Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, inspektoi sot korpusin e ri të laboratorëve kombëtarë të Institutit të Shëndetit Publik, i cili do tw vihet nw funksion kwtw vit.

Godina e re është e organizuar në pesë kate, një kat nëntokë dhe katër mbi tokë, dhe do të shërbejë si qendër kombëtare reference për ekspertizën dhe kërkimin shkencor në fushën e shëndetit publik. Investimi është financuar tërësisht nga qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas autoriteteve, ky korpus që shtrihet në një sipërfaqe prej 2,900 metrash katrorë, synon të forcojë kapacitetet për parandalimin, zbulimin e hershëm dhe kontrollin e sëmundjeve infektive dhe jo vetëm. Në të do të funksionojnë dy laboratorë të nivelit të tretë të biosigurisë, ndërsa aktualisht ISHP disponon një laborator të nivelit të dytë në godinën ekzistuese.

Në strukturën e re parashikohen laboratorë të specializuar për enteroviruset, fruthin dhe rubeolën, viruset e gripit dhe viruset respiratore. Në katet e sipërme do të jenë të vendosur laboratorët e mikrobiologjisë, kontrollit të infeksioneve spitalore, parazitologjisë dhe depistimit të kancerit, si edhe laboratorë të kimisë analitike, imunologjisë dhe biokimisë.

Korpusi i ri i pritet të vihet në funksion në vitin 2026 dhe synon të krijojë një nga kapacitetet laboratorike më moderne në rajon, me teknologji të avancuar dhe standarde të larta biosigurie.

Pamje nga inspektimi u ndanë edhe nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ku ai e cilësoi korpusin e ri të laboratorëve si një investim strategjik kombëtar, që do të rrisë ndjeshëm gatishmërinë e Shqipërisë për përballimin e çdo emergjence shëndetësore.

"Korpusi i ri i Laboratorëve, referencë kombëtare e ISHP-së, një investim strategjik kombëtar që pritet të vihet në funksion në vitin 2026, do të krijojë një nga kapacitetet laboratorike më moderne në rajon. Me teknologji të avancuar dhe dy laboratorë të nivelit të lartë të biosigurisë, ky kompleks do të forcojë diagnostikimin, kërkimin shkencor dhe gatishmërinë e vendit ndaj çdo emergjence shëndetësore" shkroi Rama në Facebook.