Për Partinë Demokratike, qeveria ka dështuar përballë situatës së krijuar me koronavirusin.  Gazmend Koduzi, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD në një intervistë për Report TV me gazetaren Danjela Maloku, duke iu referuar një deklaratë të bërë nga Kreu i Urgjencës, Skënder Brataj tha se qeveria e ka pranuar dështimin dhe tani i ka mbetur vetëm të monitorojë.

Për Koduzin dy janë hapat e rëndësishëm që qeveria duhet të marrë, të mbrojë sistemin shëndetësor dhe qytetarët.

"Sot po lexoja një intervistë të dr. Brataj, që është drejtori i Urgjencës Mjekësore, fatkeqësisht aty vura re që nëpërmjet kësaj intervistë të një drejtuesi të lartë të një institucioni shëndetësor, qeveria pranon dështimin e saj përballë kësaj situate. Dr Brataj thotë se jemi në situatën e transmetimit komunitar. Pra qeveria nuk ka çfarë të bëjë përveçse të monitorojë.  Në raportin e OBSH të datës 7 korrik, Shqipëria klasifikohet si vend me vatra infeksioni, pra jo me transmetim komunitar. Kemi dy realitete të ndryshme. Sipas PD qeveria duhet të përgatisë një plan ku të ketë parasysh disa pika: E para të shpëtojë sistemin shëndetësor. Në maj kur u hap shoqëria ishte QSUT që u kthye në burim infeksioni. Institucionet shëndetësore po bien dhe duhet të marrë masa që të ruajë sistemin shëndetësor.  E dytë duhet të marrë masa për mbrojtjen e qytetarëve. Qeveria duhet të marrë masa që ti pajisë qytetarët me maska. Këtu janë dy gjëra thelbësore", u shpreh Koduzi për Report TV.

Një tjetër shqetësim që ngre Partia Demokratike është mungesa e triazhimit të pacientëve dhe të personelit mjekësor.

"Sot nuk ka protokolle të triazhimit të pacientëve por edhe të personelit mjekësor. Duhet bërë tamponi i të gjithë sistemit shëndetësor për të parë kush është i infektuar dhe kusjh jo. Duhet të bëhet tamponi i të gjithë pacientëve që hyjnë në spital dhe ata që dalin nga spitali.  Duhen edukuar qytetarët shqiptarë.  Populli duhet të jetë pjesë e kësaj pune", u shpreh Koduzi.  

Nga ana tjetër, Koduzi tha se nga Partia Demokratike ka dalë një udhëzim, ku në çdo takim do të duhet të respektohen masat e distancimit social.  I pyetur nëse do të rikthehen kufizimet Koduzi u shpreh: "Për kufizimit mos i shkojë ndërmend njeriu, ndërsa maska në ambientet e mbyllura duhet të jetë e detyrueshme".