Korrupsioni, Kompania e Fahri
Balliut “shpëlau” 1.4 mln € në 2012

Korrupsioni, Kompania e Fahri<br />Balliut “shpëlau” 1.4 mln € në 2012
TIRANE - 1.4 milionë euro janë transferuar gjatë vitit 2012 nga një kompani e mirënjohur austriake që operonte në Shqipëri, te një kompani misterioze nga Qiproja: “Windforce Estate Limited”, e cila ishte në pronësi të një kompanie tjetër “guackë”, e regjistruar në Ishujt Marshall. Pronësia më vonë është bartur te punonjësit e një zyre ligjore qipriote.

Rrjeti i gazetarisë investigative në Ballkan BIRN ka hetuar për një periudhë të gjatë veprimtarinë e kompanisë “Alpine Bau” në Ballkan dhe mes të tjerash në Shqipëri, duke zbuluar se kompania, përveçse ka fituar për një kohë shumë të shpejtë miliona euro nga buxheti i shtetit shqiptar, ka transferuar një pjesë të tyre në parajsat fiskale jashtë vendit. Administratore e kompanisë në Shqipëri ka qenë për një kohë Blegina Agolli, kunata e Fahri Balliut, shumë i afërt me Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, në atë kohë ministër i Transporteve dhe kryeministër.

Falë ndërhyrjes së tyre, kompania mori disa nga tenderat më të mëdhenj në vend, mes të tjerash, mbikalimin e Tiranës në Kamëz, rrugën Levan-Vlorë, segmentin Fratar- Tepelenë, etj. Të gjitha këto investime të ofruara nga buxheti i shtetit kapin një shumë rreth 150 milion euro. Madje, shumëkujt duhet t’i ketë mbetur në mendje fakti që Berisha e Basha, në shkurt të vitit 2007, nxituan të përuronin fillimin e punimeve për rrugën e Vlorës, në prag të zgjedhjeve lokale,
pavarësisht nga fakti se bankat evropiane financuese nuk kishin dhënë OK për projektin dhe as paratë për fondin përkatës.
 
Transfertat
Transfertat e parave drejt Qipros duhet të jenë një ndër “fluturimet” e parave nga ky subjekt jashtë vendit tonë dhe pyetja që del me këtë rast është: të kujt ishin këto para, të transferuara drejt parajsave fiskale në fundmandatin e qeverisë Berisha? Fakti u zbulua në një raport të firmës së auditit “Deloitte”, e cila qe ende e punësuar si auditor në degën e “Alpine Bau” në Tiranë më 2013. Pagesat për “Windforce” gjatë gjithë vitit 2012 ishin për punë të tilla si “përfaqësimin dhe këshillimin, asistencën materiale në të gjitha takimet, diskutimet dhe informimet”, sipas faturave të siguruara nga reporterët. Faturat u drejtoheshin menaxherëve të Tiranës, Manfred Deppe dhe Amadeo Garcia, por auditorët nuk ishin në gjendje të gjenin dokumente të tjera që kishin të bënin me marrëveshjen, duke përfshirë një kontratë ndërmjet “Alpine Bau-t” dhe “Windforce-s” sipas specifikimeve të dhëna në fatura, duke lënë të kuptohej se nuk ka një marrëveshje të tillë.

Puna konsultuese e “Windforce-s” lidhej me dy autostrada që po ndërtonin dega e Tiranës e “Alpine Bau” dhe partneri i saj grek “AEGEK”, pasi “Alpine” fitoi kontratën më 2008. Këto projekte janë paguar nga fondet e BE-së dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por, “në rrugë e sipër”, projektet për rrugët në mes Vlorës, Tepelenës dhe Levanit filluan të kushtonin gjithnjë e më shumë, duke e detyruar qeverinë Berisha që t’u drejtohej donatorëve për më shumë para. Edhe pas kësaj, projektet vuajtën nga probleme teknike dhe shkaktuan protesta të dhunshme nga fshatarët, të cilët ishin pronarë të tokës ku po ndërtohej.

Një segment, në fakt, vazhdon të jetë i papërfunduar gati pesë vjet pas datës së pritur të përfundimit më 2010. “Deloitte” deklaroi se kompania e konsulencës “Windforce” nuk ka ka dhënë ndonjë provë të punës së kryer dhe kjo bëri që “Alpine Bau” të mos kalonte auditimin financiar për Shqipërinë për vitin financiar 2012. Auditorët vërejtën që përfituesi i pagesave dhe aksionari i vetëm i “Windforce” kishte vdekur në një spital grek në prill të vitit 2013 dhe, si rrjedhojë, nuk ishte në gjendje të ofronte hollësi të mëtejme të shërbimeve që i kishte ofruar. Nuk dihet se kush ishte pronari i vërtetë i “Windforce Estate”, meqë ata që aktualisht janë në listë të punonjësve si sekretarë, drejtorë dhe aksionarë janë punonjës të një zyre juridike në Qipro – taktikë e rëndomtë ligjore për të siguruar anonimitet në parajsat famëkeqe fiskale. Një ish-anëtare e lartë e degës së “Alpine Bau-t” në Tiranë, e cila tha se kishte parë çdo kontratë që qe nënshkruar, tregoi: “Kam punuar për vite me radhë për ‘Alpine’ dhe jam e tronditur për shumën e parave që i kemi paguar kompanisë ‘Windforce Estate Limited’, për shkak se nuk pashë kurrë një kontratë apo dokument të rëndësishëm të lidhur me këtë kompani”.

Falimenti
Ndërsa paratë derdheshin jashtë kompanisë drejt parajsave fiskale, nënkontraktuesit u lanë me borxhe shumëmilionëshe. Kompanisë së ndërtimit “Alban Tirana” i detyrohet 2.5 milionë euro, pasi ajo fitoi një çështje në gjykatë ndaj Degës së Tiranës të “Alpine Bau” me pretendimin që kompania austriake padrejtësisht i kishte hequr atë në favor të “AEGEKut”. Kjo kompani nuk ka marrë ende as edhe një cent dhe ka frikë që nuk do të marrë kurrë asgjë. E-mailet e shkëmbyera ndërmjet menaxherit të degës së “Alpine Bau” në Tiranë dhe likuiduesve shqiptarë gjatë muajit maj 2014 tregojnë që “Alpine” në Shqipëri nuk ishte në gjendje të aplikojë për falimentim edhe disa muaj pas falimentimit të filialeve të saj më 2013. Në fund, “Alpine” në Shqipëri nuk kishte fonde të mjaftueshme për t’i paguar tarifat e duhura për të aplikuar për falimentim.

Skandali i Bashes dhe Balliut
Lulzim Basha, ish- ministri i Transporteve në atë kohë, ka vënë në lëvizje qeverinë shqiptare përmes një VKM-je në shtator të vitit 2007, për të paguar një shoqëri ndërtimi me vlerën 4.2 milionë euro, që përbënte dhjetë për qind të vlerës së projektit të rrugës Levan-Vlorë. Blegina Agolli (Kodra) kunata e Fahri Balliut, e cila ishte administrate
e kompanisë “Alpine Bau”, një filial i bashkëdrejtuar me shtetasin serb Sllobodan Markoviç), ka qenë në të njëjtën kohë dhe sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve prej vitit 2005 deri në vitin 2008, kur u detyrua të japë dorëheqje. Rruga Levan- Vlorë, e fituar nga filiali shqiptaro- serb i kompanisë “Alpine Bau”, kushtonte fillimisht 42 milionë euro, dhe u financua nga BERZH.

Kredia për financim u miratua nga parlamenti shqiptar në dhjetor 2007. Por, Lulzim Basha vuri në lëvizje qeverinë shqiptare që të paguante dhjetë përqind të këtij projekti qysh në shtator 2007, ende pa u lidhur kontrata me financuesin. Kjo është një shkelje e rëndë ligjore, për të cilën Kontrolli i Shtetit bën përgjegjës Lulzim Bashën.

faksimile me logo

*Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Ukrainë/ Qeveria aprovon krijimin e forcave të armatosura të specializuara në përdorimin e dronëve

Ukrainë/ Qeveria aprovon krijimin e forcave të armatosura të specializuara në përdorimin e dronëve