Presidenca e Kosovës ka zbardhur detaje nga takimi mes ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Sipas njoftimit, Haxhiu e vlerësoi diplomatin shqiptar për kontributin e tij ndër vite, duke i thënë se “keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, ndërsa kërkoi vijimin e mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, afrimin me NATO-n dhe avancimin e procesit të integrimit europian.

"Në takim u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinimin në politikën e jashtme, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se afërsia historike, gjuhësore dhe kombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një bazë e fortë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për projekte që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të të dyja vendeve. Një pjesë e takimit iu kushtua rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Presidentja Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe për afrimin e mëtejshëm të Kosovës me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vazhdojnë koordinimin e ngushtë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në shërbim të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë”, thuhet në njoftim.


Lajmi kryesor:

Ministri Ferit Hoxha në Prishtinë, takime me Kurtin, Haxhiun dhe Konjufcën: Kosova prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë