Ideja bazë e projektit është që shkollat e reja të projektohen, financohen, ndërtohen dhe mirëmbahen nga koncensionari për një periudhë kohore 7-vjeçare, si një zgjidhje me leverdi në kushtet e një fondi të konsiderueshëm për realizimin e tij, që do të rëndonte shumë në buxhetin e saj.
Projekti
Ky projekt, sipas Bashkisë, synon zgjidhjen e problemeve të mbikapaciteteve përmes ndërtimit të 17 shkollave të reja, nga të cilat 10 do të jënë shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme. Kështu, në njësinë nr. 2 do ndërtohen dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme; në njësinë 5 do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare; në njësinë 7, një shkollë e mesme; në njësinë 8, një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme; në njësinë 9, një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme; më njësinë 11, dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Në njësinë Dajt planifikohet një shkollë e mesme tek zona e Freskut, që është më shumë Tiranë sesa zonë rurale e Dajtit. Në njësinë Farkë, një shkollë 9-vjeçare pranë zonës së Kopshtit Zoologjik të njësisë 5, që është më shumë zonë e njësisë 5 sesa e Farkës dhe në njësinë Kashar dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme, kryesisht tek zona e Unazës së Re dhe të Astirit, që sërish është më shumë zonë urbane sesa zonë rurale.
Aktualisht, sipas Bashkisë, në Tiranë gjenden gjithsej 191 shkolla publike. Nga llogaritjet e bëra rezulton se 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal dhe 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne.
Në total, në Bashkinë Tiranë janë 14.292 nxënës mbi kapacitetin maksimal të infrastrukturës arsimore dhe 14.919 nxënës që e zhvillojnë mësimin gjatë turnit të dytë.
Sipas relacionit, me taksën e arsimit, që u vendos nga janari 2016, synohej që të ardhurat e siguruara nga kjo taksë do të përdoren vetëm me synimin për t´i dhënë fund mësimit me dy turne përmes ndërtimit të shkollave të reja.
“Kosto e ndërtimit të këtij projekti është sa rreth 84% e buxhetit faktik të Bashkisë dhe, në rast se do ta financonte atë vetë, Bashkia, jo vetëm që nuk do të mund të ofronte asnjë shërbim tjetër, por nuk do të mund të mbulonte as pagat e punonjësve të saj”, thuhet në relacion.
Kostoja
Vlera e përgjithshme e projektit të Partneritetit Publik Privat për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet është 8.8 miliardë lekë, nga të cilat 814 milionë lekë janë shpronësime, që do të paguhen direkt nga Bashkia e Tiranës te të shpronësuarit dhe 7.99 miliardë lekë është vlera e koncesionit.
Nga shuma e koncesionit prej gati 8 miliardë lekësh (rreth 60 milionë euro), fitimi i koncesionarit do të jetë 1.4 miliardë lekë, apo rreth 10.5 milionë euro për një periudhë 7-vjeçare, me një marzh fitimi prej rreth 18%.
Në relacion thuhet gjithashtu se, si marzh fitimi, Bashkia ka marrë për tavan normën mesatare të obligacioneve të qeverisë shqiptare, për obligacione 7-vjeçare fikse, përkatësisht rezultatet e obligacioneve 7-vjeçare nga viti 2015 deri në 15.09.2016, me një normë prej 6.28 përqindësh.
Koncesionari do të paguhet përmes kësteve vjetore zbritëse. Kjo mënyrë pagimi do të bënte që koncesionari të mos vendosej në vështirësi financiare të mëdha gjatë gjithë periudhës së zgjatjes së kontratës së koncesionit. Në vitin e parë kësti do të jetë 1.288.021.874 lekë dhe pas çdo viti do të ulet gradualisht, deri në 996.983.257 lekë në vitin e fundit.
Sipas relacionit, kosto e ndërtimit të një shkolle, në varësi të tipit varion nga 185 milionë lekë (pa ambiente të kopshtit), deri në 376 milionë lekë.
Mbulimi
Shpenzimet e koncesionit do të mbulohen përmes të ardhurave të Bashkisë dhe Granteve të Kushtëzuara që Ministria e Financave do të japë për këtë projekt. Të ardhurat e Bashkisë së Tiranës për këtë projekt do të gjenerohen nga Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore, e cila është vendosur në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 59, datë 30.12.2015, “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore për qytetin e Tiranës”.
Të ardhurat nga Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore janë planifikuar të jenë 870 milionë lekë në vitin 2016, ndërkohë që këto të ardhura parashikohet të rriten në 940 milionë lekë në vitin 2017 dhe 1 miliard lekë në vitin 2018.
Kjo taksë e përkohshme është vendosur për një periudhë 7-vjeçare dhe për vitet 2019-2022, të ardhurat vjetore parashikohet të jenë rreth 1 miliard lekë. Të ardhurat nga transferta specifike nga Ministria e Financave do të jenë në masën 700 milionë lekë në vit. Në këtë mënyrë, fondi në dispozicion të Bashkisë së Tiranës për kryerjen e pagesave periodike parashikohet të jetë rreth 1 miliardë e 700 milionë lekë në vit.
Opsioni
Nisur edhe nga përcaktimet zyrtare të kostos së ndërtimit të një shkolle, duket se tabelat e hartuara nga ekspertët e Bashkisë janë në rregull. Por janë dy momente që nuk duken fort të qarta në aspektin financiar të këtij projekti.
Së pari, norma mesatare e interesit të një kredie 7-vjeçare të dhënë nga bankat që operojnë në Shqipëri është mesatarisht 6.5 për qind. Ky interes është më i lartë se 6.28%, që parashikohet nga Bashkia për koncesionarin/ët privat, pra privati do të rezultonte me humbje nëse merrte kredi bankare dhe pastaj arkëtonte një fitim më të vogël se interesi që duhej t’i paguante bankës.
Së dyti, Bashkia rezulton se është e gatshme të paguajë një marzh fitimi 6.28% për privatin. Por, në rast se do të shfrytëzonte një fond të përfituar nga shteti nëpërmjet shitjes së bonove të thesarit njëvjeçare, sipas normës aktuale të tyre, do të paguante tri herë më pak: 2.1 për qind në vit. Për më tepër, sipas ligjit, edhe vetë Bashkia ka të drejtë të organizojë ankande të letrave me vlerë.
Lidhur me këto çështje, Bashkia nuk jep ende asnjë sqarim.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com