Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli priti në takim në Ministrinë e Mbrojtjes Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Jens Stoltenberg. Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me sfidat aktuale të sigurisë me të cilat po përballet sot Aleanca, ku ministrja Kodheli theksoi se Shqipëria do të jetë e gatshme për mbrojtjen kolektive

“Shqipëria do vijojë të rrisë gatishmërinë për mbrojtjen kolektive. Të jemi vigjilentë për adresimin e çështjeve shqetësuese si terrorizmi dhe migracioni”-tha Kodheli
Kodheli siguroi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, se, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të vazhdojnë të rrisin gatishmërinë e tyre, në mbështetje të mbrojtjes kolektive, si dhe në detyrat e tjera kryesore të NATO-s.
 
“Rritja e Buxhetit të Mbrojtjes për vitin 2016 në masën 12%, është një arritje e madhe për Forcat e Armatosura,  - nënvizoi znj. Kodheli, - pasi ky është një tregues pozitiv dhe mbështet vendimet e marra në Samitin e Eellsit. Këto para do të përdoren në mënyrë efikase, në veçanti për rritjen e kapaciteteve dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
 
Në të nëjtën linjë, Stoltenberg u shpreh mjaft i kënaqur me këtë trend pozitiv në rritje të buxhetit të mbrojtjes të Shqipërisë. Ai tha se, Shqipëria është një vend i vogël, por me kontribute reale dhe të prekshme në Aleancë.
 
Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj në Forcën e Reagimit të Shpejtë të NATO-s (VJTF) për vitet 2016-2018, në nivel kompanie. Kontributi i Shqipërisë në operacionet dhe misionet e NATO-s, si në Afganistan, në Kosovë etj, ka qenë konsistent dhe tregon besueshmërinë tonë si vend aleat, theksoi më tej ministrja e Mbrojtjes Kodheli.
 
Ftesa e bërë Malit të Zi lidhur me bisedimet për pranimin e saj në Aleancë, ishte një tjetër çështje në të cilën u ndalën dy zyrtarët e lartë, të cilët e cilësuan si një  hap i fortë dhe pozitiv për rajonin. Shqipëria ka mbështetur plotësisht këtë vendim dhe do të vazhdojë të mbështesë Politikën e “Dyerve të Hapura” të Aleancës.

Në lidhje me zhvillimet në Kosovë, ministrja Kodheli dhe kreu i NATO-s Stoltenberg nënvizuan rëndësinë e vazhdimit të misionit të KFOR-it në Kosovë, duke ndjekur situatën në terren dhe jo një kalendar të caktuar kohe. Gjithashtu, Shqipëria beson në hapjen e një faqe të re të bashkëpunimi NATO-Kosovë. Për sa i përket dialogut me Serbinë, pala jonë theksoi se ky dialog duhet të jetë i sinqertë, i hapur, por në të njëjtën kohë i kujdesshëm, në lidhje me disa kërkesa apo propozime nga pala serbe. 
 
Duke u ndalur tek terrorizmi dhe emigracioni si çështje mjaft shqetësuese për shoqërinë në të cilën jetojmë, u theksua se vendet aleate duhet të jenë vigjilentë për adresimin e këtyre kërcënimeve. Kryerja e analizave strategjike, ndjekja dhe monitorimi i situatës, shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi me Bashkimin Evropian do të ishin mjete të cilat do të na ndihmonin në këtë situatë emergjente, - theksoi ministrja Kodheli.
 
Në fund, ministrja e Mbrojtjes Kodheli i theksoi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg, përpjekjet që po bëhen për krijimin e Qendrës së Ekselencës në Shqipëri, për adresimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj. Kjo iniciativë ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga shumë aleatë, partnerë dhe autoritete ushtarake (si SACEUR). Nga ana e tij, z. Stoltenberg e mirëpriti këtë propozim dhe theksoi se mbetet i hapur për më shumë informacione dhe për diskutime të mëtejshme.