Punimet në Aeroportin e Vlorës nuk kanë nisur ende. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, më 29 maj, paralajmëroi kompaninë ‘Mabco Constructions S.A’, të Behgjet Pacollit dhe ‘2A Group’ të Valon Ademit, për prishje të kontratës në rast se nuk arrihet zgjidhja e konfliktit, që rrjedhimisht ka sjellë vonesa në punimet për dorëzimin e aeroportit të Vlorës. Të njëjtën gjë ai e përsëriti dhe sot çka nxiti dhe reagimin e kompanisë ‘Mabco’.
Konfliktit mes 2 ortakëve për të drejtën e administrimit të Aeroportit të Vlorës i dha zgjidhje Gjykata e Lartë, duke i dhënë të drejtë Behgjet Pacollit.
‘Mabco’ thotë se e vetmja pengesë është moszbatimi i vendimit të Gjykatës së Lartë dhe se për këtë, duhet të marrin masa autoritetet përkatëse në Shqipëri referuar detyrimeve ligjore dhe kontraktuale.
“MABCO Constructions S.A. është investitori kryesor i huaj në projektin koncesionar të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe, si i tillë, gëzon mbrojtjen e plotë të legjislacionit shqiptar dhe të Marrëveshjes Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës”, thuhet ndër të tjera në reagim.
‘Mabco’ shkruan gjithashtu se i janë drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës me mbi 50 shkresa për situatën në Aeroportin e Vlorës, për të cilat nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Hyrja në kantier, thuhet në reagim, është ende e bllokuar nga kompania e Valon Ademit, dhe se punimet do të nisin sapo punonjësve dhe nënkontraktorëve të ‘Mabco’ t’iu mundësohet hyrja në aeroport.
Reagimi i kompanisë Mabco Constructions S.A
Shoqëria Mabco Constructions S.A. u njoh sot nëpërmjet mediave me një deklaratë të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili përsëriti se ministria ka lënë “një afat 30-ditor që të zgjidhet mosmarrëveshja për aeroportin e Vlorës”. Sipas Mabco, mosmarrëveshja e vetme që ekziston si pengesë për rikthmin e normalitetin në kantierin e aeroportit, është moszbatimi i vendimit të Gjykatës së Lartë, për të cilin autoritetet përkatëse do të duhej të ishin angazhuar sipas detyrimeve ligjore dhe kontraktuale.
Është fakt se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (“MIE”) reagoi vetëm pas shpalljes së vendimit të mbipushtetshëm të Gjykatës ë Lartë në çështjen nr. 43000-00192-00-2026, datë 26.05.2026, me të cilin u deklaruan të paligjshme vendimet e gjykatave më të ulëta dhe, për pasojë, u rrëzua i gjithë konstruksioni juridik mbi të cilin ortaku që zotëron 2% të kuotave dhe administrator i emëruar prej tij kishin pretenduar të ushtronin kompetenca në shoqëri që prej muajit tetor 2025.
Është fakt se, për MIE-në, ky vendim certifikoi qëndrimin e mbajtur në mënyrë të vazhdueshme nga Mabco Constructions S.A. në mbi 50 shkresa, kërkesa dhe njoftime zyrtare drejtuar Ministrisë.
Është fakt se MIE ka refuzuar të komunikojë me MABCO dhe se mbi 50 shkresa jo vetëm që mbetën pa përgjigje, por nuk u shoqëruan me asnjë veprim konkret për të parandaluar ose korrigjuar paligjshmërinë në zhvillim. Mosveprimi nga ana e MIE-së përbën një “Veprim Material të Pafavorshëm Qeveritar”, sipas nenit 13 të Kontratës së Koncesionit.
MABCO Constructions S.A. është investitori kryesor i huaj në projektin koncesionar të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe, si i tillë, gëzon mbrojtjen e plotë të legjislacionit shqiptar dhe të Marrëveshjes Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës. Deri më sot, Mabco ka investuar mbi 90 milionë euro, ka ekspozuar mbi 150 milionë euro në kolateral dhe ka vënë në dispozicion garanci bankare ne kërkesë të parë në vlerë mbi 70 milionë euro, duke mbajtur peshën kryesore financiare të projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Siç është në dijeni i gjithë opinion publik, Mabco dhe nënkontraktorët e saj janë bllokuar të hyjnë në kantier dhe ky bllokim vijon ende, edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe edhe pas deklaratave të Ministrisë. Ne i kemi kërkuar dhe më parë MIE-së që të angazhohet për zbatimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës së Lartë, të bëjë të mundur zhbllokimin e kantierit dhe, po ashtu, të ngrejë një grup ad hoc për zgjidhjen e situates dhe rifillimin normal të punimeve.
Ne presim që MIE të mbështesë zhbllokimin e kantierit, të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe të na mbështesë në zhvillimin normal të aktivitetit të shoqërisë VIA, ku ne zotërojmë 98% të aksioneve.
Çdo pretendim ndërmjet aksionarëve lidhur me të drejtën e votes së shoqërisë Mabco është zgjidhur përfundimisht nga vendimi i forms së prerë i Gjykatës së Lartë.
Ne mbetemi të angazhuar për përfundimin e punimeve të Aeroportit të Vlorës sapo të zhbllokohet hyrja në kantier dhe të mundësohet vijimi normal i punës nga Mabco.
Kjo deklaratë nuk përbën heqje dorë nga asnjë pretendim, e drejtë apo mjet juridik që buron nga legjislacioni vendas, Kontrata e Koncesionit, apo legjislacioni ndërkombëtar dhe çdo mekanizëm tjetër ligjor i aplikueshëm.
Si nisi përplasja për aeroportin e Vlorës?
E gjithë përplasja ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Valon Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”. Çështja përfundoi në gjykatë, ku fillimisht u pezulluan disa të drejta të “Mabco”, ndërsa më pas Apeli kufizoi të drejtën e votës së kompanisë vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e aksioneve të pretenduara nga “2A Group”.
Konflikti u thellua pas një kontrate kredie 100 milionë euro të marrë nga “Mabco” me fondin “Delphos”, duke bërë që “2A Group” të kërkonte pezullimin e administrimit dhe përjashtimin e ortakut nga shoqëria. Gjykatat e shkallëve më të ulëta i dhanë të drejtë përkohësisht kompanisë së Ademit, por Gjykata e Lartë riktheu kontrollin e aeroportit tek “Mabco”.
Komente









