Historiani i njohur Llambro Filo ka mbyllur sytë përgjithmonë ditën e sotme për shkak të koronavirusit. Filo ishte i shtruar te Spitali Infektiv, por nuk ka mundur të fitojë dot betejën e tij.

Filo u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare. Ai ishte pedagog në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu, ai është edhe autor i shumë librave historikë dhe teksteve shkollore për arsimin para-universitar.


Lajmi kryesor:

4 viktima dhe 168 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit! Koronavirusi i merr jetën kirurgut dhe historianit të njohur (VIDEO)


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:19
Ndarja nga jeta e historianit, Meta: Një prej profesorëve të mi të dashur, ruaj respektin më të thellë për komunikimin e ngrohtë e njerëzor që kishte

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të historianit të njohur Llambro Filo, pasi nuk fitoi dot betejën e tij me COVID-19. Si një ish student i tij, Meta ka vlerësuar punën e tij dhe kontributin e dhënë ndër vite në fushën e Historisë. Kreu i shtetit, Ilir Meta shkruan se komunikimi i ngrohtë dhe njerëzor i tij dhe aftësitë e spikatura pedagogjike do i mungojnë të gjithëve që e kanë njohur.

"Një tjetër lajm i trishtë më hidhëroi sot, ndarja nga jeta e njërit prej Profesorëve të mi të dashur, Llambro Filo, pedagogut veteran të Departamentit të Historisë. Si ish-student i Tij ruaj respektin më të thellë për komunikimin e ngrohtë dhe njerëzor si mësimdhënës, për aftësitë e spikatura pedagogjike, por edhe si një intelektual me vlera të larta shoqërore dhe qytetare, me kontribut të shquar në fushën e Historisë, së cilës i kushtoi gjithë jetën e Tij. Duke ndarë dhimbjen me familjen Filo, të afërmit, komunitetin e nderuar të historianëve dhe të gjithë studentët e shumtë të Tij, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta! Lamtumirë i dashur Profesor! I paharruar kujtimi!" shkruan Rama.

Ora 17:11
Ndahet nga jeta historiani, profesoresha Duka: Do ta kujtojmë gjithnjë me respekt për kontributin e dhënë

Për ndarjen nga jeta të historianit Llambro Filo ka shprehur ngushëllimet edhe   profesoresha e Historisë në Universitetin e Tiranës, Valentina Duka.

Duka përshkruan dhimbjen që ndjeu kur mori vesh lajmin e hidhur, ndërsa bën një vlerësim të punës së tij dhe kontributit të dhënë ndër vite si profesor historie.

“Me keqardhje të thellë mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Llambro Filos, një nga pedagogët veterane, të Departamentit të Historisë të Universitetit të Tiranës. Ne ish-studentët dhe koleget e tij do ta kujtojmë gjithnjë me respekt profesorin e ndjere për kontributin shembullor jo vetëm si mesimdhënës dhe studiues i historisë, por edhe për komunikimin të ngrohtë dhe njerëzor me studentët dhe kolegët. Me këtë rast ne u shprehim ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të tij. Lamtumire profesori ynë i paharruar! Pushofshi në Parajsë!”, shkruan profesoresha Duka.