“Policët janë shembull për një brez të tërë fëmijësh. Ky është një kod shumë i fortë sjelljeje. “Punonjësit e Policisë nuk duhet të pijnë duhan, të merren me bixhoz, apo të influencohen nga politika, apo provokimet e ndryshme”, tha në çelje të fjalës së tij, Diplomati amerikan, Donald Lu.
Sipas tij, shumë fëmijë ëndërrojnë të bëhen policë, por gjatë rritjes, shohin se punonjësit e policisë, nuk janë modeli që ëndërronin. “Ky është një kod shumë i fortë sjellje, i cili do t’i vijë në ndihmë punonjësve të policisë për të krijuar një model sjellje në rradhët e Policisë. Do të ishte i pakuptimtë, nëse policët nuk e kuptojnë dhe për këtë debati është i rëndësishëm”, tha më tej Donald Lu.
Ai tha se, Policia ka sfidat e saj në luftën kundër narkotikëve, vrasjeve dhe krimeve të rënda, por hartimi përfundimtar i këtij kodi do rregullojë punën e tyre. “Më pëlqen shumë, që ky kod mban zotimin se policët nuk do pijnë duhan, alkool dhe nuk do luajnë kumar kur janë në detyrë, ky është një model për të gjithë. Ju refuzoni korrupsionin, dhuratat e të gjitha llojeve, diskriminimin dhe ndikimin politik”, theksoi Lu në fjalën e tij.
Ambasadori Amerikan vlerësoi dhe faktin se ky dokument po diskutohet në radhët e policisë dhe është mjaft pozitiv fakti se Ministria e Brendshme ka marrë një angazhim të rëndësishëm për të trajnuar 12 mijë punonjësit e policisë së shtetit për këtë kod, duke ju ofruar mundësinë e bashkëbisedimit në lidhje me të.
Sakaq gjatë fjalës së tij ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se kapaciteti për të luftuar korrupsionin jashtë në shoqëri dhe për të shkruar tek zyrtarët e lartë, duhet të fillojë nga lufta kundër korrupsionit brenda policisë.
“Të luftosh krimin, ëhstë një gjë, dhe të luftosh veset është po aq e rëndësishme. Shpresoj që ky kod etike nuk do jetë vetëm një deklarat parimesh apo dokument. Po është detyra juaj ta bëjë atë të gjallë, që i qëndron kohës. Ky kod etik është kushtetuta etike e punonjësve të policisë. Lind detyra për secilin prej jush, që nëpërmjet trajnimeve intensive ky kod të brendësohet dhe të kthehet në modelin standard,” tha Tahiri.
Sipas ministrit të Brendshëm arrestimi i krimineleve te liruar nga drejtesia e korruptuar eshte sfida e policise sot. “Ne kemi nevojë për punonjës që t’i binden vetëm një rregulli. Kushtetuta, ligji dhe kodi etik në Policinë e Shtetit. Kodi i etikës shërben për të vendosur këto standarde që ndihmojnë secilin prej jush të fitojë idealin e të bërit detyrën për qytetarët. Unë e kuptoj që të jesh punonjës policie sot nuk është e lehtë. Përveç rrëmujës së përditshme që dëgjohet në televizor, me akuza të paimagjinueshme rreth Policisë së Shtetit, ju keni edhe një sfidë më të madhe në rrugë, përballë paligjshmërisë dhe kriminalitetit, që shpesh edhe me një telefon, krijon kontakte me zyrtarë apo me njerëz, që përpiqen t’i japin imunitet paligjshmërisë edhe kriminalitetit. Por edhe një vështirësi tjetër, tërësisht të padrejtë, kriminaliteti që rikthehet pas në shoqëri, për shkak të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Dhe kjo është një vështirësi e dytë e juaja, për të luftuar të njëjtët kriminel që i arrestuat një herë dhe që drejtësia e korruptuar jua sjell mbrapsht. Kjo rrezikon shoqërinë, kjo sigurisht e bënë më të vështirë punën e policisë, por kjo është sfida sot. ” shtoi më tej Tahiri.
Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm , Saimir Tahiri
Dua të filloj dhe unë atje ku e filloi Ambasadori, lidhur me ëndrrën gjerësisht të shpeshtë të fëmijëve për të idealizuar punonjësin e Policisë së Shtetit. Besoj ka qenë ëndrra e secilit prej jush në momentin kur keni aplikuar, kur jeni regjistruar, kur keni fituar dhe kur keni filluar shkollën e policisë. Sfida është që kjo ëndërr të mbetet gjallë edhe në momentin kur fillon hedh hapat e parë të karrierës si punonjës policie edhe nuk është sfidë e vogël. Sepse shikon shpesh që realiteti që gjen në Policinë e Shtetit, duke filluar nga uniforma, nga vendi ku bën punën, nga kolegu që gjen në krah, nga eprori, nga marrëdhënie me qytetarin, nuk është ajo që shpesh ke ëndërruar.
Eshtë kjo arsyeja pse përtej vështirësive të ditës për secilin prej jush dhe përtej vështirësive të padrejta të diktuara për shkaqe të tjera, kërkohet më shumë vullnet nga secili prej punonjësve të Policisë dhe mbi të gjitha promovimi i shembujve pozitivë të suksesit.
Policia e Shtetit nuk mund të instalojë besimin te publiku në rast se nuk mund të instalojë standardet më të larta të performimit në detyrë. Dhe në qoftë se të luftosh krimin është një gjë, të luftosh veset dhe problemet brenda Policisë së Shtetit, është një gjë tjetër, sipas meje po aq e rëndësishme.
Dhe është kjo arsyeja pse unë dua të falënderoj pa masë Misionin ICITAP, të gjithë partnerët tanë, Ambasadën e SHBA-ve që na kanë ndihmuar të hartojmë një kod të ri etike për punonjësit e policisë. Që nuk do jetë vetëm një deklaratë parimesh apo një dokument që rrezikon të mbetet në letër. Por është detyra juaj, detyra e drejtuesve të policisë, por mbi të gjitha detyra e çdo punonjësi policie ta bëjë Kodin e Etikës një dokument të gjallë, një dokument që i qëndron kohës pikërisht pse qëndron brenda jush, me besimin që duhet të ketë secili prej jush në detyrën që bën dhe me vetëdijen se nëpërmjet detyrës mund të ndërtojë një marrëdhënie partneriteti me qytetarët.
Ky kod është kushtetuta etike e punonjësve të policisë. Dhe është kjo arsyeja pse lind detyra për secilin prej jush dhe për menaxhimin e Policisë së Shtetit që nëpërmjet trajnimeve intensive ky kod të brendësohet dhe të kthehet në modelin standard të punës për secilin punonjës policie. Kjo do të thotë që ta fillosh nga sjellja personale. Ne e dimë që qytetarët nuk do të donin të shihnin një punonjës policie në rrugë që pi duhan. Ne e dimë që qytetarët absolutisht nuk do të donin të shihnin një punonjës policie që në detyrë, luan bixhoz! Ne e dimë që qytetarët nuk do të donin të shihnin një punonjës policie në detyrë që nuk respekton uniformën e tij.
Ashtu siç dimë me më shumë arsye që është e domosdoshme të ruajmë integritetin e punonjësve të policisë.
Kapaciteti për të luftuar korrupsionin jashtë në shoqëri dhe për të shkuar deri te zyrtarët e lartë, fillon nga lufta kundër korrupsionit brenda policisë dhe brenda agjencive ligjzbatuese në tërësi. Dhe që kjo të ndodhë, duhet patjetër të rritet vetëdija e çdo punonjësi policie për të mbajtur veten larg nga korrupsioni, por për të shërbyer vetë si siguresë garancie që as kolegu të mos bjerë pre e korrupsionit.
Mua nuk më vjen mirë që deri më sot nuk e kemi kalitur sa duhet instinktin e të ruajturit njëri-tjetrin larg nga korrupsioni. Njoftimet e punonjësve të policisë për praktika korruptive në institucionin ku punojnë, janë thuajse zero!
