Kandidati i koalicionit “Aleanca Popullori për Punë dhe Dinjitet” në Bashkinë Korçë, Gjergj Mero ka premtuar se do të rregullojë rrugët dhe do të përfundojë ato që kanë nisur në fshatrat turistike si Voskopoja, Dardha  dhe Vithkuqi.

Në takimin me biznesin e vogël e të mesëm, Mero deklaroi se, infrastruktura e destinacioneve turistike të Korçës është në gjendje të mjeruar dhe se bashkia i ka lënë në haresë. Veçanërisht vuri në dukje aksin problematik të Vithkuqit, i cili pengon vajtjen e pushuesve në këtë zonë me vlera të mëdha kuruese.

Gjatë paraqitjes të prioriteteve të programit për turizmin, kandidati i djathtë është shprehur se, do të zbatohen projekte për zhvillimin e bujtinave në këto fshatrat si dhe do të hapen shtëpitë muze të traditës dhe punimeve artizanale.

Mero shtoi se, në programin e tij parashikohen një numër të konsiderueshëm punësimesh në ridimensionimin e turizmit malor dhe hartës se re turistike. Punimet artizanale dhe kulinaria do të jenë burimet ku bashkia e re do të përqendrojë projektet për zhvillimin e fshatrave turistikë të Korçës.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)