Korçë- Trupi i pajetë i një 56-vjeçari është gjetur në lagjen nr.8 në Korçë. Novruz Fiqi 56 vjeç, është personi që është gjetur në banesën e tij i pajetë. Rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm, vëllai i tij e ka pikasur që ishte i vdekur dhe ka njoftuar policinë.
Report Tv mëson se mbrëmjen e djeshme, Fiqi ka qenë i shoqëruar me dy persona të tjerë, njëri prej tyre, i identifikuar si Emiljano Nafizi.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak.
Më datë 24.08.2018, rreth orës 05:50, në lagjen nr 8 në Korçë, nga vëllai i tij, është gjetur i pajetë në banesë shtetasi N.F, rreth 56 vjeç. Nga deklarimet e marra rezulton se ky shtetas, më datë 23.08.2018, në mbrëmje, është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, me një person, në hyrjen e pallatit të tij. Pas konfliktit ky i fundit, është larguar për në banesë, ku jetonte me vëllain.Dyshohet se viktima konsumonte pije alkoolike dhe mbrëmjen e djeshme kishte konsumuar alkool. Grupi hetimor dhe ekspertët mjeko-ligjorë po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burimet bëjnë me dije se Fiqi është konfliktuar me Nafizin, i cili e ka qëlluar disa herë me grushte dhe sende të forta, duke e dhunuar barbarisht. Mësohet se Fiqi dhe Nafizi mblidhnin çdo ditë së bashku kanaçe.
Pas sherrit me Nafizin, Novruz Fiqi ka shkuar në banesën e tij në gjendje të alkoolizuar. Autori i rrahjes, Emiljano Nafizi është shoqëruar në komisariat për të marrë deklarimin. Në vendin e ngjarjes janë gjetur njolla gjaku. Nga Tirana kanë mbërritur ekspertë për të bërë autopsinë. I vëllai i tij, ka folur për Report Tv dhe ka treguar versionin e plotë të ngjarjes. Sipas dëshmisë së tij, autorët ishin dy dhe një prej tyre ishte Emiljano Nafizi.
Fqinjët kanë thënë se Fiqi ka qenë konsumator i rregullt i alkoolit. Ai jetonte së bashku me të vëllain e tij në një banesë në Korçë. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërkohë që pritet ekspertiza për të mësuar shkakun e vdekjes.
Dalin detaje nga vdekja e 56-vjeçarit në Korçë. Tefik Fiqi, vëllai i viktimës, Novruz Fiqi, që e gjeti të pajetë, ka folur për Report Tv dhe ka treguar versionin e plotë të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi kështu. Unë erdha nga puna, i lodhur i rraskapitur. I them vëllait: Çke bërë kështu? Ke pirë kaq, rrëmujëra, tërë bukëra tërë kështu. Do bëja dush unë do rruhesha. Bëra një kafe, po e pinim. Vjen ky Lanua me thes në kurriz:
”Këtu s’dua rraqe unë, këto bien erë, rri në kazan i mbledh ky.” E zunë e rrahën e bënë, e tërhoqën zvarrë nëpër shkalla, i thashë unë mirë ia bëre, po prapë ky të gjallë nuk të le i thashë unë. E mora vëllain, e ula. U vesha, mora një birrë, isha i lodhur, tërë ditën duke pastruar kazan. Pa drita jemi, 4 ditë pa drita. Nejse, kur u çova unë në sabah, pashë vëllain me çakmak dhe qiri dhe shikoj ishte pa jetë. E shpoj kështu me gisht, pashë që ishte pajetë. Erdhi doktori, e pa, tha është i vdekur. Emiljanon e morën në polici, është brenda. Unë jetoja vetëm me vëllain.
Tefik Fiqi, vëllai i viktimës