Zyra e Deputetit socialist në Sarandë, Koço Kokëdhima ndërsa dënon ngjarjen e  Sarandës duke e cilësuar edhe si një ndodhi të ulët ka sqaruar se Agron Cane nuk ka qenë asnjëherë sekretar për punësimet dhe as mëkëmbës i deputetit në Sarandë.
 
Zyra e deputetit Kokëdhima sqaron gjithashtu se Cane ka qenë një nga disa aktivistët e zyrës, i caktuar me detyrën të dëgjojë ankesat dhe kërkesat e qytetarëve të zonës. Po ai ishte dorëhequr nga angazhimet pranë kësaj zyre, për arsye personale, në mes të korrikut 2014.
 
“Veprimi i shëmtuar dhe implikimi i Agron Canes në këtë ndodhi të ulët dhe të rëndë është thellësisht i dënueshëm. Ne distancohemi kategorikisht nga veprime dhe sjellje të tilla perverse e të sëmura.”- thuhet ndër të tjera në deklaratë.
 
Prania e Canes në zyrë pas datës 15 korrik ka qenë në mënyrë sporadike për efekt të dorëzimit të detyrës dhe dokumentacionit.

“Deri në momentin që Agron Cane u rekrutua ndër aktivistët e zyrës tonë ai nuk ka qenë i njohur personalisht nga deputeti Kokëdhima, por është rekomanduar nga drejtuesit më të lartë lokalë në Sarandë.” – thuhet më tej në deklaratë.
 
Reagimi i Plotë i Zyrës së Deputetit të PS në Sarandë, Koço Kokëdhima 
I bëjmë me dije qytetarëve se kemi ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh ngjarjen e shëmtuar të bërë publike sot në orët e para të mëngjesit, lidhur me shtetasin Agron Cane, i cili ka qenë i angazhuar në zyrën tonë për disa muaj.
  
Veprimi i shëmtuar dhe implikimi i Agron Canes në këtë ndodhi të ulët dhe të rëndë është thellësisht i dënueshëm. Ne distancohemi kategorikisht nga veprime dhe sjellje të tilla perverse e të sëmura.
 
Njëkohësisht dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e publikut për të mos rënë pre e spekulimeve politike e mediatike rreth kësaj ngjarjeje.
 
Sqarojmë se Agron Cane nuk ka qenë asnjëherë sekretar për punësimet dhe as mëkëmbës i deputetit në Sarandë. Ai ka qenë një nga disa aktivistët e zyrës tonë, i caktuar me detyrën të dëgjojë ankesat dhe kërkesat e qytetarëve të zonës.
 
Ai nuk ka pasur asnjë kompetencë dhe nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në ndonjë proces punësimi me vullnetin dhe vendimmarrjen e tij.
 
Detyra e tij ishte të regjistronte kërkesat dhe ankesat e qytetarëve, të plotësonte dokumentacionin e nevojshëm dhe mbështetës dhe t’ia përcillte këto zyrës qendrore të deputetit në Tiranë.  
 
 
Denoncuesja e ngjarjes O.G, në fillim të këtij viti, ka kërkuar ndihmë pranë zyrës tonë për punësim dhe zyra jonë ka ndërmjetësuar punësimin e saj pranë kompanisë private të biznesmenit K.Lapa në Sarandë.
 
Ajo ka punuar atje gati gjashtë muaj, deri para një muaji, kur është pushuar nga kompania në fjalë.
 
Vetë Agron Cane është familjar, 61 vjeç, me arsim të lartë dhe me karrierë të spikatur në ushtri, ka qenë komandant brigade. Në qytetin tonë është i njohur si një person serioz.
 
Deri në momentin që Agron Cane u rekrutua ndër aktivistët e zyrës tonë ai nuk ka qenë i njohur personalisht nga deputeti Kokëdhima, por është rekomanduar nga drejtuesit më të lartë lokalë në Sarandë.
  
Agron Cane kurrë nuk është dyshuar dhe nuk është konstatuar përpara kësaj ngjarjeje të ketë manifestuar sjellje të tilla të turpshme të një personaliteti të dyfishtë.
 
Gjatë muajve që Agron Cane ka qenë i angazhuar pranë zyrës tonë, nuk na rezulton të ketë patur as edhe një ankesë nga qytetarët për ndonjë sjellje negative të tij.
Për më tepër informojmë se Agron Cane është dorëhequr nga angazhimet pranë zyrës tone, për arsye personale, në mes të korrikut 2014.
 
Nga data 15 korrik e këtej ai ka qenë në zyrë në mënyrë sporadike për efekt të dorëzimit të detyrës dhe dokumentacionit. Ai ka qenë aktiv dhe i përfshirë në disa aktivitete e takime të zyrës tonë në zonë gjatë muajit të fundit.
  
Ne shprehim keqardhjen tonë të thellë për çdo të lënduar padrejtësisht, drejtpërdrejt ose indirekt nga kjo ngjarje e këto veprime.
 
Duam gjithashtu të sigurojmë publikun se kjo ngjarje e rëndë nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën e punës së jashtëzakonshme që bëhet nga deputeti Kokëdhima dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij të shumtë në Sarandë, për t’u shërbyer qytetarëve me vendosmëri e ndershmëri.
 
Zyra jonë mbetet shumë e interesuar dhe do të bëjë gjithçka të mundur për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)