TIRANË- Sali Berisha dhe Ilir Meta duket se po shpërfillin shtetin sa i takon një çështje shumë të rëndësishme, sigurisë kombëtare në një ditë historike për Tiranën kur do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Deri më tani, Meta nuk e kishte bërë të qartë qëndrimin e tij për protestën e thirrur nga Sali Berisha më 6 dhjetor, por sot konfirmoi se do t’i bashkohet edhe Partia e Lirisë. Nga Varrezat e Dëshmorëve, ku bëri homazhe për 78-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë, Meta theksoi se më 6 dhjetor të do të jenë para kryeministrisë për të protestuar, ndërsa sipas tij do të jetë thjeshtë një tubim paqësor.

I pyetur për përgjigjen e dhënë nga policia se nuk mund të zhvillohet protesta në Bulevard pasi cenohet siguria kombëtare, Meta u shpreh se i vetmi këtu që cenon sigurinë është kryeministri Edi Rama. Sipas tij, i vetmi qëllimi i kësaj proteste është që të ti japin një mesazh BE-së për gjendjen në të cilën vendin ndodhet. Madje sipas Metës, kjo nuk është vetëm një protestë, por edhe një mundësi falënderimi për liderët e BE-së për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

"Siguria në Shqipëri është nën kërcënimin e mafias në pushtet dhe kurrsesi të qytetarëve të lirë. Së dyti nuk është protestë ndaj kryetarit të bashkisë, pasi bileta e tij është pa kthim më 14 maj, por është njoftuar manifestim pro europian që e gjithë Shqipëria dëshiron të japë mesazh mirënjohje për vendimin me rëndësi edhe gjeopolitik të BE, për të nxitur Shqipërinë dhe vendet e tjera që të ecin në rrugën e integrimit europian. Në Shqipëri nuk ka asgjë dhe s’duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se kushtetuta dhe mbi kushtetutën është populli europian i Shqipërisë. Dhjetori është muaji i demokracisë. Manifestim paqësor. Dhjetori është muaji i demokracisë dhe Europës", tha Meta. 

Ndonëse, Policia e Shtetit i ka refuzuar kërkesën e Rithemelimit për të zhvilluar protestën më 6 dhjetor në Bulevard me argumentin se cenohet siguria kombëtare, Berisha ka shpërfillur duke theksuar se do të mblidhen para Kryeministrisë dhe do të derdhen në sheshe, ndërsa qëndrimit të tij ju bashkua sot edhe Ilir Meta. Pas refuzimit nga Policia edhe bashkia refuzoi mbajtjen e protestës në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', ndërsa i sugjeroi Rithemelimit që ta mbajnë protestën në sheshin 'Skëndërbej'. Berisha, iu përgjigj përmes një deklarate për mediat, duke i kërkuar bashkisë që të mos përzihet në këtë çështje.

Sipas dokumentit të siguruar nga Shqiptarja.com policia i bën me dije të gjitha rrugët të cilat janë caktuar si perimetri i sigurisë dhe brenda këtij perimetri nuk lejohet organizimi i protestës, por që mund të zhvillohet në një vend tjetër. Ndërkohë që Shqiptarja.com ka mësuar gjithashtu se Godina e Kryeministrisë është edhe ajo pjesë e Perimetrit të Sigurisë edhe për shkak të një ‘Plani B’ për organizimin e një Samiti kaq të rëndësishëm, në rast se do të dështonte për arsye të ndryshme plani i parë, ai në Hotel Marriot.