Një kompleks i ri arsimor po merr formë në Yzberisht, duke i dhënë zgjidhje mungesës së shkollave në një nga zonat me rritjen më të shpejtë në Tiranë.

Bëhet fjalë për ndërtimin e një shkolle 9-vjeçare, një shkolle të mesme dhe një kopshti, që së bashku do t’u shërbejnë rreth 1500 nxënësve dhe 150 fëmijëve të vegjël. Projekti po realizohet në rrugën “3 Dëshmorët” dhe pritet të përfundojë në shtator të vitit 2027.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, theksoi se ky investim i përgjigjet një kërkese të kahershme të banorëve të zonës.

“Jemi në një kantier shumë të madh këtu në zonën e Yzberishtit, ku bëhet fjalë për ndërtimin e tre objekteve arsimore, në një territor të përbashkët. Është shkolla e mesme e cila do të ketë kapacitet për 600 nxënës, shkolla 9-vjeçare për 900 nxënës dhe pastaj kemi edhe kopshtin i cili është i integruar si ndërtesë, por patjetër ka hyrje të veçantë për 144 fëmijë”, tha Ristani.

Sipas saj, Yzberishti ka qenë ndër zonat me kërkesën më të lartë për infrastrukturë arsimore, për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë dhe mungesës së hapësirave të përshtatshme.

Ajo shtoi se kompleksi do të ofrojë kushte bashkëkohore për zhvillimin e mësimit, duke përfshirë jo vetëm ambiente didaktike, por edhe hapësira sportive dhe rekreative.

“Jemi munduar të shfrytëzojmë çdo hapësirë të përbashkët, që këto kushte të jenë sa më të përshtatshme për zhvillimin nga të gjithë pikëpamjet të nxënësve. Të ketë edhe hapësira rekreative, edhe hapësira sportive dhe patjetër edhe ato didaktike” shtoi Ristani.

Punimet sipas saj do të mbyllen në shtator 2027.

“Sipërmarrje është shumë e madhe, por me këto ritme të punës, mendojmë që do të mbyllim punimet brenda afatit për vitin shkollor të ardhshëm, pra shtator 2027, duke lehtësuar jo vetëm trafikun, jo vetëm mundimin e çdo familje për t’i shoqëruar fëmijët në shkolla shumë më të largëta, se sa territori ku ata banojnë, por duke ofruar standardet më të larta të arsimit, në çdo cep të Tiranës, qofshin ata banorë të Yzberishtit apo të qendrës”, theksoi Ristani.

Shkollat do të jenë të pajisura me laboratorë kimie, biologjie, fizike dhe informatike, si dhe me ambiente sportive dhe bibliotekë. Ndërsa kopshti do të ketë 6 klasa, ambiente ndihmëse, zyrë psikologu, infermieri dhe kuzhinë.