Kokalari: Për dashurinë, zhgënjimin
e përballjen e mentaliteteve

Kokalari: Për dashurinë, zhgënjimin<br />e përballjen e mentaliteteve
“Jeta ime universitare”, shkruar në italisht, në formën e një ditari nga Musine Kokalari në vitet 1939-1941, zbërthen botën e pazakontë të një intelektualeje, atëkohë studente në Itali, e cila ka një perceptim kaq të qartë për realitetin, jetën e saj, ndjenjat intime dhe përballjen me një qytetërim shumë larg atij ku ishte lindur e brumosur….

I botuar para pak viteve në Itali me titullin “La mia vita universitaria” (Memorie di una scrittrice albanese nella Roma fascista 1937-1941) përgatitur nga Simonetta Ceglie e Mauro Geraci, nga ky libër, ku përmblidhet e gjithë përvoja e saj studentore në Romë, kemi shkëputur dy fragmente: disa shënime mbi një histori dashurie që pati një fund të palumtur, si dhe një persiatje me titullin “Zhgënjimi i dashurisë”.     

Musine Kokalari u lind me 10 shkurt 1917 në Adana, Turqi. Vitet e rinisë i kaloi në Gjirokastër, prej nga rridhte familja e saj. Kreu studimet e larta për letërsi në Universitetin “La Sapienza” në Romë dhe në moshë fare të re, gjatë viteve 1937-1942, publikoi skica dhe tregime të shkurtra në gazetat “Shtypi” dhe “Tomorri i vogël”. Musine Kokalari, ishte ndër të parat gra, që gjatë viteve’30, ngriti krye kundër zakoneve të vjetra, për një shoqëri të ndriçuar. Punoi pedagoge në Institutin Femëror “Nana e Skanderbeut” në Tiranë dhe ishte një nga themelueset e Partisë Socialdemokrate.
 
Shënimet për dashurinë…

Disa fragmente nga vepra- ditar e Kokalarit që ajo e shkroi në italisht
 
Që në këtë kohë që mikja ime G.K më kishte njohur me të riun P.T, i laureuar pak kohë më parë në Shkencat Politike, bisedat tona na shtynë për të shprehur mendimet duke u përqendruar mbi argumentet e studimeve. Atij iu duk çdo gjë e natyrshme, kur i shpjegova vështirësitë me të cilat isha ndeshur. U tregua i gatshëm të më ofronte ndihmesën në përgatitjen e historisë, për të cilën ai ishte i pasionuar, ndërsa unë gjendesha disi e çorientuar. Të dy kishim nevojë të rikujtonim lëndën: ai për përgatitjen e konkursit të tij dhe unë për provimin.

Kështu filluam të studionim bashkë nga fillimi duke përdorur librat e shkollës së mesme, duke kërkuar rrugën që duhej të ndiqnim në studime...Në këtë bashkëpunim, fillova të vlerësoja kolegun tim për hapësirën e tij kulturore, duke konsideruar moshën e tij të re. Studimi sistematik e kishte mësuar në çdo fushë dhe vlerësova edhe njëherë faktin që gjatë shkollës së mesme, nuk kam ditur të punoja mjaft për të gjetur rrugën që duhej të ndiqja. Ndërkohë, që gjithçka shkonte mbarë, shoku im më tha: "A nuk do të ishte e bukur Musine të duhemi edhe më mirë? A nuk jemi ndofta dakord në një pikë të rëndësishme, që është baza e jetës sonë, puna?"

"Por unë jam shqiptare, - iu përgjigja- e ndiej të kem mbetur e tillë. Për më tepër, nuk do të jetë shumë e këndshme për nënën time që unë të dashuroj një të huaj"... "Nëse nëna jote është mjaft moderne për të qenë indiferente për lumturinë e djalit ndaj ndryshimit të kombësisë, nëna ime s‘është. Pastaj unë jam skeptike në jetë dhe ti shumë gazmor". Në të gjitha arsyetimet e mia, nga ana e tij, nuk kisha tjetër përgjigje: "Musine, ke mbetur akoma primitive; idetë e tua janë të prapambetura. Puna dhe dashuria janë bërë për të gjithë, pa dallim". Në këto diskutime, nga miqësia lindi dashuria - një ndjenjë përzemërsie, por e shtyrë nga bashkëpunimi. Nuk vonoi të ndërhyjë ajo luftë e brendshme, e tmerrshme midis nënës sime dhe njeriut që e doja mjaft; midis vendlindjes sime dhe Italisë.

Dhe unë e ndjeva dashurinë, që nuk më bëri as të lumtur as të palumtur po e doja mjaft, por isha në luftë me veten, me mendimet e mia. Mendimet e mia ishin në kundërshtim me ato të tijat dhe pak nga pak u mbylla në vetvete... e doja sepse përballë atij njeriu ndihesha më pak e ngritur; si dhe mendimi i tij dominonte timin. Mandej, po, e doja por në të njëjtën kohë dyshoja në vetvete, dyshoja edhe tek ai. por më dukej e çuditshme pra, që ai më pyeste vazhdimisht nëse me të vërtetë e doja dhe qahej për heshtjen time në këtë pikë. Mbase nuk ishte e kotë. Nuk ndryshova idetë e mia në gjykimin mbi jetën dhe nuk dëshiroja që të më pyeste: "Çfarë ke bërë sot? Ku ke qenë? Pse nuk ishe në shtëpi kur të telefonova?". Për të gjitha këto dhe të tjera pyetje, më dukej sikur gati do humbisja lirinë. Meqë atij i pëlqente të fliste shumë, kjo më jepte me të vërtetë kënaqësi, sepse unë mund të bëja më pak, meqenëse nuk kam pasur kurrë asgjë për të treguar. Kështu që nuk sforcohesha për të gjetur argumente gazmore jashtë atyre që i përkisnin punës sime...

Gjithçka shkoi mirë, deri në një të qershorit kur P.T. u thirr nën armë... . Më 10 qershor Italia hyri në luftë. Unë mbarova provimet dhe më 15 të muajit P.T. niset për në Napoli. Megjithëse merrja pothuajse çdo ditë letrat e tij, i druhesha nisjes për në Afrikë, që në fakt ndodhi më 22 të të njëjtit muaj. Prej aty mora letrën e parë me përshtypjet e tij rreth qytetit oriental: Nuk shikohen veçse leckamanë në rrugë dhe njerëz të veshur në të bardhë. Do nisem për në brendësi. Ti më prit se do kthehem i gjallë"... . mandej një tjetër letër që më tregonte: "Më fal se kam vonuar një javë. Kam qenë në një fortesë për pak ditë. Sot do arrij shokët, do pushoj nën çadër meqë atje ku isha flinim me minjtë. Më shkruaj shpejt dhe më trego atë që bën dhe si e kalon ditën.

Ji e qeshur, se unë do të kthehem dhe ji e kënaqur me mendimin se unë kryej detyrat e mia"... Më 28 gusht mora këtë letër: "Gjendem në Tripoli dhe nesër nisem për në frontin egjiptian. Jam i ri dhe do të kthehem. Nuk më shkruan kurrë një fjalë të ëmbël dhe nuk më tregon se sa më do. Sapo të mbërrij në vendin e caktuar, do të dërgoj lajmet e mia". Mendova. Çfarë fjalësh duhej të përdorja? Tashmë ai e di që e doja; nuk nevojitet t‘ia shkruaja në çdo letër. Mjaftojnë pak fjalë për t‘i treguar gjithçka që është thënë. As që dija çfarë t‘i shtoja tjetër... Më 20 janar mbërriti P.T. nga frika dhe të nesërmen u takuam. Mbetëm të shtangur dhe pyetja e parë që i bëra ishte: "Ke bërë luftë ti?
"Pse ma bën këtë pyetje?, më pyeti.

"Po qartë që habitem! Ti je më mirë se ç‘ishe! Duke pasur parasysh se sa fjalë të këqija më dërgoje, përkundrazi në fytyrën tënde nuk duket asnjë shenjë vuajtjeje. Më duket se lufta ka bërë më tepër efekt tek unë sesa te ti!"... Në fund u kujtova dhe i thashë: "Po ç‘janë ato fjalë që qarkullojnë? Nëna jote mbase e ka kuptuar dhe nuk do? Çfarë ka nën to?".

Menjëherë m‘u përgjigj se ishin budallallëqe. Pranoi që para nisjes ia kishte bërë të ditur së ëmës me qëllim që ajo të ishte e kënaqur që një grua t‘i drejtonte mendimin e saj të përzemërt, birit të saj. Për atë nuk kishte rëndësi që ishte myslimane dhe e huaj. Mbeta keq kur dëgjova që ai nuk e kishte mbajtur premtimin që të mos i tregonte asnjeri... Do nisesha për Tiranë. Takohem për herë të fundit me P.T. dhe vetëm këtë herë më tregon se korrespondenca duhej të vazhdonte fshehtazi mbasi nëna nuk i dëshironte. Nuk kishte kundërshtim personalisht për mua, por ndaj shqiptarëve...

ZHGËNJIMI I DASHURISË
MUSINE kOKALARI


Poezitë e dashurisë janë shkrime ese të ndjenjave të tyre ose të një krijimi thjesht mendor. Gjërat e përsosura nuk egzistojnë. Lumturia e vërtetë nuk është. Dhimbja e thellë është gjithmonë e heshtur. Më shumë ndjehet dhe më pak di ta përshkruash. I gjithë prodhimi i tyre artisti nuk është tjetër vecse fryt i  përfytyrimit, iluzion i mendimit, duke riveshur aktet njerëzore. Nuk shpreh ndjenjat në aktin në të cilin ato shfaqen,por i përshkrua në dritën e eksperiencës dhe në kalorësitë e zemrës.
Athere c'është zhgënjimi?

Unë kam mbetur e zhgënjyer vetëm ato herë që kam arritur së fundmi qëllimin për të cilin synoja.
Nuk kam gjetur kurrë në realizim atë që më kishte krijuar 
fantazia. Por zhgënjimi në dashuri, në miqëi është gjë e natyrëshme. Do të thosha, në të kundërt, ai është një gjë e dobishme... Është e vetmja mënyrë për të mësuar të njohësh jetën dhe të dish atë që nuk gjëndet nëpër libra dhe atë që 
nuk dihej më parë. Shpesh ndodh, që për shumë vite, nuk e mësojmë atë që arrijmë ta dimë në një orë.

Në situatën në të cilën ndodhesha, i ashtuquajturi iluzion i dashurisë, qe i dobishëm për ti dhënë fund luftës së brendëshme midis dy ndjenjave të mia të kundërta. Emostazat plitike infuencojnë mbi shpirtin. Pikërisht në ditët që arrita të mësoja gjithë të vërtetën, shkrimtari i mirënjohur italian Xhovani 
Papini, botoi artikullin, në të cilin thoshte se Italia nuk kishte pushtuar vecse shtete të prapambetura, primitive dhe gjysëm barbarë si Abasinia dhe Shqipëria. Nuk ishte kjo një nga arsyet e luftës së brendëshme gjatë dashurisë?

Unë ndjeja të kisha mbetur primitive, vajza e rritur në mes të njerzëve të varfër, në një vend të vogël, me rrugë të shtrembëra, me oborre të rrethuara me mure, në mes të këngëve që janë rënkime dhe të qarave të grave tona, nën një qiell gri. Shpirti im ka mbetur kështu dhe nuk mund të binte dakord me një shpirt qytetar, ultramodern…
{Marrë nga libri "Kujtime Universitare-Romë, 1942.

musine kokalari dosier

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Kryebashkiaku Beci: Shkodra e tronditur nga humbja e një nëne dhe 3 fëmijëve të saj, të dënohet kushdo që e nxiti një veprim të tillë

Kryebashkiaku Beci: Shkodra e tronditur nga humbja e një nëne dhe 3 fëmijëve të saj, të dënohet kushdo që e nxiti një veprim të tillë