Komisioni Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kaloi në shqyrtim katër projektrezoluta që lidhen me vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025.

Në rendin e ditës u diskutuan raportet për veprimtarinë e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Departamentit të Administratës Publike, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Mbledhja u zhvillua me pjesëmarrjen e shumicës parlamentare dhe vetëm një përfaqësuesi të opozitës, deputetit Gjin Gjoni. Gjatë diskutimeve, kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, e cilësoi procesin si një element të rëndësishëm të rolit mbikëqyrës të Kuvendit, duke theksuar se ai lidhet drejtpërdrejt me standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian dhe procesin e integrimit të Shqipërisë.

Sipas Xhafajt, shqyrtimi i raporteve vjetore nuk duhet të mbetet vetëm një procedurë formale.

Pas diskutimeve, katër projektrezolutat pritet të ndjekin procedurat parlamentare për t’u paraqitur për miratim në seancë plenare.