“Do të marrim pluhurin bërthamor të Iranit”. Me këtë frazë, Donald Trump riktheu të dielën presionin ndaj Teheranit, duke e bërë të qartë se çdo marrëveshje do të kalojë nga çmontimi i programit bërthamor.
Gjatë një interviste për Fox News, presidenti amerikan tha se Irani mund të afrohet vetë për bisedime nëse dëshiron t’i japë fund konfliktit me SHBA-ve dhe Israelit.
“Nëse duan të flasin, mund të vijnë tek ne ose të na telefonojnë. Ka telefon, kemi linja të sigurta”, deklaroi Trump
Ai theksoi se negociatat janë të ndërlikuara, duke shtuar: “Disa nga njerëzit me të cilët po merremi janë të arsyeshëm, të tjerë jo”, duke shtuar se shpreson që Irani “të jetë i zgjuar”.
Në planin ndërkombëtar, ai kritikoi aleatët, duke thënë se NATO “nuk ishte aty” për SHBA-të në këtë përballje, ndërsa për Kinën u shpreh se mund të luajë rol më të madh, por pa u shfaqur shumë i zhgënjyer nga qëndrimi i Pekinit.
Përpjekjet për të rifilluar dialogun u zbehën në fundjavë pasi Trump anuloi vizitën e planifikuar në Islamabad nga të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka vijuar kontaktet diplomatike me vendet ndërmjetëse në rajon, pa pjesëmarrjen e SHBA-ve.
Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, ndërsa Perëndimi dhe Izraeli dyshojnë për përdorim ushtarak.
Edhe pse armëpushim ka ndalur përkohësisht përshkallëzimin pas sulmeve të 28 shkurtit, ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.
Konflikti ka shkaktuar mijëra viktima, rritje të çmimeve të naftës dhe pasiguri në ekonominë globale.
Ndërkohë, Irani ka kufizuar lëvizjen në Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për furnizimin botëror me naftë, ndërsa SHBA ka vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se vendi i tij nuk do të pranojë “negociata të imponuara” nën kërcënim apo bllokadë, duke kërkuar fillimisht heqjen e kufizimeve.
Nga ana tjetër, po sot Trump pretendoi për përçarje brenda lidershipit iranian, një akuzë që Teherani e mohoi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se sistemi i naftës i Iranit mund të “shpërthejë” brenda tre ditësh, në rast të ndërprerjeve të mëtejshme të infrastrukturës energjetike të vendit. Trump shpjegoi për Fox News se, nëse nafta nuk mund të transportohet, “ajo vazhdon të grumbullohet mekanikisht dhe nëntokë”, duke rritur presionin në sistemet e tubacioneve dhe në strukturat nëntokësore, deri sa të shkaktojë “një çarje ose një shpërthim që mund të dëmtojë sistemin në mënyrë të përhershme”. Presidenti shtoi se, edhe në rast rindërtimi, infrastruktura mund të rikthehet vetëm në rreth “50%” të kapacitetit të saj aktual, duke e cilësuar këtë skenar si një pasojë “shumë, shumë të fuqishme”.

Presidenti amerikan u shpreh të dielën se SHBA synon të marrë kontroll mbi programin bërthamor iranian.
“Do të marrim ‘pluhurin bërthamor’ të Iranit, si pjesë e negociatave” tha Trump në një intervistë për rrjetin Fox
Sipas Trump, materiali ishte varrosur pas sulmeve ajrore të SHBA ndaj objekteve bërthamore iraniane vitin e kaluar.
Termi “pluhur bërthamor” është përdorur nga Trump për të përshkruar uraniumin e pasuruar, për të cilin Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka thënë se mbetet i groposur thellë nën tokë pas goditjeve amerikane në qershor ndaj tre objekteve kryesore bërthamore.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaron se lufta me Iranin është drejt fundit dhe se SHBA do të dalin fituese.
Në një intervistë për Fox News, një ditë pas sulmit të ndërmarrë nga Uashingtoni, Trump u shpreh i sigurt për rezultatin e konfliktit.
“Lufta me Iranin do të përfundojë shumë shpejt dhe ne do të dalim qartësisht fitimtarë”, tha ai.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se Kina po i jep njëfarë ndihme Iranit në konfliktin aktual, por sipas tij, kjo mbështetje është e kufizuar.
Në një intervistë për Fox News, duke iu referuar rolit të Pekinit në krizë, Trump u shpreh se “mund të bëjnë shumë më tepër”,
Megjithatë, ai shtoi se nuk është “shumë i zhgënjyer”, duke e relativizuar qëndrimin ndaj Kinës.
“Ata mund të bëjnë më shumë. Nuk jam i zhgënjyer në mënyrë të tepruar. Edhe ne ndihmojmë të tjerët”, tha Trump, duke sjellë si shembull mbështetjen amerikane për Ukrainën.
Presidenti amerikan madje vuri në dyshim nivelin e kësaj ndihme, duke theksuar se “e kemi ndihmuar Ukrainën dhe ndoshta nuk duhej ta bënim në atë masë”.
.jpg)
Hezbollahu ka hedhur poshtë akuzat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke deklaruar se është Izraeli ai që po shkel armëpushimin në Liban.
Në një deklaratë të shpërndarë në Telegram, grupi libanez paralajmëron për “rrezikun ekstrem” të përfshirjes së autoriteteve libaneze në një marrëveshje dypalëshe mes SHBA dhe Netanyahut, për të cilën thotë se Libani nuk ka pasur asnjë rol.
Sipas Hezbollahut, “vazhdimi i rezistencës kundër pranisë së armikut izraelit në territoret tona të pushtuara dhe bombardimi i vendbanimeve të tij në veri të Palestinës së pushtuar janë përgjigje legjitime” ndaj shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit.
Në deklaratë theksohet se zgjatja e armëpushimit për disa javë duhej të sillte ndalimin e sulmeve, por “në vend të kësaj, Izraeli ka intensifikuar agresionin”, përfshirë bombardimet dhe shkatërrimin e shtëpive në jug të Libanit.
Hezbollah paralajmëron se do të vijojë të përballet me sulmet izraelite, duke shtuar se “rezistenca është e pranishme dhe e gatshme të mbrojë tokën dhe popullin e saj”.

Izraeli u siguroi Emirateve të Bashkuara Arabe një bateri të sistemit të tij anti-raketor Iron Dome, së bashku me një numër raketash interceptuese dhe trupat e nevojshme për ta operuar atë, në fazat fillestare të luftës me Iranin që shpërtheu më 28 shkurt, raporton Axios, duke cituar dy burime izraelite dhe një amerikan.
Një "zyrtar i lartë izraelit" i tha Axios se Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi i parë, përveç Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ku është përdorur ndonjëherë sistemi Iron Dome.

Një nga anijet e “flotës hije” që transporton naftë iraniane është ndaluar në Detin Arabik nga një helikopter i Marinës së Shteteve të Bashkuara. Këtë e bën të ditur Komanda Qendrore amerikane në një postim në rrjetet sociale, duke sqaruar se anija tregtare po zbaton urdhrat ushtarakë amerikanë për t’u kthyer në Iran nën shoqërim.
Sevan është një nga 19 anijet e sanksionuara nga Departamenti i Thesarit i SHBA-ve për transportimin e produkteve energjetike iraniane, naftë dhe gaz, përfshirë propanin dhe butanin, me vlerë miliarda dollarë. Komanda Qendrore ka bërë gjithashtu të ditur se që nga fillimi i bllokadës detare janë zmbrapsur 37 anije.
Situata në jug të Libanit po tensionohet sërish, duke vënë në pikëpyetje armëpushimin mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit lëshuan paralajmërime për evakuim dhe më pas goditën nga ajri objektiva të Hezbollahut. Mediat vendase raportojnë se para sulmeve në fshatin al-Mansouri, u hodhën fletëpalosje ku civilëve iu kërkua të mos hynin në zonë.
Ndërkohë, burime libaneze raportojnë për sulme artilerie ndaj disa zonave në jug, përfshirë fshatin Zawtar al-Sharqiyah.
Nga ana tjetër, Hezbollah njoftoi se ka kryer dy sulme ndaj trupave izraelite në Taybeh, duke i cilësuar si reagim ndaj shkeljeve të armëpushimit nga Izraeli.
Armëpushimi, i zgjatur së fundmi edhe me tre javë, mbetet në fuqi, por zhvillimet në terren tregojnë se situata është ende shumë e brishtë.
Komente









