Sipas vendimit në fjalë shpronësimet do të përfshijnë pronat që preken nga hapja dhe sistemimi i rrugës “11 Nëntori”, segmenti nga shkolla “Jorgji Dilo” deri tek “Rotonda tek Posta” (ana veriore e rrugës), si dhe segmenti nga kthesa e stadiumit deri në bashkim me Unazën Jugore në lindje të qytetit të Elbasanit.
Gjithashtu shuma totale e shpronësimeve do të jetë në shumën e rreth 139 milionë lekë, të cilat do të përballohen nga të ardhurat e bashkisë Elbasan. Në vendim theksohet gjithashtu se afati i përndimit të shpronësimeve do të jetë 3 muaj pas miratimit të projektit.
Më poshtë vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:
VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA HAPJA DHE SISTEMIMI I DISA SEGMENTEVE TË RRUGËS “11 NËNTORI” (SOT RRUGA “QEMAL STAFA”) NË QYTETIN E ELBASANIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga hapja dhe sistemimi i rrugës “11 Nëntori” (sot rruga “Qemal Stafa”), segmenti nga shkolla “Jorgji Dilo” deri tek “Rotonda tek Posta” (ana veriore e rrugës), si dhe segmenti nga kthesa e stadiumit deri në bashkim me Unazën Jugore në lindje të qytetit të Elbasanit, sipas tabelave, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Elbasanit dhe pasuritë prej: 2 455.84 (dy mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë pikë tetëdhjetë e katër) m² truall, 527.45 (pesëqind e njëzet e shtatë pikë dyzet e pesë) m2 banesë dhe 296.95 (dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë pikë nëntëdhjetë e pesë) m² njësi, për segmentin e parë, si dhe 1 970.99 (një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë pikë nëntëdhjetë e nëntë) m² truall dhe 641.21 (gjashtëqind e dyzet e një pikë njëzet e një) m2 banesë, për segmentin e dytë, regjistrohen në emër të kësaj bashkie.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, sipas vlerave të mëposhtme:
a) për segmentin e parë, nga shkolla “Jorgji Dilo” deri tek “Rotonda tek Posta” (ana veriore), 54 523 356.6 (pesëdhjetë e katër milionë e pesëqind e njëzet e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë pikë gjashtë) lekë;
b) për segmentin e dytë, nga kthesa e stadiumit deri në bashkim me Unazën Jugore në lindje të qytetit, 84 447 000 (tetëdhjetë e katër milionë e katërqind e dyzet e shtatë mijë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 138 970 360.6 (njëqind e tridhjetë e tetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë pikë gjashtë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë Elbasan, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Shpenzimet procedurale të përballohen nga bashkia e Elbasanit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objekteve, në bashkinë e Elbasanit, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Ngarkohen ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Elbasanit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)