Kosovë, histori mizore në 1999:
Serbët vrisnin gjithçka që lëvizte

Kosovë, histori mizore në 1999:<br />Serbët vrisnin gjithçka që lëvizte
PRISHTINE - Slobodan Stojanoviq, komandant i pensionuar i stacionit policor në Cërna Trava , ish-anëtar i çetës IV, Detashmenti 37 i Njësisë së Policisë Speciale të Serbisë, ish-dëshmitar i mbrojtur i shtetit serb, në vazhdimin e rrëfimit të tij për e-novine sjell dëshmi tjera për krimet ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Si transmeton Telegrafi, ai përmend plaçkitjet, vrasjet mizore, varrezë masive në Tusus të Prizrenit, vrasjet në Prekaz, Drenas, Skenderaj, Opterushë, Samadraxhë...
 
Ai flet edhe për vrasjen e mjekut serb që ka thënë se do të flasë për të gjitha krimet e forcave serbe. Stojanoviq cek të ashtuquajturat spastrime të terrenit në Drenicë, vrasjet e civilëve Bajgorë, dhe urdhrin e komandantit për vrasje: “Le të rreziten”.
 
Telegrafi sjell edhe rrëfimin për vrasjen e Milosh Danillo Vllashkoviqit, ish-kreut të sektorit të analitikës dhe informatikës në SUP (Sekretariati i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë - v.j.), në Kosovë, me prejardhje malazez nga Kollashini i Ibrit, të cilin e vrasin më 16 qershor 1999 dy rezervistë të Ushtrisë jugosllave, rreth orës 16:30, në Mazgit të Obiliqit. Djali i tij, VMV, dhe gruaja MJV, si dhe gjashtë dëshmitarë që e kanë parë vrasjen e tij, thonë se ai është vrarë sepse ka mbrojtur fqinjët shqiptarë.
 
“Janë bërë hetimet kundër 17 anëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë, kundër të cilëve kemi dëshmuar. Më pas, gjykatësi hetues, Milan Dilpariq e ka marrë në pyetje vetëm B.Z.-në dhe mua, pjesërisht. Gjithçka është pezulluar. Të gjithë ishin të lirë pas tre muajsh, madje edhe Radosllav Mitroviq, i cili gjykohej edhe për rastin në Suharekë. Thuajse asgjë nga ajo për çka kam dëshmuar nuk ka ndodhur. Prokurori Dragoljub Stankoviq para gjykatores ka përshëndetur të gjithë ata që i kam akuzuar për krime lufte, e mua fare”, thotë Stojanoviq.
 
“Njerëzit që kanë marrë pjesë në këtë janë ende në polici, na ‘ruajnë’. Në Leskovc është një duzinë e policëve që merreshin me sigurimin e diskotekave e më vonë iu bashkuan Njësisë së Policisë Speciale në Kosovë. Ata gjetën edhe një duzinë tjetër të tyre. Ata kanë bërë përzgjedhje, dhe tërë këtë e dinte komandanti i Çetës, Nenad Stojkoviq. Janë organizuar qëkur është formuar njësiti, njiheshin në shpirt, sepse kanë luftuar në Kroaci dhe në Bosnjë.
 
Këta janë ata njerëz që kanë vrarë dhe plaçkitur në Kroaci dhe në Bosnjë. Edhe një nga kolegët ka dëshmuar kur ka parë vrasjet e myslimanëve (boshnjakëve - v.j.), me urdhrin e Millan Llukiqit në Vishegrad. I kanë vrarë policët tanë, leskovqanët (nga Leskovci). Këtë e di edhe Prokuroria për Krime Lufte (e Serbisë - v.j.).
 
Ekziston një varr masiv në fshatin Tusus mbi Prizren. Atje u varrosën pesëdhjetë shqiptarë, fëmijë, të moshuar, të rinj, civilë, të cilët nuk ishin të aftë për asnjë operacion luftarak. Ata u ekzekutuan, u mbështetën për muri dhe u vranë me rafalë.
 kosova ne flake ushtria serbe
(Në foto: Pjestarë të ushtrisë serbe në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999)

Kam përmendur Gllogovcin (Drenasin). Aty në një spastrim të terrenit kam parë një grup të 400-500 grave shqiptare, fëmijëve dhe pleqve. Aty një koleg imi donte të gjuante në ta, e unë e kam ndaluar sepse askush nuk ofronte ndonjë rezistencë. Pastaj u afrua një grua, që fliste në mënyrë të përkryer serbokroatisht. Kuptova se ishte myslimane nga Sarajeva, e martuar me një shqiptar.
 
Më pyeti se pse bombardojmë, se pse vrasim njerëz dhe shkatërrojmë pronën dhe bagëtinë. Tek më vonë pash tmerrin, trupa të masakruar, shtëpi të djegura nga shpërthimet. Nuk mund të besoja se kjo mund të ndodhte. Ndodhte pa asnjë veprim luftarak, pa asnjë justifikim për çdo përdorim të forcës. Askush nuk kishte të drejtë për këtë. Ndërsa, futeshin (forcat serbe - v.j.) dhe vrisnin pa ua ndier.
 
Pastaj kanë hapur ormanët, për të kërkuar para. Kur i gjenin, kënaqeshin, deheshin. Mbi Gllogovc, pas këtyre veprimeve, komandantit i është dhuruar ‘Mercedesi’ më i ri. Vrasësit serbë, shumë nga të cilët nga Bosnjë e Hercegovina, janë tashti në Xhandarmëri, në njësitet speciale të policisë, njësite të MUP-it që merren me programin për mbrojtjen e dëshmitarëve .
 
Mbaj mend një vrasje në fshatin Les, ku njëri kalëronte dhe ruante kopenë. Ishte civil, natyrisht. Edhe disa barinj ishin me të. Ata nuk kishin armë, mbase as thikë buke. Të mitë nga çeta i kanë vrarë pa asnjë arsye. Kam dëgjuar në radio zërin e komandantit Radosllav Mitroviq, i cili nga një kullë mbi Prizren përcillte të gjitha njësitet. Ai tha dhe më duket që ende e dëgjoj: ‘Çegar’ (ishte kod i joni), lërini të rreziten’. Pra, që njerëzit të vriten në gjakftohtësi. Urdhri natyrisht është zbatuar, ndërsa njerëzit vetëm na shikonin.
 
Në Skenderaj, më 1998, ishin tri të ashtuquajtura spastrime terreni: në mars, në qershor dhe në shtator. Gjatë të tretit, ku kam marr pjesë, polici Aleksandar Trajkoviq, tani në pension, njëri me nofkën Sheçerko, dhe unë, nuk e kemi harxhuar asnjë plumb. Aksioni ka zgjatur disa orë. Së pari kanë hyrë ata të Legisë (njësitet paramilitare terroriste të Millorad Ulemek - Legija), secili me xhipat e tyre, për të plaçkitur. Ne ishim pas tyre. Fshatrat ishin të djegura, kudo civilë të vrarë. Gra, fëmijë, bagëti, gjithçka që ka lëvizur është vrarë në Prekazin e Ultë dhe të Epërm. Drenica digjej.
 
ushtria serbe 1999 kosove
(Në foto: Pjestarë të ushtrisë serbe në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999)

Mbaj mend edhe krimet në Bajgorë. Kemi shkuar në anën e djathtë të rrugës. Në kamionin tonë ishte mitralozi ‘Browning’. Ne bartnim municion. Një i çmendur nga ‘Browningu’ ka shtënë drejtë një kopeje. Gjuante delet dhe njerëzit. Shihja tek vrapojnë. Nuk e di se sa ishin. Binin përtokë. Vetëm civilë. Unë e kam ndalur atë, por shumë vonë, sepse fillimisht nuk kam parë se në kë gjuante, se a jemi të sulmuar. Ai gjuante delet, lopët dhe njerëzit.
 
Në fshatin e tyre kemi gjetur tenxhere në të cilat bënin hajvar. Ishim të uritur dhe e hëngrëm. Por, kjo nuk u mjaftonte. Kur e hëngrën hajvarin, e dogjën fshatin. Kurrë nuk do ta harroj Bajgorën.
 
Bajgora dhe fshatrat tjera të djegura ishin mjedise urbane, shihej mirëqenia me aparatet moderne shtëpiake që i kishte çdo shtëpi. Kishin antena satelitore. Gjithçka është plaçkitur e shtëpitë janë djegur. Kjo ndodhi në vitin 1998, prandaj duhet të cilësohet si krim lufte.
 
Komandanti Nenad Stojkovic me vetiniciativë gjuante me topa në Samadraxhë dhe Opterushë, hidhte nga 4-5 predha. E pyeta se përse gjuante, sepse jemi në fshat e si në pëllëmbë dore i shihnim njerëzit tek bëjnë punët e përditshme. Ai ndonjëherë do ta pyeste komandantin Radosllav Mitroviq, përgjigja e të cilit, kur dikush duhej të vritej ishte: ‘Le të rrezitet’.
 
U dogjën fshatrat kudo që shkuam. Mua, natyrisht, nuk më shkonte as në mendje për ta djegur ndonjë shtëpi. Në Podujevë janë djegur dy fshatra. Digjej frikshëm.
 
Urdhrat i ka dhënë Stojkoviqi, shpesh pa ndonjë konsultim me komandantin. Mua më urrenin, më thoshin se i dua shqiptarët, e unë thosha se kjo që bëjnë kurdoherë do të na dalë për hundësh.
 
Pastaj, nuk është bërë hetimi i duhur kur është vrarë mjeku jonë Branimir Xhokiq. Ai u vra nga polici Goran Stamenkoviq - Stamenko, sepse mjeku dinte shumë për krimet në Kosovë, si dhe unë, ndërsa komandanti Radosllav Mitroviq nuk e ka lejuar hetimin duke ‘konstatuar’ se mjekun e ka vrarë UÇK-ja. Mjeku ishte me ne që në fillim të formimit të Njësitit Special të Policisë. I ka thënë Nenad Stojkoviqit: ‘Kur të kthehem, do të tregoj gjithçka që keni bërë’. E kanë vrarë si një dëshmitar kyç.
 
Edhe unë i kam paralajmëruar. Kam thënë se për gjithçka do t’i shkruaj Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këtë e bëra. Por, nuk kishin guxim të më qëllonin”, është pjesa e dytë e rrëfimit të Sllobodan Stojanoviqit, që vazhdon në ditët e ardhshme.
 
 
Marre nga gazeta Koha Ditore
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris