Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vëzhguar procesin e votimeve ditën e sotme duke sjellë edhe një raport me shkeljet e evidentuara gjatë këtij procesi. Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinikit, procesi ka qenë i qetë dhe pa incidente. Të vetmet shkelje që janë evidentuar kanë qenë marrja e të dhënave për votuesit nga persona të paautorizuar të cilët kanë qëndruar jashtë qendrave të votimit. ndërsa një tjetër shkelje që evidentohet në një raport paraprak ka qenë se boja për shenjën dalluese të gishtit në disa vende ka zgjatur më pas se 24 orë, ndërsa është tërhequr vërejtje për votime familjare apo komunikimi mes votuesve që zgjedhin në dhoma të ndara.
"Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), prej vitit 1996 ka monitoruar të gjitha zgjedhjet e qeverisjes vendore dhe parlamentare në vendin tonë, me qëllim për të kontribuar në ushtrimin e të drejtës së votës në mënyrë të lirë, vetjake, të fshehtë dhe të barabartë.
KShH ka akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 112 vëzhgues, të cilët më pas janë trajnuar për të monitoruar aspekte të rëndësishme të procesit parazgjedhor, të procesit të ditës së votimit dhe numërimit për Zgjedhjet e Qeverisjes Vendore të dt.30 Qershor 2019.
Në përgjithësi, nga monitorimi i deritanishëm, KShH vëren se klima e procesit gjatë votimeve në qendrat e monitorimit ka qenë e qetë dhe nuk janë shënuar incidente të dhunshme. Mgjth, në disa raste, vëzhguesit e KShH-së kanë konstatuar edhe parregullsi, për të cilat kanë bërë me dije anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit. Konkretisht:
Sipas informacionit që japin vëzhguesit nga qyteti i Gjirokastrës, rezulton se persona të paautorizuar prezantohen si vëzhgues partiak dhe informohen për numrin zgjedhor të zgjedhësit që voton, gjë që nuk është e lejueshme sepse në këtë mënyrë kërkohen të dhëna për të identifikuar ata që votojnë dhe ata që nuk votojnë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qytetin e Tiranës, në qendrën e votimit nr. 18311, Kopshti nr. 25, Rr"Margarita Tutulani". Vëzhguesi i KShH-së në qytetin e Vlorës, QV nr. 4475, në KZAZ nr. 84, raporton se një vëzhgues që u pretendua se ishte i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, kërkonte nga KQV-ja informacion për numrin rendor të personave që kishin votuar dhe KQV-ja i dha informacionin që kërkohej.
Në QV nr. 1936 në qytetin e Tiranës, vëzhguesi i KShH-së depozitoi vërejtje me shkrim bazuar në nenin 105, gërma dh) të Kodit Zgjedhor për shkak se ka konstatuar se boja timbruese hiqet lehtësisht me ujë pas votimit, duke mos bërë të mundur lënien e shenjës dalluese në gisht brenda afatit 24 orësh.
Në qytetin e Elbasanit, në ambientet e jashtme të QV nr. 23071 ndodheshin persona të paautorizuar që bëjnë shoqërimin dhe identifikimin e personave që vinin për të votuar.
Në QV nr. 1492 pranë Shkollës "Kushtrimi i Lirisë", në orën 8:37 vëzhguesi ka paraqitur vërejtje me shkrim pasi në dhomën e fshehtë të votimit, votuesit futen familjarisht. Ndërkohë në QV nr. 4447 në qytetin e Vlorës konstatohet se zgjedhësit që i përkasin të njëjtës familje, pavarësisht se votojnë në dhoma të ndara votimi komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me njëri tjetrin", thuhet në raport.