/ATSH/.- Komuna e Prishtinës do të vazhdojë bashkëpunimet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas KosovaPress, këto bashkëpunime do të jenë për reformat në transportin publik, menaxhimin e mbeturinave, trajtimin e ujërave të zeza, efiçencës së energjisë në ndërtesat publike dhe ndriçimin publik.

Për këtë bashkëpunim është folur edhe sot gjatë një takimi që ka pasur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe nënkryetari Dardan Sejdiu me udhëheqësin e BERZH-it për Kosovë, Anton Kobakov dhe bankierin e BERZH-it në Kosovë, Arianit Blakaj.

"Në këtë takim, i cili u realizua në vazhdën e bashkëpunimit midis Komunës së Prishtinës dhe BERZH-it, u diskutua mbi ecurinë e projektit të reformës së mirëfilltë të transportit publik, si dhe u shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit në fushat e menaxhimit të mbeturinave, trajtimin e ujërave të zeza, efiçencës së energjisë në ndërtesat publike dhe ndriçimin publik, si dhe fusha dhe projekte tjera, që synohet të realizohen në të ardhmen nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me BERZH-in", thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.