TIRANË - Brenda 4 viteve qytetarëve të Tiranës do t’i hapet mundësia për 24 mijë vende të reja pune, të nxitura nga politikat direkte të Bashkisë së re të kryeqytetit që pritet të dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit. Këtë premtim dha kandidati i koalicionit të djathtë për Tiranën Halim Kosova gjatë një takimi me përfaqësues të biznese që mbajti pranë lulishtes “Tre Vëllezërit Frashëri”.
 
“Ju e dini tashmë se moto jonë është puna dhe dinjiteti dhe në programin tonë punësimi mbart një peshë të madhe. Prandaj kemi vendosur të investojmë një shifër gati 15 milion euro për të nxitur punësimin dhe sipas planit tonë do të jenë rreth 24 000 të punësuar në katër vite qeverisje lokale”, tha Kosova.
 
10 mijë mundësi të tjera punësimi kryesisht për të rinjtë tha Kosova, do të krijohen nëpërmjet trajnimeve me ndërmjetësi të Bashkisë.
 
Po ashtu Kosova premtoi se do të ulë 30 % taksën e pronës që paguajnë sipërmarrjes.
 
“Ju jap një shembull. 1 kompani e madhe për taksën e pronës paguan çdo vit 70 mijë euro. Pyes sipërmarrësin: Nëse unë si kryetar bashkie të ofroj ulje 30 %, çfarë do bësh. “Këto lekë unë të siguroj që do ta shndërrojmë në mundësi punësimi”, - citoi Kosova përgjigjen e tij. Gjetje ideale se si të ndihmojmë biznesin”, u shpreh kandidati i Aleancës për Punë dhe Dinjitet për Bashkinë e Tiranës.  
 
Në këtë kontekst, doktor Kosova premtoi lehtësim të procedurave për ato sipërmarrje që hapin vende të reja pune.
 
Marr përsipër të ofroj çdo individi apo sipërmarrësi që hap vende të reja pune thjeshtimin e procedurave nga 4 në 1 dhe realizimin dhe përgjigjen do ta marrë në kohë rekord duke ofruar si mundësi të re “Oner stop shop, teksa punësime te tjera do të bëhen edhe përmes ndërmjetësimit nga Bashkia, ku të rinjtë do të kenë një rol primar”, përfundoi Kosova.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)