Franca dhe Gjermania shpërfillën një vizitë zyrtare të kryeministrit grek, Aleksis Cipras në Moskë duke theksuar se do të vazhdonte puna për të zgjidhur çështjen e listës së reformave ekonomike që Greqia i ka paraqitur Bashkimit Evropian.
Pas bisedimeve në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidenti francez, François Hollande, tha se "Greqia e di që e ardhmja e saj është Evropa. Nëse Greqia kërkon të mbetet në eurozonë, atëhere ajo duhet të ecë me proceset e nisura dhe të kontribuojë në zgjidhjen e çështjeve të shtruara".
Dy liderët përmendën edhe vizitën e Ciprasit, duke theksuar se edhe ata kishin qenë në Moskë.
"Ne kemi qenë në Moskë dhe jemi ende anëtarë të Bashkimit Evropian", deklaroi Merkel.
"Ne duhet të vazhdojmë procesin dhe në të njëjtën kohë të bëjmë të qartë se premtimet e bëra, megjithë variantet e reja në kontekst të një qeverie të re, duhet të mbahen", theksoi kancelarja.
"Koha është flori. Puna duhet të vazhdojë", tha Merkel.
Ajo shtoi se ministrave u është thënë që t'i zgjidhin çështjet deri në fund të prillit, edhe pse kancelarja nuk vuri ndonjë afat.
Pak ditë më parë Greqia u shpreh optimistepër arritjen shpejt të një marrëveshjeje me kreditorët e saj për planin e reformave për daljen nga kriza, pas mbërritjes në Athinë të ekipeve të specialistëve grekë që morën pjesë në bisedimet disaditore në Bruksel.
Në ndërkohë, zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se edhe për këtë javë nuk do të ketë ndonjë marrëveshje.
Greqia, në mungesë të theksuar likuiditetesh, duhet të paraqesë një listë të besueshme reformash, thonë kreditorët e saj, që të jetë në gjendje të marrë edhe 7,2 miliardë eurot e mbetura nga llogaria e saj për daljen e parashikuar nga kriza.
Të premten e kaluar, filluan në Bruksel negociatat për përmbajtjen e listës së reformave.
Burime qeveritare greke thanë se negociatat teknike me Komisionin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane dhe FMN-në kanë përfunduar dhe se përparimet e kërkuara janë arritur.
"Përfaqësuesit grekë kishin mundësinë të paraqitnin listën e reformave të përpiluara nga qeveria", tha një burim që kërkoi të mbetej anonim.
"Palët ranë dakord për një mision faktmbledhës në Athinë", shtoi ai.
"Kërkojmë që shumë shpejt të arrijmë në një marrëveshje me institucionet mbi bazën e një skeme që do t'i japë hov ekonomisë", tha burimi.
Në ndërkohë, koha punon kundër Athinës pasi zyrtarët paralajmërojnë se arka e shtetit mund të jetë bosh në fillim të prillit.
Analistët e frikësohen faktit se një dështim i Greqisë për arritjen e një marrëveshjeje me kreditorët e saj mund të falimentojë vendin dhe ta nxjerrë jashtë zonës euro.
Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk thotë se një punë komplekse po bëhet për t'i dhënë Athinës asistencë financiare "sipas rregullave evropiane" edhe pse hodhi poshtë shpresat për të arritje marrëveshjeje këtë javë.
"Nuk shoh asnjë zgjidhje para Pashkëve", tha Tusk gjatë një vizite në Madrid.
"Gjëja më e rëndësishme është sqarimi nga ana e Greqisë i qëllimeve politike dhe ekonomike të qeverisë së saj", theksoi ai.
Grupi i Punës i Eurogrupit, grup zyrtarësht që këshillon ministrat e Financave të eurozonës të Eurogrupit, pritet të bëjë një vlerësim të përgjithshëm të bisedimeve mes Athinës dhe kreditorëve të saj gjatë një telekonference, nesër.
"Topi gjendet në fushën e autoriteteve greke", tha zëdhënësja e komisionit, Mina Andreeva.
"Komisioni do të vazhdojë punën edhe pas Pashkëve nëse është e domosdoshme", theksoi ajo.
Marrëdhëniet kanë qenë të tensionuara mes Greqisë dhe kreditorëve të saj edhe pasi kryeministri Cipras erdhi në pushtet janarin e kaluar duke premtuar madje edhe dhënien fund të ndihmës. Megjithatë, paketa shpëtuese për vendin ballkanik është shtyrë në kohë, por Athina duhet të bjerë dakord për reforma dhe zbatimin e tyre.
Athina thotë se ka paraqitur reformat që do të çojnë në marrjen e 3,7 miliardë eurove shtesë, por duke marrë masa të ashpra kundër evazionit fiskal dhe depozitave jashtë vendit.
Qeveria greke ka propozuar shkurtime në pensionet e parakohshme si edhe taksa më të larta për të pasurit dhe artikujt e luksit, përfshirë edhe taksën për ushqimet që kanë përmbajtje të lartë sheqeri.
Qeveria greke pret edhe 1,5 miliardë euro të tjera nga privatizimi i Autoritetit Portual të Pireut dhe 14 aeroporteve lokale. (Nga Christine Pirovolakis, Helen Maguire dhe Jean-Baptiste Piggin)./ atsh/