Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Berishës, pranon të PD-së së Alibeajt! Çështja për mandatin e Xhaçkës i kthehet Kuvendit

TIRANË- Çështja e mandatit të deputetes Olta Xhacka do të kthehet sërish për diskutim në Kuvendin e Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese ka vendosur pranimin e kërkesës së 14 deputetëve të PD, për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit që miratoi raportin e mazhorancës për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim do të thotë që Kuvendi është i detyruar që ta çojë një kërkesë të deputetëve për verifikim të mandatit të një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë.

‘Kushtetuesja’ ka shfuqizuar të dyja vendimet e parlamentit edhe atë që miratonte raportin e mazhorancës dhe atë që rrëzonte raportin e opozitës. Ndërkohë që ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të ‘Rithemelimit’ që kërkonin heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Sipas Kushtetueses, kjo çështje do duhej të dërgohej përmes një raporti të shprehur  më parë nga Kuvendi.

Kështu që mandati i Xhaçkës do të kthehet edhe një herë në Kuvend dhe me këtë vendim të Kushtetuese, Kuvendi është i detyruar që ta çojë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës. Kjo nuk do të thotë që mandati do t’i hiqet, 'Kushtetuesja' mund të mos gjejë konflikt interesi, por do të jenë anëtarët e kësaj Gjykate që do marrin një vendim të tillë. Në këtë formë zgjidhet edhe përplasja e moskompetencave mes deputetëve të PD dhe Kuvendit të Shqipërisë.

PD-ja kërkon heqjen e mandatit të Xhaçkës, pasi e akuzon se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik, gjë që ministrja e ka mohuar disa herë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e grupit të Alibeaj
Gjykata Kushtetuese në datën 18.01.2023, në orën 10:00, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 9 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve. Deklarimi i vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, shkronja “ç”, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese".

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e grupit të Berishës
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 18.01.2023, në orën 13:45, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 10 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “1. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 2. Konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka””.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

1. Për kërkimin e parë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, gjykimi duhet të pushohet, pasi me vendimin e mëparshëm të saj, nr. 1, datë 23.01.2023, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e këtyre vendimeve.

2. Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI

Pushimin e gjykimit të çështjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:47
Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e PD për mandatin e Xhaçës, Bardhi: Ky është vendimi që presin qytetarët nga drejtësia

1674506950_Gjykatakushtetuese.jpg

Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim ditën e sotme lidhur me kërkesën për heqjen e mandatit të ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Në vendimin e zbardhur, ‘Kushtetuesja’ ka vendosur të pranojë kërkesën e grupit të Enkelejd Alibeaj dhe të konsiderojë të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e Kuvendit, i cili nuk miratoi kërkesën e deputetëve të PD-së për mandatin e Olta Xhaçkës.

 Kjo ka sjellë edhe reagimin nga opozita. Është deputeti Gazment Bardhi dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu që e kanë konsideruar një vendim të tillë, si një fitore.

“Edi Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit. Kërkesa jonë që vendimi për vlefshmërinë e mandatit te deputetit i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese u pranua. Tani, Edi Ramës i duhet ta dorëzojë investitoren e vet strategjike me mandat deputeti para Gjykatës Kushtetuese.

Ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër të pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Kush përfiton në mënyrë antiligjore nga pasuritë publike duhet të mbajë përgjegjësi! Trajtimi i pasurisë kombëtare si plaçkë personale e Kryeministrit për ministrat dhe familjarët e tyre duhet të ndëshkohet. Ky është vendimi që presin qytetarët nga drejtësia”, shkruan Gazment Bardhi.

Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (1/10 së deputetëve), duke shpallur antikushtetuese mbrojtjen politike që mazhoranca synoi t'i bënte deputetes dhe ministres së saj. Tashmë Kuvendi është i detyruar që t'ia dërgojë çështjen Gjykatës Kushtetuese, ku me fakte e argumente do të provohet se Olta Xhaçka, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin, ka përfituar nga pasuria publike. Vendimi i sotëm është një lajm i mirë se Shqipëria nuk do të bëhet vendi i parë në botë, ku deputetë dhe ministra shpallen investitorë strategjikë”, thotë Logu.

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protesta e opozitës, Erion Braçe: Të bllokosh Tiranën, njësoj si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes

Protesta e opozitës, Erion Braçe: Të bllokosh Tiranën, njësoj si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes