Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka reaguar pas bllokimit të mandarinave shqiptare, të cilat nuk hynë në tregun e Bashkimit Europian, për shkak se kishin përmbajtjeje pesticidesh mbi normat e lejuara.
Sipas Tabakut kjo është një njollë jo vetëm për eksportet, por edhe për sigurinë ushqimore në vend.
“Siguria ushqimore mungon, kontrolli mungon dhe fondet e bujqësisë janë zvogëluar ndjeshëm. Si pasojë, kemi produkte që nuk shiten në tregjet evropiane, jo vetëm për shkak të mungesës së kontrollit, por edhe për shkak të dështimit të politikave të qeverisë,” u shpreh Tabaku në një video mesazh.
Ajo shtoi se ulja e fondeve për bujqësinë dhe dështimi i skemave mbështetëse, si ajo e TVSH-së dhe fondet IPARD, kanë bërë që produktet shqiptare të mos konkurrojnë në tregje ndërkombëtare. Tabaku e konsideroi këtë situatë si pasojë direkte të korrupsionit dhe paaftësisë në menaxhimin e fondeve shtetërore.
“Korrupsioni është pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë shqiptare,” deklaroi ajo, duke nënvizuar se përparimi i bujqësisë duhet të jetë prioritet kombëtar për të mbështetur mbi 300 mijë familje shqiptare që jetojnë nga ky sektor.
Për Tabakun, zgjidhja është rritja e fondeve për sigurinë ushqimore, forcimi i kontrolleve dhe krijimi i një plani konkret për të mbështetur fermerët shqiptarë që të sjellin në treg produkte të cilësisë së lartë.