Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar një raport të dytë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për ish-Presidentin Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitti 2024, pasi SPAK ka ngritur ndaj tij dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, 3 akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Në dokumentin e Komitetit të Helsinkit, të publikuar në 25 maj, thuhet qartë se ligji njeh të drejtën e të paraburgosurve për komunikim me median, duke respektuar kufizimet që lidhen me rendin dhe sigurinë në institucion.

“Lidhur me pretendimin për ndalimin e disa takimeve me median, KShH risjell në vëmendje se pika 3 e nenit 49, i ligjit nr. 81/2020 njeh të drejtën e të paraburgosurve për komunikim me median, me kufizimet e domosdoshme që lidhen vetëm me sigurinë dhe rendin në institucion”, thuhet mes të tjerash në raport.

Duke u ndalur specifikisht te rasti i Metës, Komiteti Shqiptar i Helsinkit shkruan se ish-Presidenti në mënyrë të përsëritur, pavarësisht lejeve të lëshuara nga SPAK, ka hasur në ndalime për komunikimet dhe intervistat për median.

“Nëse kjo e drejtë parashikon kufizime, këto të fundit nuk mund të prevalojnë dhe të sjellin kufizim automatik të së drejtës. Lidhur me këtë çështje, KShH merr shkas edhe nga misioni i dytë i monitorimit që vëzhguesit tanë kanë zhvilluar në dt.15 Maj 2026, ku është konstatuar se pavarësisht lejeve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), z. Meta ka hasur në ndalime për komunikimet dhe intervistat me median”, shkruhet më tej në raport.

Teksa thekson se çdo kufizim duhet të ketë bazë lighore, KShH sugjeron që për të ruajtur në mënyrë proporcionale të drejtën e të paraburgosurit dhe sigurinë në burgje apo paraburgime, mund të shfrytëzohen edhe mjetet e teknologjisë së informacionit për realizimin e intervistave me median.

Sipas raportit, platforma dixhitale Zoom është një platformë që do të garantonte të drejtën e komunikimit me median, pa cenuar sigurinë e mjediseve të brendshme të paraburgimit.

“Në këtë kuptim, çdo kufizim duhet të ketë bazë të qartë ligjore dhe të jetë i motivuar dhe proporcional. KShH sugjeron që për të ruajtur në mënyrë proporcionale të drejtën e të paraburgosurit dhe sigurinë në IEVP, mund të shfrytëzohen edhe mjetet e teknologjisë së informacionit për realizimin e intervistave me median (për shembull, përmes platformave digjitale si Zoom), çka do të garantonte të drejtën e komunikimit me median pa cenuar sigurinë e mjediseve të brendshme të IEVP-së”, përfundon raporti.