Pretendimet që në 18 muaj në paraburgim, Ilir Meta i ka ngritur qoftë në rrjetet e tij sociale, por edhe përmes përfaqësuesve të Partisë së Lirisë, konfirmohen edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që flet për shkelje të të drejtave minimale e cenimit të dinjitetit njerëzor.

Në raportin e publikuar këtë fund prilli, pak ditë pasi Ilir Meta u shfaq në publik i transformuar fizikisht, Komiteti i Helsinkit thotë se ka konstatuar që Meta nuk kishte ndriçim dhe se në qelinë e tij mungonte zilja e emergjencës.

“Mosfunksionimi i këtij sistemi cenon garancitë infrastrukturore në rastet e emergjencës, pasi është konceptuar për t’i ardhur në ndihmë shtetasve që mund të kenë probleme shëndetësore apo problematika të tjera që mund të cenojnë jetën dhe sigurinë e tyre”, thotë raporti.

Ajo që duket si shkelja më e rëndë e evidentuar nga Komiteti i Helsinkit është përllogaritja e përfaqësuesve politikë të Partisë së Lirisë, në radhën e takimeve normale të të afërmve të Metës, duke thënë se:

“Duke konsumuar 'kuotën' e takimeve me subjekte politike, i paraburgosuri privohet de-facto nga kontakti me familjen, si dhe dobëson efektivisht lidhjet e të paraburgosurit në kontakte fizike të rregullta me familjarët e tij”, nënvizon raporti.

Jo më pak se 2 orë ajrim në ditë garanton ligji për të paraburgosurit, por Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë në raport se koha për Metën varionte nga 40 në 90 minuta në ditë. 

“Meta referoi se trajtohet në mënyrë diferencuese, duke mos u lejuar të dalë në ajrim dy herë në ditë si pjesa tjetër e të burgosurve, si dhe duke qëndruar në mjedise të hapura më pak se dy orë në ditë. Kjo ankesë u verifikua nga gjetjet e monitorimit dhe këqyrja e librit të hyrje-daljeve”, vijon raporti.

Shqetësim ngre edhe mbi mundësinë efektive për aktivitet fizik, si element thelbësor për mirëqenien fizike dhe psikologjike të të paraburgosurit:

“Në çështjen Ananyev dhe të tjerë kundër Rusisë, GJEDNJ ka theksuar se mungesa e aktivitetit fizik të rregullt, sidomos kur kombinohet me kushte të tjera të papërshtatshme (mbipopullim, mungesë ajrimi, kufizime të tejzgjatura), mund të arrijë pragun e trajtimit degradues, duke sjellë cenim të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, cilëson raporti.

Ilir Metës i është refuzuar nga gjykata edhe kërkesa për të mos qëndruar në kafazin e qelqtë në sallën e gjyqit, por edhe kërkesa që gjyqi ndaj tij të jetë publik dhe i hapur për median.

Të hënën e 27 prillit ndaj tij dhe ish bashkëshortes Monika Kryemadhit, e të tjerëve nisi gjyqi në themel, ndërsa Ish-presidenti përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.