Ne duhet të transformohemi nga një sistem parazitar, në një sistem që çdo ditë kontakton këto grupe shoqërore. Kjo është puna jonë. Ne nuk mund të pranojmë që zyrat tona të Punës të kenë një rezultat jo të denjë për një institucion kaq të rëndësishëm në tregun shqiptar të punës. Prandaj, unë do doja t’ju kërkoja shumë më tepër vëmendje në vitin 2016”, tha ministri i MMSR-së.

Ai gjithashtu paralajmëroi se me ligjin e ri “Për punëkërkuesit e papunë” nuk do jepen më vërtetime papunësie për ata që refuzojnë të punojnë.

 “Vetëm nga një përpjekje e parë e zyrave të Punës kemi disa mijë persona që kanë humbur statusin e punëkërkuesit të papunë. Pra fiktiviteti në listat tona, fiktiviteti është në një shkallë shumë të madhe. Unë kam bindjen, dhe ky duhet të jetë objektivi kryesor për vitin 2016, se ky numër duhet të jetë real dhe duhet të luftojmë shumë fiktivitetin, sepse nga fiktiviteti në zyrat e punës neve na futet i gjithë sistemi në fiktivitet. Numri i madh i punëkërkuesve të papunë që pasqyrohet te zyrat e Punës, më pas shkon te ndihma ekonomike si një numër fiktiv, shkon te pagesa e papunësisë, shkon te sistemi i pensioneve, te llogaritja e punësisë. Prandaj, zyrat tona të Punës duhet të jenë në ballë të një aksioni të ri për të luftuar informalitetin edhe në këtë sektor”,  u shpreh Klosi.

Po ashtu sipas Klosit është shumë i rëndësishëm edhe bashkëpunimi i zyrave të Punës me Arsimin Profesional.

 “Zyrat e Punës edhe me ligjin e ri do të kenë një lidhje shumë të madhe me Arsimin Profesional. Do të jeni ju, ata që do të projektoni dhe orientoni kurset në qendrat tona multifunksionale, pasi shkollat tona do t’i shndërrojmë në qendra multifunksionale, që të shtojmë më shumë numrin e atyre që marrin një profesion”, - tha Klosi.

Në mbyllje ministri shtoi se objektiv për vitin e ardhshëm mbetet edhe vijimi i hapjes së zyrave të reja të Punës që ofrojnë ambiente moderne.

 Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha