Kokaina, ja përgjimet mes Ermal
Hoxhës e trafikantëve të dyshua

Kokaina, ja përgjimet mes Ermal<br />Hoxhës e trafikantëve të dyshua
TIRANE - Anëtarët e bandës së trafikut të kokainës që përpunohej në laboratorin e zbuluar më 14 Janar nga Policia e Shtetit në Xibrakë, komunikonin në telefon me njëri-tjetrin përmes kodeve. A1 Report dhe Shqiptarja.com sjellin sot të plotë transkriptet e bisedave të përgjuara të cilat janë provë në dosjen e prokurorisë kundër  9 të arrestuarve për trafikun e Kokainës nga Kolumbia e që përmes përpunimit në laboratorin në Elbasan, trafikohej në vendet e Evropës Perëndimore.

Në përgjimet e bisedave mes të dyshuarve, rezulton edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, i cili ndodhet në arrest me burg si pjesë e këtij trafiku.

Komunikimi telefonik mes Ermal Hoxhës me numrin 069xxx949 dhe numrit 069xxxx975, që dyshohet se është në përdorim nga Arjan Dalipi, gjithashtu i arrestuar nga Policia, është përgjuar në datën 13 Janar të këtij viti dhe 14 Janar, ditë kur policia kreu arrestimet e anëtarëve të dyshuar të grupit kriminal.

Mëngjesin e 13 janarit, Ermal Hoxha njofton Dalipin se ishte duke shkuar për tek ai, por ky i fundit përmes fjalëve të koduara që banda kishte zgjedhur për të shmangur cdo dyshim, i thotë se “kanë ngrirë tubat, nuk i lajmë dot qentë sot”. E megjithatë nipi i ish-diktatorit i thotë “ja se po vij unë”.

Nga përgjimet telefonike është zbuluar edhe komunikimi me dy të arrestuarit e tjerë, Gentjan Gjonaj nga Vlora dhe Kelmend Dalipit nga Elbasani, vëlla me Arjanin.

Pergjimi/ Ja bisedat e plota
Biseda e datës 13.01.2015 ora 9:21, Ermali përmes numrit telefonik 069xxx949, njofton përdoruesin e nr tek 069xxxx975, që dyshohet të jetë në përdorim nga Arjan Dalipi, se ishte duke shkuar për tek ai, ndërsa ky i fundit, në mënyrë të koduar e njofton se nuk mund të punonte, konkretisht:

Ermali: Keni ftoht, apo nuk keni ftoht?
Arjani: Kan ngri sot, a akull sot. Kanë ngri markuçët, nuk i lajm dot qent sot.
Ermali: Eee, mir hajd ja po vij unë.

Në datë 13.01.2015, në orën 10:54 përdoruesi i nr 069xxx888 i kërkoi Ermalit që të shkonte të merrte personin dhe të takoheshin të gjithë së bashku:

+888: Dëgjo mua, shko merre ti.
Ermali: Po.
+888: Edhe sille të klubi, te shtëpia. Thuj S. të vij aty e takohemi aty poshtë të gjith.

Në datën 14.01.2015 ora 09:05 përdoruesi i nr. 069xxxx888 i kërkoi Ermalit, që të njoftonte personin për ta takuar në vendin ku ishin takuar më parë me Klemin dhe Dakun:

+888: Lidhu pak me Klemin.
Ermali: Me vllain.
+888: Lidhu pak me vllain dhe thuj të më dali aty ku kam qenë me Klemin dhe Dakun për herë të fundit.

Në bisedën e datës 14.01.2015 ora 09:08, prdoruesi i nr. 069xxxx975, i dyshuar si Arjan Dalipi i sugjeron Ermalit që personat të cilët nuk kishin mundësi të lëviznin të komunikonin me Klemin:

Arjani: E s’kan me ça vin, po ku di gja un, t’llafosim me Klemin, pyete njëher.
Ermali: Eee, ose thuj Klemit po qe t’shkoj aty tek kafja, ku ishim atë ditë.
Arjani: E di Klemi?
Ermali: Po Klemi ka qenë aty me Dakun dhe me këtë t’shëndoshin.

Në një bisedë të orës 09:23 nga përmajtja e bisedës mes numrave që dyshoheshi të ishin në përdorim nga Ermali dhe Arjani flitet për fuoristratën me ngjyrë gri:

Ermali: Me fuoristratën është ku di gjë un.
Arjani: Me fuoristrëdën ësht?
Ermali: Eee me grin.

Në bisedën e datës 14.01.2015 ora 09:46 përdoruesi i numrit telefonik 067xxxx189, i dyshuar si Gentian Gjonaj njofton përdoruesin e nr. telefonik 068xxxx645, i dyshuar në përdorim nga Kelmend Dalipi:

Gjonaj: Ore, të priste ai shoku ty aty tek macet.
Kelmend: Ku ça veni?
Gjonaj: Ore te macet, atje ku je takuar ti në fillim një herë me Dakun.

Gjonaj: E, te “F…”
Kelnend: Ja se po iki unë direkt.

Në bisedën e datës 14.01.2015, përdoruesi i nr. telefonik 067xxxx189, i dyshuar si Gentian Gjonaj, komunikon me nr tek 069xxxx575, duke iu drejtuar me emrin Bali (emri tjetër me të cilin njihej Hysenaj) :

Gjonaj: Hajde vishi, po hiç o ktu në qendër jemi ne, po vijmë andej hajt. Vishu ti e bëhu gati kur të bëj unë zile dil te rruga.
Bali: Atu tek kafja, aty tek “E…” aty.

Në bisedën e datës 14.01.2015 ora 11:03, Gentian Gjonaj i kërkon përdoruesit të nr. telefonik 069xxxx949, Ermalit të shkonte dhe t’i merrte:

Gjonaj: Jo te dërrasat, shko atje drejt merri.
 
Rezultoi se në orën 15:25 shtetasi Ilir Hyseni doli nga lokali “Z… K…” ndodhur në rrugën “Konferenca e Pezës” dhe hipi në automjetin fuoristradë ML me targa AA…KM e lëvizi duke mbërritur tek servis “H… S…”, ndodhur në rrugën “Thimi Keit”. Aty u takua me shtetasin Kastriot. Tek servisi, në orën 15:47 u parkua automjeti “Volvo” me ngjyrë gri me targa AA…KO, nën drejtimin e Ermalit, ndërsa në ambjentin e servisit ndodhej automjeti me targa TR…H. Pasi zbriti nga mjeti, Ermali u takua me Ilir Hysenin dhe Kastriotin. Të tre shtetasit, pasi u ndanë nga njërit tjetri, hipën në mjetet e tyre, Iliri në mjetin me targa AA … KM, Ermali në mjetin me targa AA … KO dhe Kastrioti ne mjetin me targa TR … H. Të tre mjetet ndaluan në rrugën "Hamdi Cenoimeri" dhe u futën në një lokal pa emër. Në orën 20.20 Ilir Hyseni dhe Kastrioti ndodheshin të ulur në ambientet e lokal “G…" të ndodhur në rrugën “Komuna e Parisit". Aty shkoi Ermali dhe u ul me ta në lokal. Në orën 20.40 Ermali doli nga lokali dhe lëvizi me mjet në drejtim të rrugës “Sulejman Delvina”. Në orën 20.50 ai erdhi me mjetin “Volvo” në lokal dhe nga mjeti zbriti edhe një person i moshës 40 vjeç me flokë të shkurtra, veshur me xhup të zi. Të dy personat u futën në lokal dhe u ulën në tavolinë së bashku me Ilirin dhe Kastriotin. Më pas ata dolën nga lokali dhe u larguan, Ermali dhe personi i moshës rreth 40 vjeç së bashku me mietin "Volvo", me targa AA … KO, ndërsa Iliri e Kastrioti së bashku me mjetin me targa AA … KM.

Në orën 10.15 në hyrje të qytetit të Elbasanit u konstatua automjeti i markës "Volvo", me targa AA … KO, me drejtues shtetasin Ermal i cili lëvizi në drejtim të aksit Elbasan - Librazhd. Në orën 10.40, mjeti mbërriti në hyrje të kapanoneve të ndodhura në fshatin Xibrakë. Në orën 10.45 mjeti doli nga ambjentet e kapanonit dhe në sediljen e parë, ndodhej i ulur një person ezmer, me flokë të shkurtra të zeza, veshur me xhup lëkure dhe në sediljen e pasme një person tjetër, veshur me xhup me ngjyrë kafe. Në orën 11.00 mjeti lëvizi në autostradën Elbasan- Tiranë.

Në orën 11.40 ai mbërriti në rrugën "Milto Tutulani". Nga mjeti zbritën Ermali dhe dy personat që ndodheshin në të, njëri i moshës rreth 43 vjeç dhe tjetri i moshës rreth 47 vjeç. Të tre u ngjitën në katin e dytë të një pallati gjashtëkatësh. Pas pesë minutash të tre personat dolën nga pallati dhe hipën përsëri në mjet duke lëvizur në drejtim të rrugës “Komuna e Parisit". Në orën 11.48 mjeti ndaloi në afërsi të loka1 "G..." dhe të tre personat u futën në lokal dhe u ulën në tavolinën ku ndodhej Gentiani dhe një person tjetër i moshës rreth 45 vjeç. Në orën 12.20, nga lokali u largua Gentiani dhe personi i moshës rreth 45 vjeç, ndërsa Ermali dhe dy personat e tjerë drekuan në Bar-Restorant "P... E...". Në orën 12.43, në ambientet e restorantit hyri personi i moshës 45 vjeç që u largua me Gentjanin.

Në orën 12.50, hyri në ambientet e kapanonit, të ndodhur në Xibrakë, mjeti “Volksvagen Sharon”, me ngjyrë gri me targa AA ... DD. Nga mjeti zbriti Ilir Hyseni dhe një person tjetër i moshës rreth 42 vjeç. Derën e hapi një person (roja) dhe të tre lëvizën në drejtim të kapanonit. Në orën 13.10, nga pjesa e kapanonit me dritare të mbylluara doli Ilir Hyseni me dy personat e tjerë dhe një automjet fuoristradë. Të tre personat, pasi biseduan për pak momente, u ndanë. Ilir Hyseni hipi në automjetin me të cilin erdhi, ndërsa personi i moshës rreth 42 vjeç që nxorri xhipin nga kapanoni fillimisht i hapi rrugë automjetit tjetër.

Në orën 13.30 të gjithë personat e ndodhur në Bar-Restorant "P... E..." dolën nga lokali. Ermali dhe dy personat e tjerë, që e shoqëronin, hipën në mjetin "Volvo" dhe lëvizën në rrugën "Komuna e Parisit” ndërsa personi i moshës 45 vjeç me mjetin e tij lëvizi pas mjetit Volvo. Dy mjetet ndaluan para një hoteli në afërsi të rrugës "Gjin Bue Shpata". Personat në "Volvo" zbritën dhe u futën në ambientet e hote1it, ndërsa Ermali vazhdoi lëvizjen drejt Bulevardit "Bajrarn Curri". Pasi tij lëvizi edhe mjeti tjetër.
Në orën 14.15 mbërriti në Tiranë mjeti fuoristradë “Jeep” me targa TR ... T dhe u parkua tek një shesh pallatesh. Në orën 15.05 aty mbërriti mjeti “Volvo” me drejtues Ermalin. Pak minuta më vonë mjeti “Volvo” u largua nga sheshi i pallateve në drejtim të rrugës "Mihal Grameno". Në orën 15.50 u fut në sheshin e pallateve mjeti foristradë me targa AA ... DM, me drejtues personin e moshës 45 me flokë të shkurtra. Në orën 16.35, nga sheshi i pallateve doli mjeti fuoristradë, me targa TR ... T, me drejtues Sajmirin, i cili ndaloi tek Kryqëzimi i Porcelanit ku u takua me dy persona dhe më pas, u kthye përsëri në vendin e parkimit të mëparshëm.

Në orën 17.55, mjeti "Volvo", me targa AA ... KO ndodhej i parkuar në Rrugën "Komuna e Parisit", ndërsa Ermali në ambientet e brendshme të lokal "G...". Në orën 18.07 pranë lokalit shkoi mjeti "Volksvagen Sharon", i drejtuar nga Ilir Hyseni me një person tjetër të moshës 30 vjeç, dhe u futën në ambientet e lokalit. Në orën 18.17 pranë loka1it u parkuan dy mjetet "Benz Mercedes", fuoristradë, me targa AA ... KM dhe "Range Rover", me targa AA ... DM, me drejtues Gentianin. Të dy drejtuesit u futën në lokalin ku ndodhej Ermali. Në orën 18.30, nga lokali u largua drejtuesi i "Range Rover", ndërsa Ilir Hyseni dhe të gjithë personat e tjerë kaluan në ambientet e Restorant "P... E...".
Në orën 19.10 shtetasi Gentian, së bashku me drejtuesin e mjetit person të moshës 45 vjeç me mjetin fuoristradë “ML", mbërriti në Rrugën "Komuna e Parisit" dhe u ul në tavolinë me Ilir Hysenin dhe Ermalin. Në orën 19.29 Sajmiri, me automjetin me targa TR ... T, mbërriti në Bar Restorant "P... E..." dhe u ul në tavolinë me Ilirin. Në orën 19:47, doli nga lokali Ermali dhe personi i moshës rreth 30 vjeç. Në orën 19.55 u larguari Ilir Hyseni dhe B., ndërsa Ermali dhe persona të tjerë qëndruan në lokal.

Në orën 09.45 të datës 14 janar 2015 në mjetin fuoristradë “Jeep", me targa TR ... T të parkuar në rrugën "Ali Demi" hipi shtetasi Saimir Batku i cili në orën 09.52 mbërriti tek Rruga e Dajtit. Në afërsi të Bar Restorant “F..." në mjet hipi shtetasi me emrin Gentian. Mjeti vazhdoi lëvizjen dhe mbërriti në sheshin Skënderbej. Në orën 10.22 në aksin rrugor Elbasan - Librazhd u konstatua mjeti BMË X5 me targa AA ... KC, me drejtues personin e moshës rreth 40 vjeç, me flokë të zeza të shkurtra dhe dy pasagjerë të paidentifikuar. Në orën 10.30 mjeti u afrua tek objekti i ish stallave dhe drejtuesi i identifikuar në këtë moment si Kelmend Dalipi, hapi derën dhe parkoi mjetin në ambientet e brendshme. Nga mjeti zbriti Kelmendi dhe dy persona me kapuç të zi në kokë. Të tre personat u futën në ambientet e brendshme të kapanonit. Në orën 10.40 Kelmendi doli nga kapanoni dhe lëvizi me mjetin e tij Foristradë në drejtim të Elbasanit.

Në orën 10.45 nga objekti doli shtetasi i identifikuar me emrin Arjan së bashku me dy personat që erdhën me mjetin me targa AA ... KC, të cilët mbanin kapuçë në kokë. Të dy personat me kapuç u futën në kapanonin me dritare të mbyllura, ndërsa Arjani tek një derë me pamje nga sheshi kryesor. Në orën 10.50 mjeti “Jeep” me targa TR ... T, vazhdoi lëvizjen në drejtim të aksit rrugor Tiranë-Elbasan. Mjeti drejtohej nga Saimir Batku. Në vendin e parë të pasagjerit ndodhej Gentian Gjonaj dhe një person tjetër ishte ulur në sediljen e pasme. Në orën 11.50 ky mjet mbërriti tek kapanoni dhe u parkua në zonën e kapanonit me dritare të mbyllura. Gentiani zbriti dhe takoi Arjanin i cili doli për t’i pritur. Në orën 12.00 shtetasi llir Hyseni doli nga kapanoni me dritare të mbyllura dhe i shoqëruar nga Arjani hyri në pjesën hyrëse të objektit ku ndërroi veshjen. Të gjithë personat, herë pas herë, dilnin nga kapanoni duke kryer veprime të ndryshme.

Në orën 12.40, mjeti me targa TR ... T u largua nga objekti në drejtim të Tiranës, ndërsa në orën 13.35 u largua nga ambienti mjeti "Citroen", me targa AA ... AZ, me drejtues shtetasin me emrin Arjan. Në orën 14:12 pranë objektit u afrua mjeti me targa AA ... AZ. Në orën 15:00 Ilir Hyseni, së bashku me Arjanin dhe Gentian Gjonajn derdhën në pjesën e pasme të objektit disa kova të mëdha dhe fuçi në ngjyrë blu. Në orën 15:10 forcat e policisë ndërhynë në objekt dhe bënë të mundur arrestimin e shtetasve Ilir Hyseni, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj, Cesar Avila dhe Valther Moren Morena.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025