Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër do të hetohet në gjendje të lirë pas sherrit të një dite më parë në një servis makinash në Korçë në lagjen nr.10.

Sipas hetimeve të kryera policia informon se Erion Demolli së bashku me Ergys Themelko kanë shkuar me një automjet tek servisi i Renaldo Xhixhos, për shkak se kishin pakënaqësi për një shërbim të kryer nga ky i fundit.

Konflikti u përshkallëzua teksa 39 dhe 40-vjeçari goditën me sende të forta dhe e dëmtuan me mjet prerës pronarin. Në sherr u përfshi edhe një qytetar tjetër Lidi Meno, i cili ndodhej rastësisht servis.

Policia sekuestroi si provë materiale automjeti një bisturi-thikë dhe një gërshërë.

Njoftimi i plotë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për një konflikt midis disa shtetasve të ndodhur në lagjen nr. 10, Korçë, në përfundim të veprimeve të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e këtij rasti, bëjmë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-E. D., 39 vjeç, banues në Korçë;

-E. Th., 40 vjeç, banues në Tiranë;

-L. M., 34 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. Xh., 35 vjeç, banues në Korçë (pronari i servisit) për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Nga verifikimet e kryera rezulton se dy shtetasit E. D., dhe E. Th., kanë shkuar me një automjet tek servisi i shtetasit R. Xh., të cilin për motive të dobëta (pakënaqësi për një shërbim të kryer nga pronari i servisit) e kanë goditur me sende të forta dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës. Ndërsa shtetasi L. M., është ndodhur rastësisht në servis dhe është përfshirë në konflikt. Gjithashtu edhe 35-vjeçari R. Xh., gjatë konfliktit ka dëmtuar lehtë me mjet prerës (gërshërë pune) shtetasit E. Th., dhe L. M.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe mjetet prerëse (një bisturi-thikë dhe një gërshërë).

Pas ndihmës mjekësore të marrë në spitalin e Korçës, të dëmtuarit janë larguar në banesa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

__________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë