/ATSH-Arbi Fortuzi/.- Policia e Korçës ka parandaluar gjatë ditës së dielë tre raste të dhunës në familje, duke kryer dhe procedimet përkatëse.
Burime nga kjo polici bënë me dije se mesditën e të dielës nga seksioni për Krimet në Komisariatin e Korçës, u realizua kapja dhe arrestimi i shtetasit, Leonardo Maranaku, vjeç 20, banues në Korçë. Arrestimi i tij u bë pasi, në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj nënës se tij,  Y.M, vjeç 41, banuese në Korçë.  Materialet i  kaluan Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Korçë për veprën penale "Dhuna në familje".
Policia e Korçës gjatë ditës së dielë ka plotësuar kërkesë-padi për lëshimin  e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen e mitur  G.T ,vjeç 10, banues në Korçë, pasi nëna e saj shtetasja SH.T, vjeç 39, banuese në Korçë, në mënyrëtë vazhdueshme ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj.
Rasti i tretë është ai i mbrëmjes së djeshme, ku nga seksioni për Krimet në Komisariatin e Kolonjës filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin:  E.H, vjeç 34, banues në Ersekë. Procedimi  ndaj 34 vjeçarit filloi pasi, mbrëmjen e djeshme në Ersekë, pas një konflikti të çastit, ka ushtruar dhunë fizike ndaj  shtetases  E.I,  vjeç  32, banuese  në  Korçë, duke i shkaktuar dëmtime të ndryshme në trup. Materialet i  kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.