Kandidati I Partisë Demokratike për bashkinë e Korçës, Gjergji Mero, ishte sot në një takim me komunitetin egjiptian, ku ndër të tjera tha se në bashkinë e re ky komunitet do të funksionojë me zyrën e menaxherëve të tij. Kjo zyrë, tha Mero, do të përgatisë projekte dhe raporte për zgjidhjen e kërkesave të komunitetit.
"Varfëria ekstreme për shkak të papunësisë, mbylljes së dyqaneve dhe heqjes së qindra banorëve hallexhinj nga lista e ndihmës apo KEMP-i, kanë ardhur si pasojë e kësaj qeverisjeje në dy vjet dhe braktisjes së bashkisë për tetë vite rresht. Ne do të përcaktojmë minimumin jetik dhe me mbështetje sociale nuk do të lejojmë që njerëz nga ju, të burgosen për shkak të pamundësisë së pagesave të dritave dhe ujit", tha Mero, duke shtuar se, "bashkia nuk i trajton korcarët në mënyrë të barabartë, por me diskriminime".
Kandidati Mero tha se do të ketë program të ri pikësimi për çështjen e shpërndarjes së banesave sociale ndaj komuniteteve në nevojë.
"Me programin tim banesat sociale do t'i shkojnë të pastrehëve që kryesohen nga ju, dhe nuk do të bëhen pazare korruptive me to", theksoi Mero.
Në takim Mero sqaroi programin për ndërhyrjet në infrastrukturë, kanalizime dhe gjelbërim në zonat ku jeton ky komunitet. Ai tha se, bashkia e re do t'i trajtojë njerëzit në mënyrë të barabartë dhe se dera e tij dhe e bashkëpunëtorëve do të jetë e hapur 24 orë. Kandidati Mero premtoi se, do të ketë përkrahje financiare për studentët egjiptianë për studimet universitare. /atsh/