Kosova drejt konkurrimit për Oscar, prezantohet komiteti selektues

PRISHTINË - Kosova, e cila shkon drejt konkurrimit për herë të parë këtë vit për çmimin Oscar, nga dita e sotme ka edhe komitetin e saj selektues.

I shpallur  nga Qendra Kinematografike e Kosovës, komiteti selektues kryesohet nga aktorja kosovare me famë botërore Arta Dobroshi, e njohur për filmin Heshtja e Lornës.
Anëtarët e tjerë janë regjisorja Blerta Zeqiri fituese e Sundance Film Festival, dramaturgu i njohur kosovar Jeton Neziraj, kuratori dhe artisti Albert Heta, dramaturgia dhe gazetarja e njohur Jeta Xharra, aktori me famë Alban Ukaj si dhe kameramani me eksperiencë Sylejman Kllokoqi.

Komiteti do të bëj përzgjedhjen e filmit më të mirë që do të jetë kandidati kosovar për çmimin Oscar për kategorinë e filmit më të mirë të huaj.

Kryesuesja Arta Dobroshi është shprehur se, "ky është moment historik për popullin e Kosovës. Kjo është hera e parë në historinë tonë që kemi mundësi të nominojmë një film për Oscar. Ndihem shumë e nderuar që jam presidente e komitetit selektues nga Kosova. Shumë urime Kosovë".

Cmimi Oscar
Drejtori i QKK-së, Arben Zharku tha se, "jam shumë i lumtur që kemi arritur të kemi një përbërje të tillë të komitetit selektues. Njerëz të cilët në fushat e tyre kanë treguar suksese të jashtëzakonshme".

Propozimi kosovar që do të bëj komiteti selektues pas datës 20 shtator, do të promovohet në SHBA përmes European Film Promotion, ku Qendra Kinematografike e Kosovës është anëtare.

Në 6 gusht, QKK ka ftuar të gjithë të interesuarit që të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimin për filmin më të mirë të huaj Oscar, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit.

Të drejtën e konkurimit e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë nga Kosova që janë shfaqur për shtatë ditë rresht në kinematë kosovare nga tetori 2013 deri në shtator 2014 dhe që i plotësojnë kushtet e tjera të vëna nga Academy of Motion Picture Arts and Sciences.

Në muajin korrik Academy of Motion Picture Arts and Sciences, që ndanë çmimet Oscar,  e ka njoftuar Qendrën Kinematografike të Kosovës se nga ky vit ka të drejtë të propozojë një film për konsiderim për çmimin në kategorinë e filmit të huaj. Ky njoftim erdhi pas aplikimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës këtë vit dhe pas përmbushjes së kritereve të akademisë dhe lobimit ndërkombëtar.

Kosova, sikur edhe shtetet e tjera, ka të drejtë të nominojë vetëm një film. Nominimin do ta bëjnë 7 selektuesit e komitetit kosovar të konfirmuar sot nga Qendra Kinematografike e Kosovës. /ATSH/

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë