PRISHTINË, 2 Prill /ATSH/.- Kryeministrja e Polonisë, Ewa Kopacz, e cila po zhvillon një vizitë në Kosovë, takoi sot Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo, të cilin e garantoi se Polonia do të vazhdojë t'i dërgojë KFOR-it ushtarët më të mirë.
Kryeministrja dhe komandanti i KFOR-it diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë dhe gjendjen social-ekonomike si dhe rolin stabilizues të KFOR-it në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan.
Kopacz theksoi se qeveria e saj do të ketë vëmendjen në dialogun që është duke u zhvilluar, falë të cilit Kosova po evoluon në drejtimin e duhur, thekson njoftimi dërguar nga KFOR.
Kryeministrja Kopacz siguroi gjeneralin Figliuolo se, Polonia do të vazhdojë të mbështesë KFOR-in edhe në të ardhmen duke dërguar ushtarët më të mirë, sikurse ka bërë që nga viti 1999.
Gjenerali Figliuolo falënderoi kryeministren në prezencë të Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Punëve të Brendshme për bashkëpunimin optimal të ushtarëve polakë, profesionalizmin e tyre dhe kontributin e jashtëzakonshëm ndaj misionit në Kosovë, ku "ata janë ambasadorë të vendit të tyre".
Pas takimit, Kopacz vizitoi kontigjentin polak të ushtarëve.
Polonia është një nga kombet më të rëndësishme kontribuese në KFOR. Aktualisht janë 250 ushtarë polakë, që janë pjesë e stafit të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, në Grupin Shumëkombësh Luftues Lindje (MNBG-E) dhe Detashmentin e Përbashkët Regjional Jug (JRD-S). Personeli polak po ashtu merr pjesë edhe në misionin e BE-së të EULEX-it./b.j/ /m.m/









