E dimë. Nga Harvardi në Kembrixh, nga Sorbona në La Sapienza, në univeristetet më të mira në Perëndim të jesh Marksist dhe të jesh komunist, është në modë. Nëpër Milano shpesh takon të rinj, studentë, që kërkojnë të të shesin gazetën e Partisë Komuniste Italiane. Kapitalizmi në zhvillimin e tij më ekstrem, natyrshëm forcon të kundërtën, sidomos tek të rinjtë.
Në gjithë Perëndimin kjo mund të quhet gati gati reaksion ndaj një sistemi kapitalist që u zhvillua me të gjitha nauncat e tij. Por jo tek ne!
Në Shqipëri provuam në mënyrën më të egër se çdo të thotë të aplikohen teoritë e Marksit-Engelsit-Leninit e Stalinit e të lihen si “argëtim” në dorën e një narcizisti patologjik, të një megallomani klinik, siç ishte Enver Hoxha e siç, politika e sotme dhe socialmediat na tregojnë se Bota mbarë është e mbushur nga cepi në cep. Individë të paaftë në praktikë të organizojnë qoftë edhe mbipeshën e familjes së tyre, i premtojnë gjithë shoqërisë se do të hanë me lugë të florinjtë nëse shoqëria ua beson drejtimin e barabartë dhe të drejtë të së ardhmes së vendeve, jo siç po bën “kapitalizmi i egër”. Sigurisht, teorikisht.
Realiteti, vendimmarrjet, pushteti, demokracia, ligjet, ekuilibri, harmonia, ekonomia, janë “kafshë jashtëtokësore” që nuk ka teori, në të shkruar, që mund t’i mbajë të barazpeshuara me lirinë e individit. Të paktën atë liri që deri më tani vetëm në vendet Perëndimore është vërtetuar se është realizuar. Ajo liri më afër respektimit të dinjitetit njerëzor, të dëshirës dhe ëndrrës të një individi për liri dhe mirëqënie njëkohësisht.
Nëse Orienti është tepër shpirtëror, nëse Oksidenti është tepër materialist, një rrugë e mesme që shkrin këto dy ekstreme mund të ishte idealja për Njeriun e ri: Diçka mes materiales dhe shpirtërores, rregulluar me burokracinë aq të domosdoshme, edhe pse të besdisshme oksidentale. Burokracia, të cilën sidomos Bashkimi Europian e shtrëngon fort në gji, është ajo forcë e” mbinatyrshme” që mban, pa e shkruar asgjëkundi, të nënshtruar egon njerëzore që në një vend pa burokraci të mirëmenduar, arrin në delire madhështie ku secili e sheh veten pronar lagunash, gadishujsh, brigjesh e malesh, vetëm e vetëm se ka lindur diku aty, apo fare lehtësisht vetëshpallet si më i miri, më i ndrituri, më i mençuri e më i drejti...
Propozimet për komunizëm nga brenda, por edhe nga shqiptarë jashtë Shqipërisë, jo vetëm që janë ide demode’, por përmbajnë një hipokrizi të tmerrshme për historinë e Shqipërisë: Njësoj sikur t’i ofrojnë një kostum a fustan tepër të ngushtë një bufaliqi apo bufaliqeje, vetëm e vetëm se janë në modë: “Vishi, vishi, të rrinë shumë bukur. Kështu i mbajnë të gjithë në Londër, në Nju Jork e në Paris…” Pa e vrarë mendjen fare se ato veshje desh i mbytën duke i marrë frymën përfundimisht.
Komente











