TIRANË-Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimit dhe shkeljeve te konstatuara, ka kallëzuar në Prokurori shtatë drejtues dhe ish-drejtues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Sipas KLSH-së, "Agjencia është vetëpërjashtuar nga rregullat për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Mosaplikimi i masave administrativo-ligjore nga ky institucion, ka lejuar abuzimin nga ana e shoqërive koncesionare, të cilat gëzojnë leje shfrytëzimi të bëjnë një shfrytëzim të paskrupullt të burimeve nëntokësore, duke shkatërruar në shumicën e rasteve zonat mjedisore në të cilat ata operojnë."
KLSH konstatoi se gjatë vitit 2013, përgjithësisht llogaritë në USD kanë shërbyer si llogari ndërmjetëse, pasi pjesa më e madhe e pagesave është kryer në lekë dhe pjesërisht në euro. Nga analiza e raportit të lëvizjeve bankare të llogarive bankare të AKBN, rezulton se AKBN në asnjë rast nuk ka kërkuar të marrë një kurs preferencial, por ka vijuar me kursin ditor të Bankës, edhe pse shumat e konvertuara kanë qenë mbi 150,000 USD secila, duke i konvertuar USD përkundrejt lekut me "kosto më të lartë", në disfavor të interesave të shtetit dhe favorizim të interesave të bankave ku janë kryer këto konvertime.
Nga analiza e këmbimeve valutore rezultoi se, si pasojë e keqmenaxhimit të qëllimshëm financiar nga ana e drejtuesve të AKBN, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën prej 7.239.530 lekë.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara më sipër, KLSH i ka dërguar organit të prokurorisë dy kallëzime penale, nr. 502/27 dhe 502/28 të datës 21.10.2014, së bashku me të gjithë dokumentacionin përkatës të auditimit, për T.M, P.Gj, P.S, S.B, G.A, L.B dhe B.Xh,  drejtues dhe ish-drejtues të AKBN, me akuzën e konsumimit të elementëve të veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal. /ATSH/