Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova ka premtuar sot se do të përjashtojë taksat për katër vite, për të gjitha bizneset që punësojnë mbi 50 persona.

Sipas Kosovës kjo do të realizohet për të gjitha bizneset si në qendër ashtu edhe në periferi. Ai shtoi se bashkia e drejtuar prej tij do të dalë garant për dhënien e kredisë me interes zero bizneseve.

Për Kosovën, kjo garanci që do të japë bashkia do të sjellë zhvillimin e biznesit dhe për rrjedhojë hapjen e 4 mijë vëndeve të reja të punës.

Kosova premtoi gjithashtu se në mandatin e tij qeverisës do të zhbllokojë 8 mijë apartamente që rrinë pa shitur.

“Një tjetër problem i madh është që kanë ngelur rreth 8 mijë apartamente. Bashkia e Tiranës do të ofrojë kredi të buta dhe të shoh se si këto apartamente të zhbllokohen dhe që të blihen nga ata që kanë nevojë, me kushte shumë lehtësuese, në mënyrë që biznesi të  zhbllokohet. Nuk do t’ju lodh me premtime boshe, por për bashkëbisedim dhe të më bëni pyetje. Do ofrojmë 24 orë ujë dhe cilësi e kualitet të tij”, tha Kosova.

Kosova u është përgjigjur edhe akuzave të kandidati Veliaj për ngritjen e një klinike pesë katëshe pa leje, duke deklaruar se lejen për ndërtimin e godinës ia ka dhënë pikërisht Edi Rama.

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)