Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta është takuar sërish me ish kryeministrin Sali Berisha në selinë e partisë Demokratike. Ndërkohë që kjo është e disata herë që Meta dhe Berisha takohen brenda pak ditëve, mësohet se bëhet fjalë për koordinimin lidhur me protestën që pritet të zhvillohet në Tiranë, ditën kur liderët e BE-së vizitojnë Shqipërinë. Pas daljes nga takimi Meta tha se në datën 6 dhjetor do të protestohej para kryeministrisë përballë përgjegjësit për kapjen e shtetit. 

Lideri i partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë ditës së djeshme konfirmoi se do të ishte i pranishëm në protestën e 6 dhjetorit të cilën e konsideroi si një manifestim paqësor.

Duke u përgjigjur ndaj refuzimit të kërkesës për protestë nga ana e policisë, Meta tha se kryeministri Edi Rama ishte i vetmi që cënonte rendin dhe sigurinë. Ai theksoi se qëllimi i vetëm ishte informimi i liderve të Bashkimit Europian mbi gjendjen ku ndodhej vendi.

Ndërkohë që duket se mbajtja e protestës në datën 6 dhjetor, do të jetë thuajse e pamundur pasi e marta është shpallur ditë pushimi vetëm për qytetin e Tiranës duke qenë se për mbarëvajtjen e protestës janë marrë masa të shumta sigurie duke nisur që nga bllokimi i akseve kryesore të kryeqytetit.

Policia ka refuzuar kërkesën e partisë Demokratike për mbarëvajtjen e protestës në 6 dhjetor me argumentin se cënonte sigurinë kombëtare në një ditë historike për vendin tonë ku liderët e Bashkimit Europian vizitojnë Tiranën ku do të mbahet samiti i përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pavarësisht refuzimit, Berisha shpërfilli vendimin nga policia duke deklaruar se askush nuk mund t’i ndalonte protestuesit të mblidheshin para kryeministrisë dhe të mbushin sheshet. Ndërkohë Bashkia e Tiranës sugjeroi që protesta të mbahej në sheshin ‘Skënderbej’ për të mos shkelur protokollin e sigurisë. Kreu i ‘Rithemelimit’, Sali Berisha u përgjigj me anë të një deklarate ku i kërkonte bashkisë që të mos përfshihej në këtë çështje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:14
Meta mbaron takimin me Berishën: Më 6 dhjetor protestë para Kryeministrisë, siguria nuk cenohet nga qytetarët, por nga Rama

 

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mbaroi takimin në selinë blu me Sali Berishën dhe duket se do ta vazhdojë ta mbështesë atë në protestën që ka paralajmëruar më datë 6 dhjetor, kur në Tiranë do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Në një dalje për mediat, Meta tha se sigurinë nuk e cenojnë qytetarët, por kryeministri Edi Rama.

“Jemi për Shqipërinë europiane jo për regjim policor. Në datën 6 përballë përgjegjësit për kapjen shteti dhe minimin e procesit të integrimit europian për vite të tëra. Sigurinë e Europës e cenon vetëm mafia që përdor shtetin për ta kthyer shqip në një bazë për të gjitha llojet e trafiqeve”, tha Meta.