Teksa puna e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kaloi nën ‘lupën’ e komisionit ‘Xhafaj’, kritikat u nënvizuan fort nga kryetari i tij.

Për Fatmir Xhafajn, KLP mbetet një nga hallkat “më të dobëta” të drejtësisë, pavarësisht përmirësimit.

“Në vlerësimin tim, në punën e KLP ka disa hapa pozitivë, por mbetet KLP një nga sistemet më të dobëta të drejtësisë në Shqipëri. Shumë çështje që lidhen me sistemin e prokurorisë gjenerojnë nga vendimmarrje të diskutueshme të KLP. Në krahasim me vitet e tjera ka përmirësim, por krahasuar me çfarë i ka dhënë ligji, krahasuar me pritshmëritë e BE, ka shumë për të bërë”, tha Xhafaj.

Vakancat, të përmendura nga kryetarja e KLP, Mirela Bogdanin, si “shumë të larta”, ishin një tjetër pikë kritike për Xhafajn.

“Keni qenë të paaftë të bëni llogari të kësaj natyre apo ka një lloj papërgjegjshmërie? Vitin e kaluar i keni kërkuar Shkollës së Magjistraturës vetëm 12 prokurorë. Nuk ka një numër zyrtar. Edhe për plotësimin e vakancave kërkoni 12 prokurorë, ku kishit mundësinë për më shumë, ju vetë, ndërkohë që keni mbi 100 vakanca, keni disa vakanca të fshehura, unë kam vite që e trajtoj këtë gjë. Nuk kërkoni shtim të prokurorëve përmes Shkollës së magjistraturës, as shtim të numrit të përgjithshëm. Si do ta zgjidhim? Kur do të kemi një plotësim të plotë të vakancave sipas numrit aktual të prokurorëve dhe vakancave efektive?”, iu drejtua ai Bogdanit.

Kjo e fundit i tha se ka parashtruar të njëjtin problem, por institucioni ka kërkuar cilësi dhe jo sasi.

“Arsyeja që u parashtrua ishte cilësia e numrit të kandidatëve”, u shpreh Bogdani.

I ashpër Xhafaj ishte edhe mbi marrjen si ekspertë të të afërmve të prokurorëve e gjyqtarëve duke e kthyer sistemin sipas tij në vend 'qokash'.

“Keni nevojë për shtesa? Jo për të bërë qokë, për të marrë shokët e miqtë, burrat, gratë, fëmijët e prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve? Ju dhe disa institucione të tjera, e keni bërë si vend ku bashkohen fëmijët e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, u shpreh kryetari i komisionit.

Për këtë pikë, trajnimi sigurohet nga ASPA ose në pamundësi nga donatorët, tha Bogdani, teksa sugjeroi trajnim paraprak apo ndërmjet mandatit për të gjithë anëtarët, lidhur me funksionimin e organeve kolegjiale.

Sa për debatet brenda institucionit dhe reflektimin e etikës në publik, Bogdani kërkoi ndjesë duke arsyetuar se institucionet kolegjiale e kanë të natyrshëm konfliktin, por janë marrë masa.

“Masat për dialogun ndërinstitucional, kërkojmë ndjesë për tonet shpeshherë të ngritura të debatev, në institucionet kolegjiale lind natyrshëm një lloj konflikti, për të mos folur pastaj për qasjet. Ne kemi shpeshherë përballje të forta lidhur me të njëjtin koncept për mënyrën si duhet adresuar. Kemi marrë masa dhe besoj që nëse nuk arrijmë të kemi dakordësi ose zgjidhje të përshtatshme, do të miratojmë rregulla etike”, tha ajo.

KLP-së Kuvendi i kërkon rezultatet e analizës për rritjen e efikasitetit të prokurorëve, të forcojë transparencën për emërimet dhe transferimet, dixhitalizimin e arkivave, forcimin e sigurisë kibernetike si dhe në bashkëpunim me SPAK të rishikojë procedurat për kreun e BKH-së.

Prokurorisë së Përgjithshme, i sugjeron që masën e arrestit në burg ta zbatojë si masë të fundit, ndërsa ILD-së të trajtojë me prioritet korrupsionin në sistemin gjyqësor.

P.J/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Korrik, 10:41

    Sipas jush, protesta te Kuvendi a ka qenë e dhunshme nga ana e protestuesve?