Kardinali Giovanni Angelo Becciu, një nga figurat më të fuqishme në Vatikan, nuk do të marrë pjesë në Konklavën ku do të zgjidhet drejtuesi i ri i Kishës Katolike.
Ai deklaroi se këtë vendim e ka marrë për të respektuar vullnetin e Papa Françeskut dhe për të ruajtur unitetin e Kishës.
“Kam vendosur t’i bindem, siç kam bërë gjithmonë, vullnetit të Papa Françeskut për të mos marrë pjesë në Konklavë, teksa insistoj në pafajësinë time,” u shpreh ai.
Kardinali 76-vjeçar ndodhet në pritje të gjykimit të shkallës së dytë, pasi është dënuar me pesë vjet e gjashtë muaj burgim dhe ndalim të përhershëm nga postet publike për keqmenaxhim fondesh dhe mashtrim kundër Selisë së Shenjtë.
Ai ka qenë një nga protagonistët e çështjes së njohur të investimit në një ndërtesë luksoze në Sloane Avenue të Londrës. Megjithatë, në vijimësi ai ka këmbëngulur për pafajësinë e tij në këtë çështje.
Vatikani ka vendosur që Konklava për zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Katolike, pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, do të nisë më 7 maj.
Procesi do të vijojë me dy votime në mëngjes dhe dy pasdite, derisa të zgjidhet Papa i ri me një shumicë të kualifikuar prej dy të tretash, thuhet në La Repubblica.
Zhvillimet në Konklavë do të drejtohen nga Kardinali Pietro Parolin, ndërsa "bisedat vëllazërore" ndërmjet kardinalëve tashmë kanë nisur, në përpjekje për të ndërtuar konsensusin rreth udhëheqësit të ardhshëm të Kishës Katolike.
Me vendimin e Becciu-t, një nga figurat më të përfolura të Vatikanit, procesi hyn në një fazë edhe më të ndjeshme. Në pritje të 7 majit, sytë e botës mbeten të drejtuar nga Vatikani.
Komente










