TIRANË- Ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj,  pronari i kompanisë Investital LLC, u arrestuan me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milion euro.

Biznesmeni Rjepaj ndodhej me pushime në Dhërmi kur dhe i janë vënë prangat mbrëmjen e djeshme (16 gusht 2023)  pasi kishte refuzuar të paraqitej për të dëshmuar në SPAK lidhur me procedurat e koncesionit për sterilizimin e përsonalizuar të pajisjeve kirurgjikale një përdorimshe. Ndërkohë sot u mësua dhe arrestimi i ish zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i cili ka qenë në krye të komisionit të prokurorimit publik në shkurt të 2013 kur u hap gara për koncesionin.

Me kërkesë të prokurorit Edvin Kondili, Gjyqtari i  GJKKO, Erion Bani, caktoi masa sigurie edhe ndaj 6 personave të tjerë, zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit.

“Arrest shtëpie” u caktua për Saimir Kadiun drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa për mjekun Arben Gjata me detyrë shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. është caktuar masa 'detyrim me paraqitje'.

Për 6 zyrtarët e mjekësisë veprat penalet të shënuara në dosje nga SPAK, janë 'falsifikim dokumentesh' dhe 'shpërdorim detyre', ndërsa vetëm për biznesmeni Ilir Rrapaj akuzohet për 'Mashtrim'.

Pritën ardhjen e Ilir Rrapajt në Shqipëri, me pushime në Dhërmi
Prokurori i SPAK mësohet se i ka dërguar kërkesat për masa sigurie në gjykatë dy muaj më parë dhe GJKKO firmosi masat e sigurisë më 23 qershor 2023, ndërsa zbatimi i tyre u bë dy muaj më pas, këtë gusht. Burime për Report TV bëjnë me dije se vonesa prej dy muaj për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme është kryer për shkak se SPAK ka pritur ardhjen ne Shqipëri të Ilirjan Rrapaj. Mësohet se biznesmeni ka hyrë në Shqipëri nga Italia dhe ndodhej në Dhërmi me pushime kur dhe iu vunë prangat. Dhe mbrëmjen e djeshme u  transferua në Tiranë.

Veçohet dosja e Ilir Beqajt
Nga ana tjetër materialet për ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj janë veçuar në një çështje tjetër, ndërsa brenda gushtit pritet të mbyllen hetimet edhe për Koncesionin e Check-Up-it.  Ilir Beqja, rreth një muaj më parë u thirr në SPAK dhe u pyet nga prokurori Edvin Kondilli në lidhje me dhënien e koncesionit të sterilizimit. Beqaj, u mbajt për më shumë se 8 orë në prokurorinë e Posaçme, ndërsa ishte thirrur si një person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, e jo si i pandehur.

I vetmi politikan i arrestuar për koncesionin 
Klodian Rjepaj është i vetmi politikan i arrestuar për këtë çështje deri tani. Gjatë hetimeve të nisura më 13 janar 2020, Klodian Rrjepaj  u pyet për 3 herë rresht si kryetari i komisionit të prokurimit publik. Gjithashtu u pyetën edhe anëtarë të komisionit kur në shkurt 20213 u hap gara për koncesionin. 

Në vitet 2009-2012, Rjepaj ka qënë Drejtor Kabineti në Ministrinë e Shëndetësisë, kohë kur kjo ministri drejtohej nga Petrit Vasili, kur LSI ishte në koalicion me Sali Berishën. 

Dëshmon dhe Shkëlqim Cani
Për më shumë se 3 orë SPAK mori në pyetje edhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, në cilësinë e dëshmitarit për koncesionin e sterilizimit.

‘Kam dhënë përgjigje për ato që më ka kërkuar institucioni në zbatim të ligjit. Ç’donte Ilir Rrapaj me mua, nga ta gjej unë lidhjen! Pse duhet ta njoh unë atë. Unë nuk jam ministri që kam kryer pagesat, pasi kur ka filluar koncesioni unë jam largua nga detyra. Jam i detyruar me ligj që kur plotësohet dokumentacioni të jap pëlqimin. ‘- tha Cani.

