Bashkimi Europian i kishte kërkuar Shqipërisë që brenda muajit dhjetor 2025 të miratonte një ligj për financimin e partive politike, detyrë kjo për procesin integrues.
Por politika e brendshme dhe çështja “Balluku” bllokoi ndër të tjera për disa muaj reformën zgjedhore, dhe ky afat u dogj.
Këtë të premte, PS dhe PD gjetën gjuhën të ulen bashkë e të nisin punën, me synimin që brenda dy javësh të zhvillojnë një takim konsultues me të gjitha partitë.
“Edhe pse do vetëm 71 vota, do ta kalojmë me konsensus”, tha Damian Gjiknuri.
Por opozita u frikësohet dredhive në moment të fundit.
“Nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi në vitin 2020, kur dakordësitë e arritura u prishën dhe në parlament u votua diçka tjetër”, tha Oerd Bylykbashi.
Produkti do të bëhet me ODIHR dhe do t'i çohet Komisionit Europian. Drafti do të jetë konsensual.
Nga një takim paralel me shoqërinë civile, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi bëri thirrje që ndërhyrja në Kodin Zgjedhor të mos zvarritet.
“Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027 janë shumë afër dhe kryerja e reformës zgjedhore në momentin e fundit prodhon pasiguri dhe mosbesim të të gjithë aktorëve në proces. Partitë politike, është rasti të tejkalojnë dallimet antagoniste që kanë dhe të punojnë për reformën zgjedhore”, tha ai.
Komisioni i posaçëm për Reformën zzjedhore miratoi grupin e ekspertëve që do të ndihmojnë deputetët. Financimi i partive është ligji i parë që teston palët, ndërsa prova më e vështirë do të jetë në verë, kur të ndërhyhet në Kodin Zgjedhor e ku palët kanë më shumë ndasi.
Komente











