Kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën në Durrës, se do të duhet të shihen referencat e reja, për vlerësimin e dëmshpërblimit të 74 familjeve, banesat e të cilave preken nga zbatimi i projektit “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID” nis nga zona pranë amfiteatrit antik të qytetit e shtrihet deri në bulevardin historik "Epidamn", ose siç njihet ndryshe, Rruga Tregtare që zbret nga Bashkia drejt Portit. 

Çmimet aktuale për Durrësin i përkasin vitit 2018. Nuk është e qartë se cilave referenca i referohet kryeministri. Mesin e vitit të shkuar qeveria njoftoi për një rishikim në të gjithë vendin, me një rivlerësim dukshëm më të lartë në zonat bregdetare. Vlerat që të paktën u hodhën në konsultim publik, gjatë verës së shkuar, për qytetin e Durrësit, shkojnë deri në një maksimum prej 124 mijë lekë, ose 1280 euro për metër katror për banesat.

Ky çmim shkon më shumë se 50 përqind e atij që është në fuqi aktualisht, por mbetet ende larg vlerave të tregut imobiliar në zonën qendrore të Durrësit, ku shtrihet dhe projekti që ka nxitur revoltën e banorëve të prekur. 

Pavarësisht se banesat që janë parashikuar të prishen, janë brenda parkut arkologjik, ku ndërtimi nuk lejohet, Artjon Barjamaj, agjent në tregun e pasurive të paluajtshme tregon për Report Tv, çmimet aktuale në ndërtimet që po kryhen pranë zonës.

“Që në gropë, dalin me rreth 2500 euro metri katror, pastaj duke vazhduar punimet, eksperienca ka treguar që ndërtuesit kanë tendencë të rrisin çmimet. Edhe pronat që janë rreth projektit TID, kanë vlerë të afërt tregu me këto godina që parashikohen të ndërtohen”, shpjegon agjenti.

Çmimet dyfishohen kur bëhet fjalë për njësi tregtare.

“Për sa u përket njësive të biznesit, këtu fillojnë, mendoj 5000 euro metri katror, ndoshta edhe më sipër në varësi të njësisë së biznesit, pasi dihet që sa më e madhe të jetë njësia e biznesit, është parimi një pronë që merret me shumicë, rrjedhimisht duhet të merret me çmim më të ulët dhe sa më e vogël të jetë njësia e biznesit, normalisht do të ketë një çmim më të lartë”, thotë Barjamaj.

Çmimi i referencës i hedhur për konsultim publik, prej 1280 eurosh, është gati dy herë më i vogël se vlera aktuale e tregut për banesat dhe 4 herë më pak se ai për njësitë tregtare.

Ndërsa çmimet e referencës të aplikuara sipas venë vendimin e qeverisë të korrikut të vitit të kaluar për dëmshpërblimin e familjeve që preken nga projekti zhvillimor në Durrës, kanë një diferencë edhe më të madhe me tregun, që shkon nga mbi 3 herë më më të ulta për banesat deri në mbi 6 herë më pak për njësitë tregtare. 
Sipas vendimit në fuqi, që ka shkaktuar reagimin e banorëve, e gjithë sipërfaqja, ndahet në dy zona kadastrale. Në njërën, çmimi për metër katror është afro 180 euro për truallin dhe pak më shumë se 730 euro për banesat. Ndërsa në tjetrën, çmimi për metër katror, është 192 euro për truallin dhe mbi 830 euro për banesat.

Çmimet e referencës për metër katror
Zona Kadastrale 8514
Ndërtesë/Apartament: 71, 141 lekë/metër katror
Truall: 17, 898 lekë/metër katror


 

Çmimet e referencës për metër katror
Zona Kadastrale 8512
Ndërtesë/Apartament: 80, 638 lekë/metër katror
Truall: 19, 155 lekë/metër katror