Dosja 348 faqe
Dosja e SPAK përbëhet nga 348 faqe. Ndër gjetjet e konstatuara janë dhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë. Ndërkohë kompanisë fituese iu dorëzua një qendre moderne sterilizimi, ndërtuar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza me kredi nga qeveria, por ajo nuk u vu asnjëherë në funksionim.

Koncesioni i sterilizimit

Kontrata e Partneritetit Publik-Privat parashikonte sterilizim të përsonalizuar të pajisjeve kirurgjikale një përdorimshe. 

Pronari i kompaninë me seli në Prishtinë, “Investital LLC”, Ilir Rrapaj, zotëron 40 për qind të aksioneve të subjektit “SaniService” i cili në vitin 2015, fitoi koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar. Pjesa tjetër e aksioneve të kompanisë “SaniService” zotërohet nga tri subjekte, përkatësisht, SERVIZI ITALIA S.P.A, 30%, Tecnosanimed 15% dhe U.JET 15%. Mediat kanë raportuar se Rrapaj, ishte emigrant në Itali por u kthye në Tiranë pas fitores së Partisë Socialiste ku fitoi kontratën koncesionare 100 milionë euro.
Afati i koncesionit është 10 vjeçar ndërkohë bilancet vjetore të dorëzuara në QKR nga kompania fituese për periudhën 2016-2022, tregojnë se të ardhurat në formën e pagesave nga buxheti i shtetit janë 8 miliardë lekë, ose 76 milionë euro.

Dritë hijet e koncesionit
Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Rrapaj e kishte themeluar kompaninë e tij “Investal LLC” në Prishtinë, ndërsa prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë, ku drejtonte një kompani të vogël ndërtimi. Në 2016 Prokuroria e Tiranës deklaroi se kontrata e sterilizimit nuk kishte elemente të veprës penale dhe e mbylli dosjen, por hetimi rinisi pas 3 vitesh kur Nisma Thurje dërgoi një denoncim në SPAK-un e sapokrijuar. 

Hetimi për koncesionin e sterizilimit  nisi në 13 janar 2020 për veprat penale  “Shpërdorimi i detyrës” e “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Masat e sigurisë
Klodjan Rjepaj- 'arrest me burg' i akuzuar për 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Ilir Rrapaj- 'arrest me burg' i akuzuar për 'Mashtrim'
Saimir Kadiu- 'arrest shtëpie' i akuzuar për 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Marsela Serjana- arrest shtëpie, e akuzuar  'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Arben Gjata- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Naile Ajazi- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Genc Byrazeri- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Petri Mersini- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'

*Raportoi për Shqiptarja.com dhe Report Tv gazetarja Keti Banushi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:51
Prokurori Kondili: Ish-ministrat Ilir Beqja dhe Shkëlqim Cani, nën hetim për koncesionin e sterilizimit

 

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Prokurori i çështjes, Edvin Kondili i tha BIRN ata janë në hetim për rolin e tyre në dhënien e koncesionit të sterilizimit.

Ora 13:35
Koncesioni i sterilizimit/ Ish-ministri Shkëlqim Cani 3 orë në SPAK: S’e njoh biznesmenin Ilir Rrapaj! Nuk jam ministri që kam kryer pagesat

 

Ka përfunduar dëshmia në SPAK e ish-ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Shkëlqim Cani. Në një dalje për mediat ai tha se duhet të ruaj sekretin hetimor e se ai ka zbatuar ligjin. Cani u shpreh se ka dhënë miratimin për koncesionin pasi ishte plotësuar dokumentacioni. Cani u shpreh se në momentin që kanë filluar pagesat ai nuk ishte ministër.

‘Jam njeriu që duhet të ruaj sekretin hetimor. Nuk mund të flas me detaje se çfarë ndodhi. SPAK-u duhet falënderuar bashkë me ju pasi po punojnë për zbulimin e të vërtetës. Jam gati të përballem me drejtësinë. Kam qenë i hapur për çdo çështje. Unë kam dhënë përgjigje për ato që më ka kërkuar institucioni në zbatim të ligjit.

Ç’donte Ilir Rrapaj me mua, nga ta gjej unë lidhjen! Pse duhet ta njoh unë atë. Unë nuk jam ministri që kam kryer pagesat, pasi kur ka filluar koncesioni unë jam largua nga detyra. Kam qenë dakord. Unë them nëse plotësohet dekomunetacion jam i detyruar të zbatoj ligjin. Jam i detyruar me ligj që kur plotësohet dokumentacioni të jap pëlqimin. ‘- tha Cani.

Ora 12:33
Zëri i Amerikës: Beqaj kontakte të shpeshta me Ilir Rrapajn, fituesin e koncensionit

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar arrestoi sot nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikim dhe mashtrim ish zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, lidhur me koncesionin e sterilizimit të 8 vjetëve më parë.

Biznesmeni Rrapaj u arrestua dje në mbrëmje ndërsa SPAK ka lëshuar 8 urdhër arreste; krahas dy arrestimeve, dy zyrtarë të tjerë Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj janë në arrest shtëpie, ndërsa 4 të tjerë detyrim paraqitje, Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë, Pertef Mersini, Genc Burazeri, Naile Ajazi.

Ish ministri i Financave Shkëlqim Cani u thirr sot nga SPAK-u si person që ka dijeni rastin, për të shpjeguar qëndrimet hezituese të tij para se kjo kontratë të miratohej.

Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë euro iu dha kompanisë SaniService, një bashkkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij Investital LLC është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Kontrata e Partneritetit Publik-Privat parashikonte sterilizim të përsonalizuar të pajisjeve kirurgjikale një përdorimshe.

Për çështjen e sterilizimit SPAK ka marrë dëshmi edhe nga ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me të cilin biznesmeni Rrapaj kishte vendosur kontakte të shpeshta.

Beqaj ka hedhur poshtë dyshimet për favorizime korruptive në kontrata.Prokuroria e Tiranës deklaroi në vitin 2016 se kontrata e sterilizimit nuk ka elemente të veprës penale dhe e mbylli dosjen, por hetimi rinisi pas 3 vitesh kur Nisma Thurrje dërgoi një denoncim në SPAK-un e sapokrijuar.

Drejtuesi i Nismës Thurrje, Endri Shabani, reagoi sot me një mbështetje për SPAK-un, që po heton këtë çështje, duke theksuar se “populli shqiptar pret drejtësi një orë e më parë”. Opozita mbështeti SPAK-un, duke e nxitur që t’i shkojë kësaj çështje deri në fund.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama, dhe “SPAK duhet t’i shkojë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, të cilët presin dhe meritojnë drejtësi”.

Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Rrapaj e kishte themeluar kompaninë e tij “Investal LLC” në Prishtinë, ndërsa prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë, ku drejtonte një kompani të vogël ndërtimi.

Dyshime të tjera lindën lidhur me vlerën e kontratës, që bazohej në një numër të caktuar operacionesh kirurgjikale, duke rritur kostot për buxhetin e shtetit.

Kompanisë fituese iu dorëzua një qendre moderne sterilizimi, ndërtuar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza me kredi nga qeveria, por ajo nuk u vu asnjëherë në funksionim./VOA

Ora 12:31
Koncensioni i sterilizimit, SPAK jep njoftimin zyrtar! Për çfarë akuzohen ish zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe biznesmeni i arrestuar

1692268322_SPAK1.jpg

SPAK ka dhënë njoftimin zyrtar për firmosjen e 8 masave të sigurisë lidhur me hetimet për koncensionin e sterilizimit.

Sipas njoftimit të SPAK hetimet kanë nisur që në janar të 2020 ndërsa vendimi është dhënë 2 muaj më herët.

Masat e sigurisë dhe akuzat:

Klodjan Rjepaj- arrest me burg për shpërdorim detyre, “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim

Ilir Rrapaj- arrest me burg për mashtrim

Saimir Kadiu- arrest shtëpie për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

Marsela Serjana- arrest shtëpie për  falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

Arben Gjata- detyrim paraqitje për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

Naile Ajazi- detyrim paraqitje për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

Genc Byrazeri- detyrim paraqitje për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

Petri Mersini- detyrim paraqitje për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

Njoftimi i plotë i SPAK

Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e policisë gjyqësore janë kryer një numër jashtëzakonisht i madh veprimesh hetimore në analizë të të cilave (deri në këtë fazë të hetimit) me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.49 akti datë 23.06.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:

 1.      Caktimin ndaj personit nën hetim K.R. të masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

2.      Caktimin ndaj personit nën hetim I.Rr, të masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.

3.      Caktimin ndaj personit nën hetim M.S. të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

4.      Caktimin ndaj personit nën hetim S.K. të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

5.      Caktimin ndaj personit nën hetim A.Gj. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

6.      Caktimin ndaj personit nën hetim P.M. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

7.      Caktimin ndaj personit nën hetim G.B. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

8.      Caktimin ndaj personit nën hetim N.A. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenvete” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

Vendimi për caktimin e masave të sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë                                                          

Ora 12:19
Koncesioni i sterilizimit, Urdhër arresti u firmos 2 muaj më parë, pse u mbajt sekret? Biznesmeni Rrapaj u arrestua teksa ishte me pushime në Dhërmi

1692267587_1692267564WhatsAppImage20230817at121413PM.jpeg

 GJKKO ka vendosur masat e sigurisë që më 23 qershor, ndërkohë që janë ekzekutuar vetëm ditën e djeshme 16 gusht 2023. 

Burime për Report TV bëjnë me dije se vonesa prej dy muaj për ekzekutimin e vendimit të gjykatës së posaçme është kryer për shkak se SPAK ka pritur ardhjen ne Shqipëri të Ilirjan Rrapaj. 

Mësohet se biznesmeni ka hyrë në Shqipëri duke ardhur nga Italia. Burime për Report Tv bëjne me dije se Ilri Rrapaj është arrestuar në Dhërmi nga policia e Vlorës për llogari të SPAK, Ai ka qenë në Dhërmi me pushime dhe është transferuar dje në Tiranë.

Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë euro iu dha kompanisë SaniService, një bashkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij Investital LLC është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Rrapaj e kishte themeluar kompaninë e tij “Investal LLC” në Prishtinë, ndërsa prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë, ku drejtonte një kompani të vogël ndërtimi.
Dyshime të tjera lindën lidhur me vlerën e kontratës, që bazohej në një numër të caktuar operacionesh kirurgjikale, duke rritur kostot për buxhetin e shtetit. Kompanisë fituese iu dorëzua një qendre moderne sterilizimi, ndërtuar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza me kredi nga qeveria, por ajo nuk u vu asnjëherë në funksionim.

Ora 11:47
Arrestimet e SPAK për koncesionin e sterilizimit, gjyqtari i sugjeroi prokurorit të nisë hetimet edhe për ish-ministrat Ilir Beqja dhe Shkëlqim Cani

1692265930_erionbaniedvinkondilli.jpg

Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi raporton se gjyqtari Erjon Bani në një vendim të pazakontë i ka sugjeruar prokurorit të çështjes për tenderin e sterilizimit Edvin Kondilit, që të nisë hetimet dhe të marrë të pandehur edhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja si dhe ish-ministrin e Financave Shkëlqim Cani.

Për herë të parë ndodh që GJKKO të vendosë masat e sigurisë që më 23 qershor, ndërkohë që janë ekzekutuar vetëm ditën e djeshme nga prokurori Edvin Kondli. Vonesa prej dy muaj për ekzekutimin e vendimit të gjykatës së posaçme SPAK, është kryer për shkak se SPAK ka pritur ardhjen në Shqipëri të Ilirjan Rrapaj. Rrapaj ka hyrë në Shqipëri duke ardhur nga Italia.

Nga ana tjetër gjyqtari Erjon Bani ka vendosur të njëjtat masa siç ka kërkuar prokurori Edvin Kondili, por i ka sugjeruar që 8 masat të jenë 'arrest me burg' për të gjithë sepse nuk janë në proporcion të drejtë për të gjithë personat, pasi vepra penale që kanë kryer është e njëjtë për të gjithë dhe i kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm shtetit.

Veprat penale të shënuara në dosje nga SPAK, janë falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj akuzohet për 'Mashtrim'.

Ora 11:01
Hetimi i SPAK për koncesionin e sterilizimit, GJKKO firmosi masat e sigurisë 2 muaj më parë

1689340513_spak1.jpeg

Report Tv mëson se vendimi për masat e sigurisë për hetimet për koncesionin e sterizlimit janë firmosur më 23 qershor të këtij viti nga gjyqtari Erjon Bani. Një ditë më para ka qenë prokurori i çështjes Edvin Kondilli i cili ka kërkuar që të ekzekutohen masat e sigurisë.

Ora 10:35
Koncesioni i sterilizimit, vijon i ndarë hetimi për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqajn

Burime për gazetaren e Report Tv Keti Banushi bëjnë me dije se pritet që të ketë edhe persona të tjerë në lidhje me hetimet për tenderin e sterilizimit.

Ndërkohë bëhet me dije se hetimi për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqajn vijon por çështja për të është ndarë dhe po hetohet më vete. Po ashtu vijon hetimi ndaj ish-ministrit edhe për tenderin e Check-Up me vlerë 130 mln euro e sipas gazetares Keti Banushi hetimet pritet të mbyllen brenda muajit gusht.

Ilir Beqja, ish ministër i Shëndetësisë, rreth një muaj më parë u thirr në SPAK dhe u pyet nga prokurori Edvin Kondilli në lidhje me dhënien e koncesionit të sterilizimit. Beqaj, u mbajt për më shumë se 8 orë në prokurorinë e Posaçme, ndërsa ishte thirrur si një person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, e jo si i pandehur. 

Çështja u kallëzua gjatë vitit 2019 nga “Nisma Thurje”.

Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”. Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. 

Ora 10:00
Hetimi për koncensionin e sterilizmit, ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani merret në pyetje në SPAK

 

Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani është paraqitur në SPAK pasi është thirrur si dëshmitar për koncesionin e sterilizimit. Ish-ministri do të pyetet si person që ka dijeni në lidhje me këtë koncesion që ka çuar disa persona në pranga. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Cani është thirrur për të dhënë shpjegime ne lidhje me një shkresë të firmosur nga Ministria e Financave në 2015 që ka lidhje me këtë tender.

Ora 09:23
Koncensioni i sterilizimit, detyrim paraqitje për Shefin e Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata! Çfarë dëshmoi rektori i Universitetit të Mjekësisë në SPAK

1692257052_arbengjata2gigapixelstandardwidth4500px.jpg

Rektori i Universitetit të Mjekësisë njëherësh shefi i kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata i  është caktuar masa detyrim paraqitjeje nga SPAK lidhur me hetimin e koncensionit të sterilizimit.

Mes personave për të cilët SPAK lëshoi masën ‘detyrim paraqitje’ për çështjen e koncensionit të sterilizimit, figuron edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë njëherësh shefi i kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata.

Në vitin 2015 ai ka qenë komisionin e koncensionit e sterilizimit. Më poshtë gjeni dëshminë e tij në SPAK siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’ 

Gjata shprehej se infeksionet spitalore, ishin arsyeja kryesore, se përse koncesioni ishte mënyra e vetme për të përmirësuar situatën në spitalet në vend dhe për të patur një shërbim me cilësor. Por asnjë prej anëtarëve nuk shpjegoi dot, sesi kostot u rritën dhe se përse ata nuk kishin mundur të parashikonin këtë gjë.

“Nga eksperienca që kam në këtë fushë mënyra e procedimit me prokurim të zakonshëm mund të çonte në dështim. Do duhej që të gjitha shërbimet e parashikuara të prokuroheshin me procedura të veçanta. Përsa i përket prokurimit të instrumentarit, mesa jam në dijeni, procedura e fundit e prokurimit të tyre është bërë në vitin 2004. Kompanitë seriozë që ofrojnë cilësinë më të lartë nuk janë të interesuara për tregun shqiptar. Ndërsa koncesioni në fjalë tërhoqi një kompani serioze, siç ishte ajo që fitoi procedurën.”, theksoi Gjata.