Kjo nuk do të thotë që ju pajtoheni, por do të thotë që duhet rritur vetëdija për ruajtur njëri tjetrin nga çdo ves apo nga çdo problem apo qasje kriminale që mund të cenojë punën e gjithsecilit prej jush. Ne kemi bërë shumë këto dy vjet për të rritur besimin e publikut te Policia e Shtetit. Kemi zhvilluar qasje njerëzore të policisë ndaj publikut duke u munduar t’i japim fytyrën e njeriut dhe të qytetarisë punonjësit të policisë përballë qytetarit. Por një punonjës policie, që sillet keq me një qytetar, dëmton punën kolosale që mund të bëjnë shumë të tjerë.
Ndaj përpjekja për të mbajtur larg të tillë kolegë të papërshtatshëm fillon më së pari nga secili prej jush. Kodi i etikës shërben për të vendosur këto standarde, që ndihmojnë më së pari secilin prej jush të fitojë atë betejën e vogël që duhet ta fitojë secili prej jush çdo ditë. Të fitojë idealin e të bërit detyrën me qytetarët me besimin që i ka dhënë shoqëria për të qenë punonjës i Policisë së shtetit shqiptar.
Unë e kuptoj që të jesh punonjës policie sot nuk është e lehtë. Përveç rrëmujës së përditshme që dëgjohet në televizor, me akuza të paimagjinueshme rreth Policisë së Shtetit, ju keni edhe një sfidë më të madhe në rrugë, përballë paligjshmërisë dhe kriminalitetit, që shpesh edhe me një telefon, krijon kontakte me zyrtarë apo me njerëz, që përpiqen t’i japin imunitet paligjshmërisë edhe kriminalitetit. Por edhe një vështirësi tjetër, tërësisht të padrejtë, kriminaliteti që rikthehet pas në shoqëri, për shkak të korrupsionit në sistemin e drejtësisë.
Dhe kjo është një vështirësi e dytë e juaja, për të luftuar të njëjtët kriminel që i arrestuat një herë dhe që drejtësia e korruptuar jua sjell mbrapsht. Kjo rrezikon shoqërinë, kjo sigurisht e bënë më të vështirë punën e policisë, por kjo është sfida sot. Të jesh punonjës policie nuk është punë si çdo punë, është mision sublim!
Ju jeni punonjës të rinj të Policisë së Shtetit, para pak muajsh keni filluar detyrën. Edhe unë e di që është sot vështirë të ruani të njëjtën ëndërr, që keni pasur ditën e parë kur filluat shkollën. Edhe unë e kuptoj që ajo që keni gjetur në Policinë e Shtetit nuk është ajo që keni menduar, nuk është ajo që keni pritur! Jua kam thënë që ditën e parë se ju duhet të jeni më të mirë se ata që gjeni, ju duhet të tregoni forcën e shembullit për të bërë punën me besimin tek parimet kryesore dhe tek ideali dhe tek ëndrra që ju solli deri këtu!
Kodi etik përcakton edhe kriteret standard sipas të cilave punonjësi i policisë duhet të ketë integritet dhe duhet të mbajë larg çdo qasje të paligjshme apo kriminale. Deri tek njoftimi i eprorit në rast se një familjar i tij kryen një vepër penale të rëndë. Kjo sepse ne kemi nevojë për punonjës policie që të kenë vetëm një rregull, t’i binden vetëm një rregulli - kjo është kushtetuta, ligji dhe kodi i etikës në Policinë e Shtetit.
Kjo është shumë e rëndësishme, kjo kërkon vetëdije të lartë prej jush, kërkon besim maksimal dhe kërkon që ju të bëheni zëdhënësit më të parë të shembullit pozitiv në Policinë e Shtetit, duke luftuar traditën historike deri më sot, duke luftuar gjithkënd që jua bën më të vështirë detyrën.
Është kjo e vetmja mënyrë për të bërë Policinë e Shtetit që duam. Shumë prej jush janë krenar kur Policia e Shtetit bën sukses. Shumë prej jush nuk ndihen mirë kur një punonjës policie dëmton imazhin e punonjësit të policisë, por të gjithë ju keni një zë mjaft të fortë dhe një kontribut mjaft deciziv për ta bërë Policinë e Shtetit atë që presin qytetarët.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)