'Koka' e projekteve arkeologjike në Durrës! Zbulimet, në Amfiteatër si me Velierën? Plani i Menaxhimit drejt finales, Miraj: Jo privatit

Ministritë e tjera të linjës, po japin mendim, pas konsultimit publik të Planit të Menaxhimit të Zonave Arkeologjike A & B të në Durrës në faqen e Ministrisë së Kulturës. Ndërsa në dëgjesën publike të mbajtur rishtazi në Muzeun Arkeologjik, grupet e interesit pretenduan se nuk ishin lajmëruar.  Ndonëse në menaxhimin e zonave, Ministria e Kulturës thotë se do të jetë aktori kryesor, dyert i lihen të hapura edhe privatit e organizatave jofitimprurëse.

“Jam totalisht kundër dhënies në administrim enteve private të këtyre pasurive kombëtare që janë të mrekullueshme. Askujt nuk i ka shkuar në mendje të japi në administrim Akropolin e Athinës, apo qytetin e Pompeit, apo Koloseun”, shprehet arkeologia, Lida Miraj.

Ministrisë së Kulturës iu kërkua nga studiuesit të definohet, roli i Instituti Arkeologjik në këtë Plan. Si do të shqyrtohen projektet e gërmimit që do të ndërmarrë ky institucion, si dhe ato të ndërmarra nga privati. Në një kohë që në plan përmenden mosmarrëveshjet me bashkinë që lëshon leje ndërtimi, duke krijuar një lloj presioni, për Institutin që kryen gërmime shpëtimi të shpejta.

“Projektet arkeologjike të Institutit të Arkeologjisë , paraqiten pranë Ministrisë së Kulturës, në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Ne kemi një listë të gjatë kërkesash për kërkimet shkencore për projekte të ndryshme që sjella nga Instituti, ato shikohen nga Këshilli dhe miratohen. Është i njëjti Këshill ku kalojnë edhe projekte të tjera dhe të ndërhyrjeve private ose të ndërhyrjeve publike. Pra të gjitha këto do të koordinohen nga një kokë e vetme. Pra nëse do të kemi një kërkesë për një gërmim arkeologjik, ai patjetër do të vijë tek Ministria e Kulturës. Dhe nëse Ministria e Kulturës do të shikojë se nuk pjesë e një plani të gjerë patjetër do ta shtyjë në kohë”, thotë Margariti.

Kritika specialistja Lida Miraj, ka dhe sa i përket ndërhyrjeve restauruese të monumenteve në vend, qoftë edhe në zonat arkeologjike.

“Në Ministri, është edhe Instituti i Monumentit të Kulturës (sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore) që historikisht ka qenë në varësi të ministrisë së kulturës dhe aty s’ka specialistë”, thotë Miraj.

Menaxhimi, ekspozimi i mëtejshëm i artefakteve që do të gjenden nga privati, është një tjetër pikë që kërkon detajime. Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se sot nuk ka ende një studim se ku do të gërmohet sa i përket Amfiteatrit. Ndërsa mbulimin e zbulimeve, si në rastin e Velierës, e konsideroi si një nga mënyrat më të mira të konservimit, duke e lënë të hapur edhe për zonat Arkeologjike.

“Lidhur me Amfiteatrin, ne ende sot nuk kemi një studim se ku do të gërmohet. Por është e qartë që është objekt studimi, do vazhdojmë ta studiojmë, të bëjmë gërmime, dhe do vazhdojmë të kuptojmë nëse ato gjetje duhet të jenë gjetje që do të duhet ti lihen kohës të konservohen apo do të duhen të mbulohen përsëri për tu konservuar nga vetë toka”, thotë ministrja e Kulturës.

“Unë vetë kam gërmuar në Amfiteatër nga 1983-2000. Madje ne kemi zbuluar edhe një kapelë tjetër të shekullit të XIII, që ka qenë e dekoruar me afreske shumë të bukura. Dhe para disa vitesh dikush vuri një gomë, e dogji dhe u dëmtuan të gjithë afresket. Amfiteatri ka problem dhe me ujin. Psh. Mozaikët, poshtë shtresës së mozaikëve ka afreske te kapela bizantine janë me shumë lagështirë dhe kjo sjellë shumë degradim. Duhen mënyra të ndryshme eliminimin e lagështisë, konsolidimin për restaurimin etj etj. Janë bërë punime restaurimi që janë përdor llaç çimento dhe sa herë shkoj me studentët më prishet gjaku dhe u them: Këtu shihni, si nuk duhet restauruar!”, shprehet Miraj.

Në hapësirën e Amfiteatrit janë parashikuar të shpronësohen përgjatë 5 fazave 80 objekte, aktualisht Bashkia Durrës ka trajtuar 12 prej tyre. Plani i menaxhimit pritet të finalizohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky Plan është financuar nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, që njëherazi është caktuar si njësi ekzekutuese për ndërtime, restaurime të objekteve në zonën e re për zhvillim.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arkeologu: 22/09/2022 08:25

    Ne Stamboll te gjitha objektet historike si objekte kulti rruge te vjeta etj kishin tabela ku shkruheshe Monument kulture mbrohet nga shteti kurse tek ne shkruhet Monument kulture mbrohet nga privati.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë