TIRANË, 2 Dhjetor/ATSH-Z.Tosku/-Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, morën sot pjesë në punimet e Konventës së parë të Shërbimit Social Shtetëror me temë "Përmirësimi i shërbimit të kujdesit social për shtresat në nevojë".
Në fjalët e tyre përshëndetëse, Rama dhe Veliaj theksuan se ky është një moment për të bërë një bilanc për forcimin e një institucioni të rëndësishëm si Shërbimi Social në luftën ndaj varfërisë dhe përjashtimit social.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se situata e trashëguar nga qeveria e kaluar lidhur me shërbimet sociale ishte tepër e rëndë. "Sot jemi në kushtet kur kemi mbyllur plotësisht gropën prej 6.2 miliardë lekësh, 62 milionë dollarë, vetëm me pagesat e aftësisë së kufizuar. E, praktikisht, jemi pa borxhe dhe kemi çelur një buxhet të ri. Kjo do të thotë që kemi çdo qindarkë që na duhet për të paguar personat me aftësi të kufizuar dhe njerëzit në ndihmë ekonomike qindarkë për qindarkë dhe në kohën e duhur", tha ai.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Veliaj, falenderoi të gjithë ekipin e punonjësve socialë në Shqipëri dhe theksoi se reforma dhe decentralizimi i ofrimit të shërbimeve në sektorë kyç, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, ofrimin e kujdesit ditor dhe pagesat e asistencës sociale, ofrojnë një mundësi për t'i dhënë formë të ardhmes së shërbimeve shoqërore për Shqipërinë, në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të integruar.
"Ky është një moment për të bërë një bilanc të asaj se çfarë mund të bëjmë më mirë dhe se si të kalojmë nga një sistem, i cili ka qenë i bazuar te lëmosha, te një sistem i ri që bazohet te puna, riintegrimi në punë dhe forcimi i familjes. Shqipëria është një nga vendet më solidare në Ballkan, duke shpenzuar 50 milion dollarë për ndihmën ekonomike. Sot nuk diskutojmë asnjë ditë vonesë për pagesat e NE dhe PAK, ndërkohë që vjet në këtë periudhë qeveria e kaluar kishte 6 muaj pa dhënë pagesat", u shpreh ministri Veliaj.
Ai vuri në dukje se gjatë këtij viti, MMSR është fokusuar më shumë te politikat e punësimit dhe aftësimit. "Më vjen mirë që 10 mijë vetë kanë përfituar falas nga kurset e kualifikimit. Para se t'i bënim falas, një kurs për parukeri kushtonte 240 euro. Po nëse dikush është me ndihmë ekonomike, ku do t'i gjejë këto para? Ndërsa, sot ofrojmë mbi 40 zanate", shtoi ai.
Nga ana tjetër, Veliaj tha se reforma e pensioneve, ndonëse hyn në fuqi në 1 janar 2015, i ka dhënë tashmë frytet e saj të para. "Sot në librat e borderove të sigurimeve shoqërore kemi 81.352 të punësuar. Disa prej tyre vijnë nga vendet e reja të punës prej Fondit të Nxitjes së Punësimit, disa janë vende të zbardhura të punonjësve që kanë punuar në të zezë dhe disa të tjera nga vetëdeklarimi i të punësuarve në fshat. Por, lajmi më i mirë është se rreth 1/3 e tyre kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike", nënvizoi Veliaj. /a.ke/