Epoka e Cristiano Ronaldos me fanellën e kombëtares së Portugalisë duket se po i afrohet fundit. Sipas motrës së tij, Kátia Aveiro, Botërori 2026 do të jetë turneu i fundit i legjendës portugeze me ekipin kombëtar.

Vetëm pak orë para sfidës së Portugalisë ndaj Kroacisë në Toronto (sot 01:00), Kátia Aveiro bëri një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv.

"Sipas informacionit që kam, ai mund t’i thotë lamtumirë kombëtares. Jo sot, por besoj se kjo është përshëndetja e fundit. E kam fjalën për kombëtaren e Portugalisë. Sipas një burimi të besueshëm, Botërori do të jetë ‘vallja e fundit’ e tij", u shpreh ajo për Sport TV.

Nëse ky skenar konfirmohet, Ronaldo do ta mbyllë karrierën ndërkombëtare si futbollisti me më shumë paraqitje në historinë e Portugalisë, me 232 ndeshje (duke përfshirë edhe atë ndaj Kroacisë), si dhe si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 145 gola.

Gjatë karrierës së tij me kombëtaren, 41-vjeçari ka fituar tre trofe të rëndësishëm: Euro 2016 dhe dy edicione të UEFA Nations League. Megjithatë, trofeu i Botërorit mbetet ende ëndrra e madhe që nuk ka arritur ta realizojë me Portugalinë, ndaj synon ta mbyllë aventurën ndërkombëtare pikërisht me këtë objektiv.

Kátia Aveiro mbrojti gjithashtu vëllanë e saj nga kritikat, duke theksuar se askush nuk mund ta zbehë atë që ai ka arritur gjatë më shumë se dy dekadave në futboll.

"Ata që e kuptojnë futbollin duhet ta vlerësojnë Ronaldon. Ai ka dominuar për më shumë se 20 vite. Shikoni nga kemi ardhur si familje dhe çfarë sakrificash ka bërë nëna jonë. A mendoni se kritikat do të ndikojnë në lumturinë tonë? Kurrë!", deklaroi ajo.

Në fund, motra e pesë herë fituesit të Topit të Artë u shpreh krenare për rrugëtimin 23-vjeçar të Ronaldos me fanellën e Portugalisë.

"Më e rëndësishmja është të shijojmë këto mbi 20 vite që kemi përjetuar. Jam jashtëzakonisht krenare. Kam qenë në Katar dhe jam edhe këtu. Është një krenari e madhe. Kam besim se në fund do të buzëqeshim. Cristiano është më i qetë se ne dhe transmeton shumë besim. Kushdo qoftë kundërshtari, duhet të jemi të përgatitur për ta përballuar", tha ajo.