TIRANE,9 Mars / ATSH/ - Ministri i Mjedisit, Lefter Koka priti sot Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu.
Gjatë takimit të dyja palët diskutuan rreth çështjeve mjedisore në vend.
Ministri Koka e njohu Ambasadorin Lu me arritjet e deritanishme në fushën e mjedisit duke vënë theksin në realitetin e dikurshëm mjedisor dhe punën që është bërë për ta ndryshuar këtë realitet dhe për ta sjellë në qendër të vëmendjes.
Ministri Koka shpjegoi masat e marra që në fillim të mandatit qeverisës në përputhje me kushtet e caktuara në progres raportin e Bashkimit Europian.
Ministri i Mjedisit informoi Ambasadorin Lu mbi reformën administrative, duke ndarë menaxhimin nga kontrolli që ndikon drejtpërsëdrejti në frenimin e korrupsionit.
Në kuadër të kësaj reforme u krijuan Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, dhe së fundi Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, krijuar edhe si një kërkesë e Bashkimit Europian dhe e donatorëve.
Duke iu përgjigjur interesit të Ambasadorit Amerikan rreth monitorimit të cilësisë së ajrit, Ministri Koka theksoi se Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka 6 laboratorë dhe monitoron cilësinë e ajrit duke raportuar online të dhënat.
"Në bashkëpunim me ministritë e linjës, po përgatisim një projektligj për ndotjen e shkaktuar nga makinat për të arritur standardet europiane "- tha ndër të tjera Ministri Koka.
Ambasadori Lu vlerësoi rezultatet e moratoriumit dhe punën e bërë gjatë një viti për të frenuar zhdukjen e faunës së egër në vendin tonë si pasojë e gjuetisë së pakontrolluar.
Në të gjitha arritjet e deritanishme, Ministri Koka theksoi se në punën për një mjedis me standarde të larta, është e nevojshme përfshirja e të gjithë qytetarëve të cilët meritojnë një mjedis të denjë.
"Ne jemi nje popull vital dhe punëtor, por për 23 vite politika e ka shfrytëzuar vendin për interesat e saj. Jemi të vendosur të ndërtojmë një politikë në shërbim të qytetarëve."- tha Ministri Koka.
Në fund të takimit Ministri Koka i dhuroi Ambasadorit Lu, botimin "Rikthimi i jetës - 1 vit moratorium i gjuetisë", një përmbledhje e rezultateve të arritura deri më sot në fushën e faunës së egër si pasojë e vendosjes së Moratoriumit./a.g/